Connect with us

Religjion

Gjaku i shehidëve rrjedh sikur lumë, po ku është boja e dijetarëve?

Publikuar

Shkruan: Dr. Atije Adlan

Është e vërtetë se ekziston diçka që dijetarët kanë shkruar dhe që paraqet tekstin bazë për luftëtarët dhe revolucionarët që ata e shpjegojnë dhe komentojnë në pozicionet e luftës, por kjo është ende e rrallë, ashtu siç janë të rralla edhe hijet në shkretëtirë dhe shqiponjat në qiell.

Sa herë që ndonjë katastrofë bie mbi muslimanët, gjaku rrjedh si lumë dhe pjesë të trupave të muslimanëve shtrihen të shpërndara në të gjitha anët, para se të rrjedhë me frikë edhe një pikë boje e dijetarit musliman.

Mesazhet e gjakut që shpërthyen në Gaza mes rrënojave të saj, depërtuan në perceptimet dhe mendjet e njerëzve të arsimuar dhe të zakonshëm. Ato e gjetën rrugën në ndërgjegje dhe në ndjenja, i zgjuan emocionet fetare dhe njerëzore tek muslimanët dhe tek jo-muslimanët, e ndërtuan një vetëdije të re, unike në të gjithë brezin në nivel islam dhe njerëzor, dhe u paraqitën njerëzve, arabëve dhe joarabëve, një pamje të veçantë dhe të shkëlqyer të luftës për liri.

Ku jemi ne në krahasim me kapitalin tonë historik?

Ku janë pra dijetarët tanë, ku është boja e tyre dhe ku janë librat dhe studimet tona që i tejkalojnë çështjet sipërfaqësore dhe mosmarrëveshjet e pjesshme, të cilat janë të përqendruara në vëzhgimin e përgjithshëm dhe të plotë të së ardhmes së muslimanëve dhe Islamit, si dhe në formësimin e projektit të madh qytetërues, i cili e trashëgon kulturën dhe qytetërimin, dhe i cili do të jetë dhe do të mbetet pishtar dhe fanar për njerëzit.

Ku është mendimi premtues që bazohet në Librin e Allahut dhe zhytet në problemet kryesore me të cilat kanë manipuluar filozofitë, qofshin ato lindore apo perëndimore, derisa janë bërë lecka skolastike të cilat janë konsumuar nga bollëku i debateve dhe spekulimeve teorike?

A posedojmë ne – umeti i Kuranit – një teori koherente të arsimit sot? A kemi një koncept kuranor dhe sheriatik të rregullave të menaxhimit të konflikteve?

A kemi aftësinë t’u qasemi saktë ligjeve hyjnore duke i lidhur ato me ngjarjet në një mënyrë të drejtë që i zgjidh dilemat intelektuale dhe krizat psikologjike me të cilat përballen brezat muslimanë? Kush nga ne ka kryer një hulumtim serioz të revolucioneve për t’i zbuluar mjetet e revolucionit dhe mjetet për ndryshim pozitiv?

Para se umeti islamik të nisej në lindje dhe perëndim, duke pushtuar, udhëhequr dhe ndërtuar, para se të derdhej gjak në fushat e betejave, Kurani u mësohej njerëzve pak nga pak, dhe idetë dhe perceptimet zhvilloheshin dhe rriteshin së bashku me të vërtetat legjislative dhe doktrinare.

Gjenerata e parë e muslimanëve u frymëzua nga ajetet e Kuranit me një të kuptuar të sofistikuar, me njohuri të gjithanshme, me besim motivues dhe me aspirata të larta që prekën qiellin me yje.

Për këtë arsye, ecja e tyre nëpër shtegun e jetës nuk ishte në shenjë hutimi, hapat e tyre nuk ishin të paekuilibruar dhe ata nuk ishin indiferentë ndaj ngjarjeve që po ndodhnin dhe vazhdimisht po përsëriteshin.

Edhe pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut (savs), kjo gjeneratë u ngrit pa devijime ideore dhe pa deformime psikologjike, e themeloi shtetin dhe në të e ndau drejtësinë mbi bazat e sheriatit.

Ata, nëpërmjet Kuranit, i injektuan lëng jete njerëzimit të vdekur dhe i hodhën themelet e shkencës dhe qytetërimit për brezat që i pasuan dhe, të cilët mbi ato themele ndërtuan dhe shtuan në të gjitha fushat e shkencës dhe veprimit praktik.

Sa shumë kemi nevojë sot për të kuptuar të tillë të fesë dhe për kërcim shkencoro-intelektual të çliruar nga prangat e ndjekjes së verbër, që do të na shtyjë përpara, që do të shoqërohet me sakrificë dhe heqje dorë dhe, nëpërmjet të cilit do të realizohet dhe vërtetohet premtimi i Zotit të botëve, i Cili kurrë nuk e shkel premtimin e Tij.

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK