OP / ED
“Baltosja e orkestruar” – Tentimi për të denigruar figurën e profesor Blerim Saitit
Koment i redaksisë – ZYRTARE.net
E shtunë, 9 mars, një ditë e bukur me diell, agjërim për besimtarët. Një televizion publik që mëton të jetë një televizion i ndershëm dhe në interes të opinionit, publikon një lajm për notat e profesorit universitar Blerim Saiti. Lajm tendencioz që nga titulli, montazhi i fotografisë e deri tek përmbajtja e lajmit. Qëllimi duket i qartë, për të njollosur, për ta poshtruar dhe për ta denigruar një profesor. Të damkoset dhe të minohet imazhi i një njeriu të nderuar, të njohur për përkushtimin dhe kontributin e tij në shoqëri.
Fushatë, e mbështetur në dokumente të vjetra, një dëftesë e shkollës së mesme që flet për një sukses jo edhe të mirë të profesorit në fjalë. Në rregull, shumë mirë, mbase profesori në atë kohë nuk ka qenë i vetëdijshëm për rrugën që duhet ta bëj. Por, ndonjëherë ndryshimi drastik nga periudha e shkollës fillore dhe asaj të mesme lidhet me shumë faktorë të tjerë, si motivimi, mjedisi, dhe ndoshta mënyra se si e ke menaxhuar kohën dhe angazhimin. Kjo është një periudhë e zakonshme që shumë njerëz e kanë ndryshe nga tjetri.
Ky sulm, megjithatë është shoqëruar edhe me shpifje dhe fyerje të pafundme, që shpërfaq edhe një përpjekje për ta goditur, veçanërisht në një moment kur ai është kandidat për rektor në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup.
Por, kur analizojmë këtë sulm të papërmbajtur, pyetja e parë që na vjen në mendje është: Figura e profesori në fjalë më së shumti po atakohet nga njerëz e eksponentë të lartë që deri dje ishin pjesë e pushtetit. Si mund të sulmohet një njeri i tillë nga ata që, në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë politizuar çdo aspekt të jetës publike, duke shkatërruar çdo mundësi për një sistem të qëndrueshëm dhe të përparuar arsimor, ndërsa tani kërkojnë të përdorin sulme personale ndaj një njeriu të nderuar, të cilin shumica e studentëve dhe pedagogëve e respektojnë për punën e tij të palodhur dhe dedikimin ndaj edukimit.
Shpifjet që po i bëhen profesor Saitit nuk janë thjesht një goditje nën bel, por janë një pasqyrë e qartë e frikës dhe panikut të atyre që, me çdo kusht, duan të mbajnë kontrollin mbi arsimin dhe jetën publike. Përdorimi i dokumenteve të shkollës së mesme si mjet për të sulmuar figurat e respektuara është jo vetëm një akt i ulët, por edhe një provë e dëshpërimit të një sistemi që tani nga opozita derdh lot krokodili për gjendjen dhe cilësinë e menaxhimit të universiteteve. Kjo është një tentativë për të injoruar dhe minimizuar kontributin e një njeriu që ka dhënë gjithçka për zhvillimin e kësaj shoqërie, që është një model i suksesit, përkushtimit dhe integritetit.
Profesor Blerim Saiti është një njeri që, përkundër sfidave të shumta, ka arritur të bëhet një emër i njohur dhe i respektuar, jo vetëm në qarqet akademike, por edhe në shoqërinë tonë. Ai ka kontribuar në arsim, ka udhëhequr studentët me pasion dhe ka ndihmuar në ndërtimin e një infrastrukture arsimore që i ka dhënë mundësi shumë brezave të rinj të arsimohet dhe të zhvillohet. Nuk mund të injorohet fakti që, shumë familje shqiptare në këto troje kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë një borxh të pashlyer ndaj familjes Saiti për gjithçka që kanë dhënë për arsimin shqip. Nënën e tij, Dritën, e cila dhuroi të gjitha stolitë e saj për universitetin e Tetovës, një akt fisnikëri të cilin nuk mund ta gjesh lehtë në shoqëri.
Sot, kur profesori Blerim Saiti ka vendosur të kandidojë për rektor, ky është një hap që tregon se ai është një njeri i gatshëm të udhëhoqi me guxim dhe vizion. Ky sulm i pabazuar është një provë se ata që nuk duan ndryshim dhe përparim janë të gatshëm të përdorin çdo mjet për të penguar çdo mundësi për një arsim më të mirë dhe më të drejtë. Nuk mund të jetë koha e tyre më shumë.
Mbi të gjitha, ky është një mesazh që duhet t’u shkojë të gjithëve atyre që mendojnë se mund të manipulojnë dhe të përdorin arsimin për interesa të ngushta politike. Arsimi është dhe duhet të mbetet një prioritet për të gjithë, pa dallime politike, dhe askush nuk duhet të përdorë pozitat për të goditur ata që janë të angazhuar për një të ardhme më të mirë.
Në këtë aksion baltosje, shumë të tjerë do dëshpëroheshin nga shpifjet dhe fyerjet, por pofesori Blerim duhet të jetë figura që i mbijeton këtij sulmi të orekstruar nga qarqet që dëshirojnë kapjen e universitetit, duke qëndruar i fortë në idealet dhe parimet e tij./ZYRTARE.net/