Religjion
Dijetari i vërtetë është në anën e popullit

Shejh Muhamed el-Gazali
Së pari, nuk është detyrë e dijetarëve islamë dhe atyre që ftojnë në besimin e Allahut të vrapojnë pas sunduesve dhe të fuqishmëve politikë. A nuk është kjo detyrë e lajkatarëve të cilët e kanë botën si qëllim të vetëm?! Udhëheqësit e fesë së vërtetë (pejgamberët e Allahut) janë dërguar nga Allahu për të kërkuar barazinë e vërtetë në mesin e njerëzve.
Allahu nuk i ka dërguar të dërguarit e Tij për të shpëtuar një grup të caktuar njerëzish, apo udhëheqësit e tyre të mëdhenj, por ata janë dërguar për ta shpëtuar të gjithë njerëzimin, ashtu siç ka thënë Allahu i Lartësuar për të dërguarin e Tij të fundit, Muhamedin (savs): “Dhe ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët.” (el-Enbija, 107) Pra, Allahu ka përcaktuar dhe urdhëruar që feja të jetë në shërbim të popullit, e jo ta grabisë popullin, as t’i shfrytëzojë dhe poshtërojë njerëzit të cilët Allahu i ka krijuar të lirë.
Kjo është feja e cila është zbuluar nga Allahu, në përputhje me ajetin: “Ne do t’u tregojmë atyre shenjat Tona në hapësirat tokësore e qiellore, si dhe në vetvete, derisa t’u bëhet plotësisht e qartë se ai (Kurani) është e vërteta…” (Fussilet, 53)
Feja e vërtetë nuk është opium për popullin, siç thonë cinikët dhe siç duan ta bëjnë të prishurit. Krahas saj, nuk ka vend as për komunizmin as për kapitalizmin.
Detyra jonë dhe parimi ynë themelor është që të jemi gjithmonë në anën e të shtypurit derisa ai të fitojë, të jemi kundër padrejtësisë derisa ta shkatërrojmë dhe ta mposhtim, dhe të jemi në anën e popullit derisa ai të çlirohet nga robëruesit e tij dhe të hakmerret ndaj shtypësve të tij.
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)






















