Religjion
Feja në kohën e inteligjencës artificiale
Autor: Mustafa Ashur
Sfidat e inteligjencës artificiale [1] po ngrihen ndaj feve, pasi shumë njerëz mendonin se feja ishte e sigurt prej tyre, dhe se ajo nuk do të afrohej me madhështinë dhe shenjtërinë e saj. Ata pyetën nëse robotët mund ta udhëzojnë njeriun drejt Krijuesit të tij, ose t’ia shpjegojnë rrugën e drejtë, ose t’i japin predikim të fuqishëm, ose t’i japin fetva të saktë që zbaton shkrimet në realitetin në ndryshim?! Nga ana tjetër, të tjerë mendojnë se feja është pjesë e natyrës njerëzore; nuk mund të hiqet prania e saj nga ndërgjegjja, kurse inteligjenca artificiale është pjesë e së ardhmes, dhe nuk mund të imagjinohet njerëzimi i ardhshëm pa inteligjencë artificiale.
Robotët fetarë
Në kohën e inteligjencës artificiale, kjo po përhapet në të gjitha fushat, duke përfshirë edhe fushën fetare. Në Japoni, inxhinierët kanë krijuar disa robotë, siç është “Mindar” në tempullin “Kito” për të inkurajuar vizitorët të interesohen për mësimet budiste. Ky prift robotik, i ndërtuar nga alumini, nuk ka autonomi për të folur në çështje fetare. Megjithatë, kjo ka nxitur tempuj të tjerë të konkurrojnë për të krijuar versione më të sofistikuara.
Në Gjermani, kisha protestante ka zhvilluar një robot të quajtur “BlessU-2” që ka një ekran me prekje, ka dy duar dhe një kokë, flet pesë gjuhë, dhe lëshon dritë nga sytë e tij. Gjithashtu, ai është në gjendje të ndryshojë zërin e tij në mashkull ose femër, sipas dëshirës së personit. Kisha katolike, nga ana tjetër, ka prezantuar murgun “Santo” i cili kryen detyrat e një murgu të vërtetë. Kisha po shqyrton mundësinë e përdorimit të roboteve për t’i bekuar njerëzit, ndërsa Vatikani ka për qëllim të krijojë robotë për t’i dëbuar shpirtrat e ligë. Koncepti i “kishës së inteligjencës artificiale” [2] është diskutuar gjithashtu. Çfarë është më e habitshme është se këta robotë janë prezantuar për të plotësuar mungesën e priftërinjve në Evropë. Në Kinë është zhvilluar një murg robotik që jep mësime të Budës, madje edhe Judaizmi është prekur nga inteligjenca artificiale, me robotë që luajnë rolin e rabinit dhe mbajnë fjalime fetare bazuar në Torë.
Shqetësimi fetar
Zhvilluesit po përpiqen të prodhojnë robotë me natyrë fetare, të cilët besojnë në të njëjtën fe si prodhuesit e tyre. Këtu lind një pyetje, a janë bërë robotët të barabartë me njerëzit në fushën e besimit? A është feja e përshtatshme për të qenë “automatizuar” ose “e digjitalizuar”? A do të bëhet adhurimi përmes videos dhe bisedave në internet dhe, a do të rezervohet takim me robotët fetarë përmes internetit?
E vërteta është se ndryshimet në inteligjencën artificiale po akumulohen në fushën fetare, gjë që shkakton shqetësim se kjo mund të çojë në ndryshime të mënyrës në një fazë të mëvonshme, ku inteligjenca artificiale ndikon në anën besimtare dhe morale të njeriut, ose e largon njeriun dhe e dobëson rolin e tij në fushën fetare. Feja është çështje ekskluzive e njeriut, dhe historia nuk ka njohur ndonjë komb ose grup pa fe, pa vend për adhurim ose pa figura fetare. Madje edhe popujt primitivë kishin besime, rite dhe figura fetare. Por a mund të ndryshojnë robotët në dekadat e ardhshme atë që është përforcuar në historinë e gjatë njerëzore, dhe të jenë ata ndërmjetësi midis njeriut dhe Krijuesit të tij, ose të jenë ata mjet për përhapjen e fesë?
