Religjion
Nata e Beratit: Askush nuk e di se çfarë do të bëjë nesër

Allahui Plotfuqishëm e krijoi të gjithë botën nga i njëjti ujë dhe baltë, por njerëzit e ndanë atë me kufij. Allahui Plotfuqishëm, e krijoi hekurin e pastër, por njerëzit prej tij prodhuan shpata, shigjeta dhe pushkë. Njeriu prodhoi sëpatë për drutë në kopsht dhe kafaz për zogjët këngëtarë.
Allahui Plotfuqishëm, e krijoi natën, kurse njeriu e prodhoi llambën, Ai e krijoi shkretëtirën, kurse njeriu bëri kopshte, shtigje dhe parqe. Njeriu nga shkëmbi bëri pasqyrë, kurse helmin e shndërroi në pije të ëmbël.
“Unë do të krijoj një mëkëmbës timin në Tokë”, thotë Zoti i botëve. “A do të krijosh atë që do të bëjë rrëmujë dhe do të derdhë gjak?”, pyetën melekët. “Unë di atë që ju nuk e dini”, u tha Allahu i Plotfuqishëm. Allahu i Lartmadhërishëm e di se njeriu mund, nëse ndjek dhe jeton sipas udhëzimit që ia dërgon, të jetë i mirë, të jetë i dobishëm, të jetë ai që e ruan ekuilibrin në Tokë dhe që vendos rregull.
Ekzistojnë ngjarje, ditë dhe netë të bekuara që e paralajmërojnë fuqishëm njeriun dhe e nxisin që të orientohet drejt të mirës. E tillë është edhe nata e bekuar, nata e pesëmbëdhjetë e shabanit, nata e Beratit.
Në atë natë të Beratit, e cila ishte mbrëmë, Allahu i Plotfuqishëm i pranon ose i refuzon veprat tona. Pejgamberi (savs) e praktikonte agjërimin e asaj dite, në mënyrë që veprat e tij të mira të pranoheshin. Ai na mësoi se lutja dhe veprat e mira të agjëruesit nuk refuzohen, dhe për këtë arsye ai dëshironte të ishte agjërues në atë ditë. Në transmetime thuhet, gjithashtu, se në atë natë, në natën e Beratit, Allahu i Plotfuqishëm i veçon dhe i njofton melekët me emrat e atyre njerëzve që do ta lënë këtë botë në vitin e ardhshëm.
Që nga mbrëmë u është bërë e ditur melekëve se kush prej nesh nuk do ta presë muajin shaban të vitit të ardhshëm dhe mbrëmë Zoti i botëve – i Cili e di se çfarë fshehim dhe çfarë bëjmë publikisht, e di çdo qëllim tonin – vendosi se cila vepër do të pranohet dhe cila do të refuzohet, cilat gjynahe do të falen dhe cilat do të lihen për në botën tjetër (ahiret).
Allahu i Plotfuqishëm thotë: „Ka disa njerëz që thonë: “Besojmë në Allahun dhe në Ditën e Gjykimit!”, por në të vërtetë ata nuk janë besimtarë. – Ata përpiqen të mashtrojnë Allahun dhe besimtarët, por në të vërtetë mashtrojnë vetëm vetveten, megjithëse nuk e ndiejnë. – Në zemrat e tyre ka një sëmundje, të cilën Allahu ua shton. Ata i pret një dënim i dhembshëm, për shkak të hipokrizisë së tyre. – Kur u thuhet: “Mos bëni çrregullime në tokë!” – ata thonë: “Ne bëjmë vetëm përmirësime në tokë!” – Por jo! Në të vërtetë, pikërsuht ata janë shkaktarët e çrregullimeve, ndonëse nuk e ndiejnë.“ (el-Bekare, 08–12)
Besimtari që beson sinqerisht dhe fuqishëm në Allahun dhe Ditën e Gjykimit, u shmanget gjynaheve, me çdo hap dhe gjest të tij dëshiron të jetë i dobishëm dhe përpiqet për kënaqësinë e Allahut. Ja një shembull:
“Transmetohet se një njeri me emrin Ubejd bin Ubejdi ishte i njohur për devotshmëri dhe mirësi. Në afërsi të tij jetonte një grua me bukuri të jashtëzakonshme. Një ditë ajo u pa në pasqyrë dhe tha: ‘Kush mund t’i rezistojë kësaj bukurie?’ Duke e dëgjuar burri i saj, i tha: ‘Kësaj bukurie mund t’i rezistojë Ubejd bin Ubejdi.’ Ajo kërkoi leje nga burri i saj që të shkonte tek Ubejdi dhe ta sfidonte atë. Ajo shkoi tek ai dhe duke i bërë pyetje, gradualisht filloi të zbulohej para tij. Sa më shumë që ajo e zbulonte trupin e saj, Ubejdi kthehej prej saj në anën tjetër. Kur e pa se çfarë ishte qëllimi i saj, Ubejdi i tha: ‘Do të të bëj një pyetje, nëse më përgjigjesh sinqerisht, do të marrësh atë që kërkon.’ Ajo i tha: ‘Pyet çfarë të duash, pasha Allahun, do të të përgjigjem sinqerisht.’
