Kosovë
“Ky rrëfim do të ndryshojë jetë” – Vasfije Krasniqi përkrah publikisht Danin pas dëshmisë tronditëse për dhunimin gjatë luftës
Pas rrëfimit të guximshëm të Ramadan Nishorit, i njohur si “Dani”, i cili për herë të parë ndau përjetimin e tij rrëqethës si viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, ka ardhur një valë përkrahjeje publike – ndër më të fuqishmet, ajo nga Vasfije Krasniqi-Goodman.
Krasniqi-Goodman, e mbijetuara e parë që foli hapur për dhunën seksuale të përjetuar gjatë luftës, përmes një postimi në Facebook ka shprehur mbështetjen dhe solidaritetin e saj të pakushtëzuar për Nishorin, duke e quajtur atë “një zë të guximshëm në errësirë”.
Ajo kujtoi momentin kur Nishori i ishte drejtuar për herë të parë në vitin 2018 “E kujtoj qartë ditën kur më thirre për herë të parë… lotët e tu flisnin më shumë se çdo fjalë. Që atëherë e kam ditur: do të jem pranë teje çdo ditë të jetës sime”, shkroi ajo.
Duke vlerësuar fuqinë e rrëfimit të tij, Krasniqi-Goodman tha se një hap i tillë në një shoqëri patriarkale është i jashtëzakonshëm.
“Ti je shembull për gjithë ne… përkulem me respekt para forcës tënde, para vullnetit tënd për të mos u dorëzuar“.
Ajo gjithashtu falënderoi familjen e Ramadanit për përkrahjen që i kanë dhënë në rrugëtimin e tij të vështirë drejt drejtësisë dhe pranimit publik.
“Ky rrugëtim është i mbushur me stigma e mosbesim, por është i domosdoshëm. Jo vetëm për ty, por për të gjithë ne”
Krasniqi-Goodman kërkoi nga shoqëria dhe institucionet që të tregojnë respekt dhe mirënjohje për aktin e tij të guximshëm.
“Ajo që ke bërë ti sot është më shumë se një rrëfim – është histori që do të ndryshojë jetë”, tha ajo përcjell Insajderi.
Ramadan Nishori shënoi moment historik, duke u bërë burri i parë që rrëfeu përjetimin e dhunimit seksual në luftën e fundit në Kosovë.
Për nder të Ditës së të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale të luftës, ai ka rrëfyer ngjarjen që i ka ndodhur kur ka qenë 22-vjeçar, nga dy policë serb në stacionin e policisë në Drenas.
