Connect with us

Religjion

Për t’i shërbyer armikut mjafton të jesh edhe budalla

Publikuar

Në fund të vitit 1915, Britania e Madhe dhe Franca filluan negociata të fshehta për ndarjen e territoreve të Perandorisë Osmane në rast të një fitoreje të Aleatëve në Luftën e Parë Botërore. Pas një kohe të shkurtër, në negociata u përfshi edhe Rusia Perandorake, e cila pranoi marrëveshjen me kusht që ta merrte Kostandinopojën (Stambollin), Bosforin dhe Dardanelet. Përveç kësaj, pjesët armene të Perandorisë Osmane do t’i përkisnin gjithashtu Rusisë.

Në maj të vitit 1916, u nënshkrua një marrëveshje që parashikonte ndarjen e Shamit (Levantit) dhe Irakut midis Britanisë dhe Francës, ndërsa Palestina do të vihej nën administrim ndërkombëtar – një përgatitje e qartë për atë që më vonë do të njihej si Deklarata e Balfourit.

Rënia e Rusisë Cariste dhe zbulimi i sekreteve

Megjithatë, askush nuk mund ta priste që gjërat do të përmbyseshin. Në vitin 1917, shpërtheu Revolucioni Bolshevik, duke rrëzuar Carin Rus dhe duke sjellë në pushtet komunistët nën udhëheqjen e Vladimir Iliç Leninit. Sapo komunistët e morën pushtetin, Komisari Sovjetik për Punët e Jashtme Leon Trocki filloi të kërkonte në arkivat e diplomacisë perandorake, ku gjeti tekstin e Marrëveshjes Sykes-Picot.

Për të demaskuar komplotin e fuqive kolonialiste, bolshevikët vendosën ta bënin publik të gjithë dokumentin. Konkretisht, komunistët sovjetikë prezantuan parimin e të ashtuquajturës “diplomaci publike”, sipas të cilit nuk lejoheshin më marrëveshje dhe pakte të fshehta.

Kështu, më 23 nëntor 1917, gazeta ruse Pravda botoi tekstin e plotë të marrëveshjes sekrete. Shumë shpejt u publikua edhe nga gazetat evropiane, përfshirë gazetën britanike Guardian.

Kur u publikua Marrëveshja Sykes-Picot, u krijua konfuzion midis arabëve, sepse britanikët u premtuan atyre një shtet të pavarur përmes Lorencit të Arabisë.

Pas publikimit të marrëveshjes, detajet shpejt arritën tek osmanët nëpërmjet Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë, të cilat ishin aleatë të Perandorisë Osmane në luftë. Osmanët kishin dyshuar prej kohësh për ekzistencën e një komploti britaniko-francez që synonte copëtimin e territoreve të tyre, por nuk kishin prova zyrtare – derisa Rusia bolshevike i publikoi dokumentet sekrete.

Kur Xhemal Pasha, komandanti i Armatës së Katërt Osmane të stacionuar në Sham, mësoi për këto detaje, ai vendosi të bënten e fundit për t’i paralajmëruar arabët.

Më 26 nëntor 1917, ai i dërgoi një letër Princit Fejsal, djalit të Sherif Huseinit, duke e informuar për atë që rusët kishin botuar në gazetat botërore, duke zbuluar Marrëveshjen Sykes-Picot dhe gjithçka që kishte mësuar rreth ndarjes së planifikuar të Palestinës, Sirisë dhe Irakut midis Britanisë dhe Francës. Në atë letër, ai i kërkoi atij që ta rishqyrtonte aleancën me anglezët.

Në letër, ndër të tjera, thuhej: “Sot po kalojmë nëpër njërin nga kapitujt më të errët dhe më të dyshimtë në historinë e Islamit. Shteti osman hyri në luftë i vendosur për t’i dhënë fund poshtërimit të Islamit – për të jetuar me nder dhe pavarësi, ose për të vdekur me nder. Por çfarë lloj pavarësie mund të imagjinoni për një qeveri arabe që do të dilte pasi Palestina të bëhej territor ndërkombëtar, Siria të binte plotësisht nën kontrollin francez dhe Iraku të bëhej pjesë e Perandorisë Britanike?”

Si reagoi Sherif Huseini ndaj komplotit të zbuluar?

Kur lajmi për Marrëveshjen Sykes-Picot arriti te Sherif Huseini nëpërmjet Xhemal Pashës, ai nuk mundi ta besonte në fillim. Ai i dërgoi një letër të dërguarit britanik në Egjipt dhe Sudan, duke kërkuar konfirmim të saktësisë së këtij informacioni.

Shumë shpejt ai mori një përgjigje nga Lord Balfour, i cili mohoi ekzistencën e ndonjë marrëveshjeje, duke pretenduar se ai ishte një trillim osmano-rus, qëllimi i të cilit ishte t’i grindte arabët dhe aleatët. Bazuar në atë përgjigje, Sherif Huseini thjesht vendosi t’u besonte anglezëve, pavarësisht gjithçkaje që u zbulua dhe u botua në të gjithë botën.

Historiani Muhamed Ali Ahmed, qëndrimin e Sherif Huseinit, e përshkruan kështu: “Dhe edhe një herë, si vazhdim i rasteve të mëparshme në të cilat Sherif Huseini u kishte besuar britanikëve, ai përsëri e vendosi besimin e tij tek ata. Këto justifikime mashtruese i kaluan pa i vënë re dhe ai vazhdoi t’i nënshtrohej politikës britanike dhe hipokrizisë së saj.”

Përgjigja zyrtare nga Sherif Huseini erdhi nëpërmjet djalit të tij, Princit Fejsal, ku thuhej: “Nuk ka asgjë midis arabëve dhe turqve përveç shpatës, derisa lufta të mbarojë dhe ata (turqit) të largohen nga tokat arabe”.

Kjo ishte përgjigjja zyrtare e Sherif Huseinit për Xhemal Pashën, dhe një shenjë e qartë se Sherifi mbetej i përkushtuar ndaj aleancës së tij me britanikët, edhe pasi u zbulua tradhtia.

Pavarësisht mohimeve britanike, ngjarjet në terren konfirmuan shpejt të vërtetën e paralajmërimeve osmane. Në dhjetor 1917, Kudsi (Jerusalemi) ra në duart e britanikëve.

Kurse pas përfundimit të luftës në vitin 1918, filloi zbatimi i Marrëveshjes Sykes-Picot dhe Deklaratës Balfour: Palestina u vu nën mandatin britanik, Siria ra nën sundimin francez, kurse Iraku nën sundimin anglez.

Kështu, paralajmërimet më të errëta u realizuan dhe ëndrrat e pavarësisë arabe u shpërndanë përpara realitetit të ndarjes koloniale. Arabët e kuptuan, por shumë vonë, se ishin mashtruar dhe se në fakt ishin thjesht mish për top për një komplot të madh kolonial, dhe se britanikët nuk ishin gjë tjetër veçse mashtrues të mëdhenj që nuk kishin nder dhe nuk i përmbaheshin kontratave.

Dhe siç u tha: Nuk është e domosdoshme që të jesh agjent për t’i shërbyer armikut tënd, mjafton që të jesh budalla.

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK