Connect with us
SYLA GROUP

Kosovë

“Krimi nuk ka fe, komb e as parim”: Vrasja e rreshterit Lika, temë e hytbesë së xhumasë

Published

on

Në të gjitha xhamitë e Kosovës, një pjesë e hytbesë së xhumasë iu kushtua vrasjes së rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika.

Me rekomandim të myftiut Naim Tërnava, Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) e përfshiu këtë temë në ligjëratën javore për të dënuar aktin e vrasjes dhe për të kërkuar drejtësi për viktimën.

BIK vlerësoi se kjo vrasje ka tronditur jo vetëm rendin dhe sigurinë publike, por edhe shtyllat morale të shoqërisë. Në hytbe u theksua se përpjekjet për ta justifikuar vrasjen me narracione fetare janë të papranueshme dhe përfaqësojnë një strategji të rrezikshme që është përdorur nga grupe kriminale në vende të ndryshme të botës.

“Vrasja e eprorit të Policisë së Kosovës, njëherësh ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, z. Muhamed Lika, ishte një akt tronditës dhe thellësisht i dënueshëm, i cili ka goditur jo vetëm rendin dhe sigurinë publike, por edhe vetë shtyllën morale të shoqërisë dhe vendit tonë.

Ajo çfarë e bën edhe më të rrezikshëm këtë krim, është përpjekja për ta justifikuar atë përmes narracionit fetar – metodë kjo e njohur dhe e përdorur në mënyrë të përsëritur nga grupe të ndryshme kriminale, kudo në botë.

Disa e shfrytëzojnë dhe e keqpërdorin flamurin kombëtar, të tjerë maskohen pas parimeve fetare, humanitare, apo idealeve “të larta”, duke e keqpërdorur ndjenjën kolektive për t’i legjitimuar mizoritë dhe veprimet e tyre të papranueshme dhe të dënueshme kriminale.

Të dashur besimtarë!

Krimi nuk njeh ideal. Ai nuk ka fe, komb dhe as parim. Njerëzit e tillë kriminelë përdorin maska të shumta. Andaj, është detyrë e gjithë neve – në radhë të parë e institucioneve, shoqërisë civile dhe e gjithë qytetarëve që t’i demaskojmë këta njerëz dhe të mos lejojmë që plagët e shoqërisë të shfrytëzohen nga at që synojnë destabilizimin dhe dëmtimin tonë dhe të vendit tonë”, thuhet hytben e shpërndarë nga BIK-u.

Duke u distancuar qartazi nga çdo përpjekje për të instrumentalizuar fenë për qëllime kriminale, hytbja u bëri thirrje besimtarëve dhe qytetarëve që të mbështesin institucionet e drejtësisë dhe të mos bien pre e narrativave të rreme që mund të dëmtojnë hetimet.

BIK theksoi se mënyra më e mirë për të respektuar viktimën dhe për të kërkuar drejtësi është përmes besimit te institucionet dhe shmangies së spekulimeve që mund të cenojnë procesin hetimor.

“Zëri i ligjit dhe i drejtësisë duhet të jetë më i fortë se çdo përpjekje për ta sabotuar atë. Të gjithë duhet t’i mbështesim institucionet tona në zbardhjen e rastit dhe vendosjen e drejtësisë në vend.

Prandaj, konsiderojmë se prononcimi i hershëm për rastin, si dhe përpjekjet për ta lidhur krimin makabër, për kinse motive fetare, më së shumti i shkon për shtati atyre që e kanë kryer atë.

Në fakt, synimi parësor i tyre mbetet mbulimi i krimit me narrativa të rrejshme, në këtë rast në emër të fesë së pastër islame.

Mënyra më e mirë për t’i mbështetur institucionet është që të përcillen deklarimet zyrtare.

Secili raportim tjetër dhe tendencat për ta hetuar rastin – në forma të ndryshme nga institucionet dhe mekanizma – që nuk e kanë mandat këtë, mund të cenojnë seriozisht hetimet, arrestimin e të dyshuarve të tjerë, epilogun e rastin dhe interesat e Kosovës.

Të nderuar besimtarë!

Bashkësia Islame e Kosovës, me të gjitha institucionet e saj, edhe njëherë dënon ashpër këtë vrasje, duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe kolegëve të policit Muhamed Lika, njëherësh, kërkon dhe u bën apel institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë që sa më parë të zbardhen rrethanat e vrasjes, si dhe kryesit e këtij krimi të marrin dënimin e merituar.

Lutemi që krimet e tilla të vrasjeve të mos përsëriten më asnjëherë në vendin tonë!”.

NA NDIQ NË FACEBOOK