– ‘Nëse do të të vinte meleku i vdekjes në momentin që po bëje gjynah, a do të gëzoheshe?’ Ajo u përgjigj: ‘Jo.’
– ‘Nëse do të vendosej Ura e Siratit, nga njëra anë deri në anën tjetër të Xhehenemit dhe njerëzit do të kalonin mbi të, a do të dëshiroje që për shkak të gjynahut që po më nxit ta bëj, të hidheshe në zjarr?’ Ajo u përgjigj: ‘Jo.’
‘A do të gëzoheshe që e ke bërë atë gjynah kur të dalësh para Zotit dhe të përgjigjesh për veprat e tua?’ Ajo u përgjigj: ‘Jo.’
– Atëherë Ubejdi i tha: ‘A nuk të mjafton kjo?’ Ajo iu përgjigj: ‘Po, pasha Allahun, sigurisht që do të pendohem.’ Pjesën e mbetur të jetës ajo e jetoi e devotshme dhe e përulur.”
O i pajisur me mendje! Është në ty, që ta zgjedhësh rrugën në të cilën do ta shndërrosh shkretëtirën në kopshte, shtigje dhe parqe. Kush prej nesh do të donte të përfundonte në shkretëtirën e Xhehenemit nga e cila ata që banojnë në kopshte do t’i thërrisnin që t’u japin ujë.
Kush prej nesh do të donte që t’i vinte meleku i vdekjes dhe ta gjente në një bastore duke lozur bixhoz? Të gjithë ata që shkojnë atje pa dyshim në kor do të thonë, jo, nuk do të donim, dhe të gjithë e dinë se nuk mund ta dinë se kur do të vijë meleku i vdekjes dhe në çfarë gjendje do t’i gjejë, sepse askush nuk e di se çfarë do të bëjë nesër.
Kush prej nesh do të donte që t’i vinte meleku i vdekjes dhe ta gjente të dehur? Të gjithë ata që shoqërohen me këtë haram në kor do të thonë, jo, nuk do të donim që të papastër të shkojmë para Zotit tonë, dhe të gjithë e dinë se nuk mund ta dinë se kur do të shkojnë nga kjo botë, sepse askush nuk e di se çfarë do të bëjë nesër.
Kush prej nesh do të donte që t’i vinte meleku i vdekjes dhe ta gjente duke marrë atë që nuk i takon? Duke marrë para për ta punësuar dikë, jo në firmën e tij, por në firmën tonë të përbashkët apo në institucion, ose duke marrë para për t’i caktuar dikujt një punë, të cilën nuk e paguan me paratë e tij, por me paratë tona.
Ti nuk e di, o vëlla dhe motër, se kur do të takohesh me melekun Azrail, dhe të gjithë ata që merren me korrupsion dhe ryshfet, në kor thonë se nuk do të donin që në atë moment, në momentin kur bëjnë vepër haram, ta takojnë Zotin e botëve, sepse askush nuk e di se çfarë do të bëjë nesër.
Kush prej nesh do të donte që t’i vinte meleku i vdekjes dhe ta gjente duke i gënjyer njerëzit me gënjeshtrat e tij? Ti nuk e di, as nuk mund ta dish, a do të të fshijë Allahu i Plotfuqishëm, në këtë natë të Beratit nga lista e të gjallëve, sepse askush nuk e di se çfarë do të bëjë nesër.
Kush prej nesh do të donte që meleku i vdekjes ta vizitonte derisa është duke vjedhur? Unë nuk e di nëse njerëzve që kanë vjedhur pasurinë shtetërore, pasurinë tonë të përbashkët, u ka rënë ndonjëherë ndërmend Ura e Siratit dhe qëndrimi para Zotit të botëve? Askush nuk mund ta dijë se kur do të vijë meleku i vdekjes për të. Këtu qëndron urtësia e jashtëzakonshme e Allahut. Fakti që nuk e dimë se kush nuk do të jetë nesër, na nxit fuqishëm që të luftojmë vazhdimisht në rrugën e të mirës, dhe që kurrsesi të mos jemi nga ata që bëjnë çrregullime në Tokë dhe e prishin ekuilibrin.
Kush e di se kush nuk do të jetë nesër? Mund ta rregullosh jetën tënde të dhuruar me dispozitat e fesë, mund ta shfrytëzosh kohën tënde të dhuruar, ose mund ta kalosh duke bërë haram dhe duke e kundërshtuar Allahun.
Shfrytëzoje kohën, mbushe jetën me bamirësi qysh tani dhe menjëherë, sepse kush e di se kush nuk do të jetë nesër?
O Allahu i Lartmadhërishëm, na ndihmo! Amin!
Hatib: Izet ef. Čamdžić
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)






















