Religjion
Testamenti (vasijjeti) para nisjes për në haxh

Pyetje:
Me vullnetin e Allahut, këtë vit do të shkoj në Haxhillëk dhe dua të shkruaj një testament para se të nisem. Prindërit e mi janë gjallë. Unë nuk kam fëmijë, por kam bashkëshortin dhe një vëlla, kurse vëllai ka një vajzë. A mund të më tregoni se në çfarë renditje, sipas rregullave të Sheriatit, duhet t’i rendis personat e përmendur në testamentin tim?
Përgjigje:
Nga pyetja, kuptuam se ju doni ta ndani pronën tuaj sipas të drejtës trashëgimore të Sheriatit, andaj po ju përgjigjemi në përputhje me rrethanat.
Në rastin konkret, pasi të keni përmbushur detyrimet e tjera pasurore, gjysma e pronës i takon bashkëshortit, pra tre të gjashtat, një e gjashta i takon nënës dhe dy të gjashtat i takojnë babait. (En-Nisa’, 11-12).[1]
Në këtë rast, vëllai nuk ka të drejtë trashëgimie sepse prindërit, nëpërmjet të cilëve vëllai është i lidhur me testamentlënësin, janë gjallë.
Nëse dëshironi, mund t’i jepni një pjesë të pasurisë suaj si dhuratë, por ajo mund të jetë vetëm deri në një të tretën e të gjithë trashëgimisë suaj.
Në këtë rast, pjesa e vëllait do të ndahej së pari nga trashëgimia, kurse më pas pjesa tjetër e pasurisë do t’u shpërndahej burrit dhe prindërve, sipas pjesëve të përmendura më sipër.
Ju kujtojmë se testamenti (vasijjeti) realizohet vetëm pas vdekjes së testamentlënësin dhe se ai mund të ndryshohet ose të revokohet plotësisht gjatë jetës së tij.
Prof. dr. Ahmed Purdic (fetvai-emin i Bashkësisë Islame të Bosnjë dhe Hercegovis)
Pershtati ne shqip:
Miftar Ajdini
(Islampress)
[1] ) „Allahu ju urdhëron për trashëgiminë tuaj: mashkullit i takon aq sa pjesa e dy femrave; nëse trashëgimtarë janë dy e më tepër femra, atyre u takojnë dy të tretat nga trashëgimia; nëse është një femër – i takon gjysma e pasurisë; e për çdonjërin prind të të vdekurit – u përket një e gjashta nga pasuria e trashëguar, nëse i vdekuri ka lënë fëmijë; e nëse nuk ka fëmijë, e trashëgojnë prindërit dhe nënës i bie një e treta; nëse i vdekuri ka vëllezër, nënës i bie një e gjashta, pas kryerjes së testamentit të lënë dhe larjes së borxhit. Ju nuk e dini se cili është më i afërt për ju nga dobia: prindërit tuaj apo fëmijët tuaj. Ky caktim është nga ana e Allahut. Pa dyshim Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë. – Juve ju takon gjysma e pasurisë nga ajo që kanë lënë bashkëshortet tuaja, nëse ato nuk kanë fëmijë. Por, nëse kanë fëmijë, ju takon një e katërta e asaj që kanë lënë ato, pasi të kryhet testamenti e të lahet borxhi. Në qoftë se nuk keni fëmijë, atyre (grave) u takon një e katërta e pasurisë që keni lënë e, nëse keni fëmijë, atyre u takon një e teta nga ajo që keni lënë, pasi të ktyhet testamenti e të lahet borxhi. Nëse i vdekuri, qoftë burrë ose grua, është pa prindër dhe fëmijë, por ka vëlla ose motër (prej nënës), atëherë çdonjërit prej tyre u takon një e gjashta; e nëse ka më shumë nga ata, atëherë marrin pjesë bashkërisht në një të tretën e pasurisë, pasi të kryhet testamenti e të lahet borxhi, duke mos e dëmtuar askënd. Kjo është porosia e Allahut! Allahu është i Gjithëdijshëm dhe shumë Durues.“ (En-Nisa’, 11-12).























