Lajme
Tryeza e SBASHK: Qeveria Kurti ka qenë kundërshtare dhe gati armiqësore karshi mësimdhënësve dhe punonjësve të tjerë


SBASHK përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se sot është mbajtur një diskutim për gjendjen e krijuar në Kosovë të punëtorëve të arsimit dhe anëtarëve të sindikatëve të tjera.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se qeveria Kurti jo vetëm që nuk ka bashkëpunuar dhe përkrahur sindikatat në Kosovë, por ka qenë kundërshtare e tyre dhe gati armiqësore karshi kërkesave të mësimdhënësve dhe punonjësve tjerë në Kosovë.
Në komunikatën e SBASHK thuhet se pakënaqësitë e tyre i shprehën edhe përfaqësuesit e disa sindikatave tjera në Kosovë si ai i BSPK-së, Atdhe Hykolli, i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Avdi Hoti, përfaqësuesi i Sindikatës së Energjetikës së Kosovës, Avni Grajçevci, ai i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës, Ibrahim Januzi, përfaqësuesi i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së, Gëzim Bimbashi etj.
SBASHK ka njoftuar se të pranishëm në diskutim ishin edhe disa nga kryetarët e Sindikatave Komunale të Arsimit (SKAP) dhe anëtarë tjerë të SBASHK-ut.Pjesëmarrësit në këtë tryezë kanë nxjerrë konkluzione në formë të një strategjie për angazhime të përbashkëta të sindinatave në Kosovë duke forcuar solidaritetin mes tyre në përballje me cilëndo sfidë të kohës.





















