Connect with us

Religjion

Muaji i veprave të mira dhe ruajtja nga mëkatet

Publikuar

Hfz. Mehas Alija

Falënderimi i takon Allahut, Atij që na ka dhuruar mundësi të shumta për t’u afruar tek Ai. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi Muhamedin, familjen e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Xhemat i nderuar!
Jemi në ditët e para të muajit Dhul-Hixhe, një prej muajve më të bekuar në Islam. Pejgamberi alejhi selam ka thënë:

“Nuk ka ditë në të cilat veprat e mira janë më të dashura për Allahun se sa këto ditë.” (Transmeton Buhariu)

Kjo është një thirrje për t’u zgjuar dhe për t’i shtuar veprat e mira: namazin, agjërimin, dhikrin, sadakanë, mirësi ndaj prindërve, therjen e kurbanëve dhe pendimin e sinqertë.

Por përveç kësaj, është e domosdoshme që në këto ditë të largohemi nga mëkatet, sepse mëkatet e errësojnë zemrën dhe e largojnë njeriun nga mëshira e Allahut. Sot jemi të rrethuar nga harami – në rrugë, në telefon, në internet – dhe më e rrezikshmja prej tyre është ajo që e shikojmë me sy, e që çon drejt zinasë (amoralitetit) së syve e më pas edhe të trupit.

Allahu i Madhërishëm na thotë në Kur’anin fisnik: “O ju që besuat, kini frikë All-llahun me sinqeritet të vërtetë dhe mos vdisni, pos vetëm duke qenë muslimanë (besimtarë)!” (Ali Imran, 102).

Kurse Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Ki frikë Allahun kudo që të jesh, paso veprën e keqe me një të mirë që ta fshijë, dhe sillu me njerëzit me sjellje të bukur.” (Tirmidhiu)

Në një një tregim thuhet se një i ri i tha një dijetari:

“Kam shumë frikë se do të bie në mëkat, sepse në rrugë shoh shumë harame.”
Dijetari i tha: “Mbushi dy kova me ujë, dhe më sill pa derdhur asnjë pikë, se për çdo pikë do të marrësh nga një shuplakë.” Dhe ai arriti t’i sjellë pa derdhur asnjë pikë, nga frika e ndëshkimit.
Kur dijetari e pyeti: “Çka pe në rrugë?”, ai tha: “Asgjë, sepse sytë i kisha të ngulitur në kovë.”
Dijetari i tha: “Ashtu si u frikësove nga unë, frikësohu nga Allahu, dhe ruaje syrin tënd për hir të Tij.”

Kjo është ajo që na mëson feja jonë: ta ruajmë syrin, zemrën dhe trupin nga mëkatet, sidomos në ditët e bekuara si këto. Sepse kur njeriu e ruan Allahun, edhe Allahu e ruan atë.

Pejgamberi alejhi selam i ka thënë Ibn Abasit: “Ruaje Allahun, dhe Ai do të të ruajë. Ruaje Allahun, dhe do ta gjesh Atë pranë teje.” (Tirmidhiu)

Vëllezër e motra, ruajeni Allahun, dhe Ai do t’ju ruajë. Largohuni nga mëkatet, dhe Allahu do t’ju afrojë tek Ai. Drejtohuni kah Ai me sinqeritet në këto ditë të bekuara. Sepse kush është me Allahun, është me Atë që nuk humbet kurrë!

Allahu na bëftë prej atyre që e ruajnë syrin, gjuhën, zemrën dhe veprat për Hir të Tij. Amin.

(Hutbeja e xhumasë, 30.05.2025)

NA NDIQ NË FACEBOOK