Lajme
Projekti me mbi 1.8 milion euro| Përparim Rama shpërblen me katër kontrata për një shkollë kompaninë që u akuzua për kequshqyerje të FSK’së


Komuna e Prishtinës, e udhëhequr nga Përparim Rama, tash e dy vite kishte dhënë tender për ‘ndërtimin e shkollës së mesme 7 Shtatori’, në Kryeqytet. Tender ky me të cilën ishte shpërblyer kompania e Ragip Mustafës me mbi 1.8 milion euro. Mustafa është pronar edhe i kompanisë “Beni Dona Plast”, e cila ndër vite u kritikua për helmime të ushtarëve dhe cilësinë e ushqimit. Por, punimet e kësaj shkolle po vazhdojnë edhe në vitin 2025. Kompanisë së njëjtë i janë dhënë edhe tri kontrata tjera për punë shtesë për këtë shkollë. Kontrata e katërt është nënshkruar në shkurt të këtij viti. Insajderi sjell detaje.
Gazeta Insajderi
Më 27 mars të vitin 2023, komuna e Prishtinës, kishte nënshkruar kontratën për “Ndërtimin e shkollës “7 Shtatori”.
Me këtë tender ishte shpërblyer grupi i OE, Olti Trasing SH.P.K, dhe Beni Dona GR.
Vlera e përgjithshme e tenderit të dhënë kishte qenë 1, 878,000,00 euro.
Por, nuk mjaftoi me kaq ndërtimi i kësaj shkolle.

Përveç kontratës së parë, janë nënshkruar edhe dy kontrata me negocim për punë shtesë, të cilat, sipas komunës, dolën si nevojë në disa pozicione të ndërtimit.
Kontrata e katërt titullohet “Ndërtimi i shkollës ‘7 Shtatori’ – Punë të tjera për përfundimin e objektit, Faza II – Ritender”.
Në vlerë prej 144,000.00 euro.
Po e njëjta kompani, Olti Trasing SH.P.K është shpërblyer me tender.
Në garë për këtë tender ishin edhe dy kompani të tjera: “Nika Pro-Ing”, e cila kishte ofruar 144,000.00 euro dhe “Limora” SHPK, me ofertën më të ulët prej 139,129.00 euro.

Sipas të dhënave në ARBK, Ragip Mustafa është pronar/aksionar i kompanisë “Olti Trasing shpk”, pra kompania fituese.

Ragip Mustafa është një afarist nga Podujeva, i fuqizuar kryesisht përmes tenderëve publikë.
Shpeshherë emri i Ragip Mustafës në të kaluarën është lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe njerëzit e pushtetshëm të saj.
Ndryshe, Ragip Mustafa, është pronar edhe i kompanisë “Beni Dona Plast”, e cila ndër vite u kritikua për cilësinë e ushqimit, të cilën e ofruan për institucione të ndryshme në vend.
Që nga viti 2021, “Beni Dona Plast” është vendosur nën hetime nga Prokuroria e Shtetit në dy raste.
Rasti i parë është në vitin 2021 iniciuar nën dyshimin për falsifikimin e certifikatave ISO në dosjen e tenderit për furnizimin me ushqim të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte konfirmuar ndërmarrjen e veprimeve hetimore ndaj kompanisë “Beni Dona Plast”, lidhur me rastin e tenderit të vlefshëm mbi 8 milionë euro në Ministrinë e Mbrojtjes.
Derisa në OSHP po zhvilloheshin beteja në mes të kompanive për ta fituar kontratën 9-milionëshe të Ministrisë së Forcës së Sigurisë, në lidhje me dyshimet për falsifikim të ISO certifikatave të ofruara nga “Beni Dona Plast”, Task-Forca Anti-korrupsion e Policisë së Kosovës, kishte filluar të grumbullonte informacione për të verifikuar validitetin e tyre, kishte raportuar Evropa e Lirë në vitin 2021.
Rasti i dytë për të cilin është denoncuar “Beni Dona Plast” ka të bëjë me dyshimet për shërbim të ushqimit me afat të skaduar për Njësitin Special të Policisë së Kosovës në në Kampin Belveder, në Lagjen e Bairit në Mitrovicë.
Ngjarja kishte ndodhur më 5 shtator të 2022.
Dyshimet për shërbimin e ushqimit me afat të skaduar për pjesëtarët e Njësisë Elite të Policisë së Kosovës i kishte raportuar Policia e Kosovës në raportin 24-orësh të datës 6 shtator, 2022.
Sipas raportit zyrtar të policisë, një aksion i bastisjes në kampin e Njësitit Special të Policisë në Mitrovicë, kishte ngjarë në ditën e denoncimit të rastit.
“Ankuesit kanë njoftuar se nga operatori i kontraktuar janë sjellë produkte me afat të skaduar. Në vendin e ngjarjes përveç njësive policore kanë dalë edhe inspektorët e AUVK-ut dhe, sipas ekzaminimeve të tyre, ushqimet nuk ruheshin sipas standardeve të parapara. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Nuk raportohet për të arrestuar”, thuhej në raportin e Policisë./Insajderi.org





















