Connect with us

RAMAZAN 2025

Tradhtia e pozitës dhe amanetit si dhe dëmi për dynjanë dhe ahiretin

Published

on

Shejh Muhamed el-Gazali

Pashë një musliman që mbante një pozitë të lartë, e cila lidhej me interesa të rëndësishme publike (shoqërore dhe shtetërore). Megjithë seriozitetin e detyrave që i ishin besuar, ai nuk bëri mirë dhe nuk u përmbajt nga e keqja. Ai ishte një njeri që nuk e kuptonte detyrën e tij përveçse duke i parë njerëzit nga lart. Për këtë arsye, e kritikova ashpër dhe dënova sjelljen e tij mendjemadhe dhe arrogante.

Megjithatë, një prej të pranishmëve më tha: “Ndonjëherë e shoh në xhami.”

Pas fjalëve të tij, nxitova ta konfirmoja gjykimin tim për këtë njeri dhe citova hadithin e njohur të Pejgamberit ﷺ: “Nuk ka iman ai që nuk ka besnikëri, dhe nuk ka fe ai që nuk e respekton marrëveshjen.” (Transmeton Imam Ahmedi)

I njëjti dëgjues më tha: “Çfarë lidhje ka ky hadith me neglizhencën e këtij njeriu ndaj pozitës që mban?”

I thashë: “Ne, muslimanët e sotëm, nuk e dimë domethënien e marrëveshjes apo zotimit dhe as kuptimin e besnikërisë. Kjo është arsyeja pse nuk i kushtojmë rëndësi asaj që Allahu e ka bërë thelb të besimit (imanit) dhe pjesë të pandashme të tij, dhe as që i kushtojmë vëmendje fjalëve të Allahut: “Dhe ata të cilët u përmbahen amaneteve dhe detyrimeve të marra.” (El-Mu’minun, 8)

Shërbimi (pozita apo funksioni) është marrëveshje ndërmjet shtetit – ose ndonjë institucioni – dhe personit që kryen një detyrë të caktuar në këmbim të një page të caktuar. Sipas ligjit, ai nuk ka të drejtë ta marrë pagën nëse nuk i kryen si duhet detyrat e tij.

Nëse një person është dembel, i vështirë në komunikim me njerëzit, i urren ata që kërkojnë shërbimin e tij, shpërfill të drejtat e tyre ose i mohon ato, dhe nëse gjithçka që bën është të shikojë njerëzit me arrogancë dhe fytyrë të vrenjtur, atëherë ai është tradhtar, shkelës i marrëveshjes, që ha pasuri të ndaluar. Çdo pasuri (ose pagë) që rrjedh nga harami e meriton Xhehenemin.

E ashtuquajtura “burokraci,” që shkatërron projekte të mëdha dhe i dëmton dobitë dhe interesat publike, nuk është asgjë tjetër veçse biografia e këtyre shërbyesve dhe zyrtarëve të korruptuar dhe të paaftë.

I Dërguari i Allahut ﷺ  detyrat dhe funksionet i ka quajtur amanet dhe i ka urdhëruar ata që janë të fortë dhe të aftë për një detyrë të caktuar që të jenë të kujdesshëm ndaj këtij amaneti. Ndërsa ata që janë të dobët dhe të paaftë për këto detyra, i ka paralajmëruar që të mos marrin përsipër një amanet që nuk mund ta mbajnë. Ai ka treguar për përgjegjësinë e madhe që bart ky amanet, si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër.

Prandaj, ai e ka larguar nga këto detyra xhaxhain e tij Hamzën dhe Ebu Dherrin (radijallahu anhuma), duke thënë: “Kam frikë se njeriu që merr një funksion të tillë do të dëshirojë në Ditën e Gjykimit të kishte rënë nga qielli në Tokë, në vend se të kishte marrë përsipër përgjegjësitë e njerëzve.” (Transmeton Ahmedi, Hakimi dhe el-Bezzari)

Pozitat, qofshin të mëdha apo të vogla, nuk janë mjete për të përparuar ose për t’u pasuruar disa njerëz. Ato janë shtyllat e shtetit, nga të cilat varet e tashmja dhe e ardhmja e një populli. Kushdo që merr një pozitë dhe e tradhton besimin e dhënë, ai është hajdut, kriminel dhe fatkeqësi për dynjanë dhe për fenë.

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)