Disa parashikojnë shfaqjen e feve të reja në lidhje me inteligjencën artificiale, siç ka theksuar profesori Neil McArthur në artikullin e tij “Perënditë në makinë?” (Gods in the Machine?). Ai shpreh shqetësimin se disa përdorues të inteligjencës artificiale mund të shohin robotët si krijesa më të larta, sidomos duke pasur parasysh se përparimi në këtë fushë u ka dhënë robotëve aftësi që tejkalojnë ato të njerëzve. Robotët zotërojnë memorie që nuk harron kurrë, aftësi të jashtëzakonshme për rikujtim dhe janë të gatshëm për të përmbushur kërkesa në çdo kohë, pa u lodhur. Këto aftësi mund t’i bëjnë disa njerëz t’i shohin ata me njëfarë madhështie. Një paralajmërim të ngjashëm ka dhënë edhe biologu i njohur Edward Wilson, duke theksuar se “problemi i vërtetë i njerëzimit është se kemi emocione nga epoka e gurit, institucione nga mesjeta dhe teknologji të ngjashme me atë të një perëndie.”
Por a do të thotë fakti që robotët mund të recitojnë një predikim ose të japin një këshillë fetare, apo edhe një fetva, se ata janë të aftë të zëvendësojnë rolin njerëzor në fe? Dhe a do të zhduket funksioni i figurave fetare me zgjerimin e përdorimit të robotëve në fushën fetare? Në mars 2023, gazeta Los Angeles Times botoi një artikull me titullin: “A mund të na shpëtojë feja nga inteligjenca artificiale?” Në këtë artikull, u trajtua shqetësimi i shumë institucioneve fetare për çështjen e inteligjencës artificiale. Artikulli solli në kujtesë disa mite nga trashëgimia njerëzore, si miti i Ikarusit, një djalosh që fluturoi me krahë prej dylli, duke u afruar pranë Diellit dhe duke injoruar këshillat e të atit. Krahët u shkrinë nga nxehtësia, dhe ai ra i vdekur. Ky mit simbolizon se ndjekja e dëshirave mund të çojë në pasoja katastrofike. Po ashtu, artikulli përmendi mitin e “Golemit”, një krijesë nga tradita hebraike që një rabin e krijoi nga balta dhe magjia për të mbrojtur popullin hebre. Me kalimin e kohës, Golemi u bë gjithnjë e më i korruptuar, deri në pikën kur doli jashtë kontrollit, duke e bërë të domosdoshëm shkatërrimin e tij.
Duket se njerëzit e fesë janë më të zënë me idenë e kontrollit të inteligjencës artificiale, duke konsideruar se çdo gjë e krijuar nga njeriu duhet të jetë nën kontrollin e tij dhe jo jashtë tij, dhe se duhet të vendosen kufij për inteligjencën artificiale që respektojnë anën morale dhe etike të njeriut. Kjo është ajo që Vatikani ka kërkuar në thirrjen e Romës “The Rome Call” e nënshkruar për herë të parë në vitin 2020. Më pas, përfaqësues të tri feve, Islamit, Krishterimit dhe Judaizmit, morën pjesë në një takim në samitin e Romës në fillim të vitit 2023 dhe propozuan pesë parime etike që të gjithë projektuesit e inteligjencës artificiale duhet t’i respektojnë: (1) të bëjnë që sistemet e inteligjencës artificiale të jenë të shpjegueshme, (2) gjithëpërfshirëse, (3) të paanshme, (4) të përsëritshme, dhe (5) që njeriu të mbajë gjithmonë përgjegjësinë për çdo vendim të lehtësuar nga inteligjenca artificiale.
Dhe mbetet pyetja më e madhe: a do të forcojnë robotët idenë e ndarjes së njeriut nga bashkëshërtësi i tij dhe ndarjes së njeriut nga Krijuesi i tij? A mund të jetë roboti më i besueshëm dhe më i ndikueshëm në përhapjen e fesë? A është roboti i përshtatshëm për të qenë shembull për t’u ndjekur në fushën fetare?
Përkthim nga gjuha arabe:
Miftar Ajdini
Burimi: https://islamonline.net/ الدين في زمن الذكاء الاصطناعي /
[1] ) Disa njerëz e përcaktojnë inteligjencën artificiale si “një degë e shkencës dhe teknologjisë që studion programet dhe pajisjet për t’i dhënë makinave aftësinë për të nxjerrë përfundime dhe mendime nga të dhënat dhe mjedisi, si dhe aftësinë për t’u përshtatur me situata të ndryshueshme me saktësi dhe shpejtësi.
[2] ) The Church of Artificial Intelligence
(Islampress)