Religjion
Të jetojmë për një varr të ndriçuar dhe të gjerë
Ebu Hurejre r.a., transmeton se Pejgamberi savs ka thënë:
“Kur të varroset i vdekuri, ose ka thënë ‘ndonjëri nga ju’, i vijnë atij dy melekë, njëri quhet Munkir, kurse tjetri Nekir. Pastaj të dy ata e pyesin: ‘Çka ke thënë ti për këtë njeri?’ Dhe ai do të përgjigjet se çka ka thënë: ‘Ai është rob i Allahut dhe i dërguari i Tij.’ Atëherë ata të dy do të thonë: ‘Ne e dinim që ti do të thoshe kështu!’ Pastaj do t’i hapet hapësira në varr 70 herë, më pas i ndriçohet brenda, dhe i thuhet atij: ‘Fli siç fle ai të cilin do ta zgjojë nga gjumi familjari i tij më i dashur!’ Ashtu do të mbetet derisa nga shtrati i tij do ta ringjallë Allahu. Në qoftë se ka qenë hipokrit, do të përgjigjet: ‘I kam dëgjuar njerëzit duke thënë, andaj edhe unë kam thënë. Unë nuk e di kush është ky njeri’. Atëherë ata dy do t’i thonë: ‘Ne e dinim që ti do të thoshe kështu!’ Pastaj do t’i thuhet Tokës: ‘Mblidhu!’ dhe atëherë do t’i ngushtohet varri, dhe në të do t’i shtrydhen eshtrat e tij. Kështu do të dënohet derisa nga shtrati i tij do ta ringjallë Allahu!” /Tirmidhiu/
Njeriu për të cilin do ta pyesin këta dy melekë, është Muhamedi savs… Atë e dërgoi Allahu i Madhërishëm si pejgamber të fundit dhe e bëri vulë të pejgamberisë. Që nga momenti kur ju dërgua njerëzimit, një parakusht për sukses është besimi në të, në misionin e tij dhe ndjekja e rrugës nëpër të cilën ka ecur ai. Çdokush që besimin në të nuk e vendos në zemrën e tij, dhe nuk drejtohet rrugës nëpër të cilën ka ecur ai, do ta pret ngushtimi në varr dhe dënimi i përjetshëm në ahiret. Ai (savs), duke na paralajmëruar, këtë na e thotë në hadithin vijues:
“Shembulli im dhe i juaji është si shembulli i një njeriu i cili ka ndezur një zjarr, dhe insektet duke menduar se është dritë vërsulen drejt zjarrit, kurse ai i dëbon prej tij. Unë ju largoj juve nga zjarri, kurse ju më shpëtoni nga duart.” /Muslimi/
Allahu i Madhërishëm premton se Pejgamberit savs, në botën tjetër, ‘do t’ia japë një vend të lavdëruar.’ /el-Isra, 79/ Ky vend i lavdëruar është vendi i shefaat-bërësit. Ai për besimtarët, që janë pasuesit e tij, do të ndërmjetësojë te Zoti i botëve dhe do t’i shpëtojë nga zjarri.
Ne tashmë jemi në muajin Rexheb, i zgjedhur, i bekuar, i shenjtë. Ai fillon me një natë të bekuar dhe mbaron me një tjetër natë të bekuar. Fillimi i tij është shënuar me natën e Regaibit – që është nata e dëshirave dhe lutjeve, ndërsa mbarimi i tij është i ndriçuar me dritat e natës së Miraxhit – dhe kjo është nata në të cilën Pejgamberit savs i është dhuruar shefaati.
Nuk ka dyshim, se ne të gjithë kemi dëshirë që periudhën e berzahut të jetës sonë ta kalojmë në një varr të gjerë dhe të ndriçuar. Nuk ka dyshim, se ne të gjithë kemi dëshirë të jemi të denjë për shefaatin e Pejgamberit savs. Kjo dëshirë për asnjërin prej nesh nuk është e parealizueshme. Pejgamberi savs ka ardhur që të na shpijë të qëndrojmë në hapësirën e gjerë të berzahut dhe në shtëpinë e ahiretit të pa krahasueshme me asgjë të kësaj bote.
Ebu Dherr el Gaffari r.a. transmeton: “E takova Pejgamberin savs në xhami, u ula bashkë me të, dhe ai më tha: ‘O Ebu Dherr, a u fale?’ Unë u përgjigja: ‘Jo.’ Ai më tha: ‘Çohu, dhe falu!’ Unë u ngrita dhe u fala, pastaj erdha dhe u ula pranë tij. Ai më tha: ‘O Ebu Dherr, kërko strehim tek Allahu nga shejtanët prej njerëzve dhe xhinëve.’ Unë e pyeta: ‘O i Dërguari i Allahut, a ka shejtanë prej njerëzve?’ Ai u përgjigj: ‘Po.’
E pyeta: ‘O i Dërguari i Allahut, cila është vlera e namazit?’ Mu përgjigj: ‘Namazi është vepra më e mirë, kush dëshiron le ta rritë.’
E pyeta: ‘O i Dërguari i Allahut, po agjërimi?’ U përgjigj: ‘Agjërimi është huaja e cila do të kompensohet. Kurse te Allahu do të merrni edhe më shumë.’
E pyeta: ‘O i Dërguari i Allahut, po sadakaja e sinqertë?’ U përgjigj: ‘Ajo kthehet e rritur shumëfish.’
E pyeta: ‘Cila është sadakaja më të mirë”? U përgjigj: ‘Ajo e cila kryhet në fshehtësi.’
E pyeta: ‘O i Dërguari i Allahut, çka është më sublime prej asaj që të është shpallur?’ U përgjigj: ‘Ajetul kursijja.’ /Ahmedi/
Nëse ne, e dëshirojmë një varr të gjerë dhe të ndriçuar dhe një shtëpi të ahiretit të pakrahasueshme me asgjë të kësaj bote, ejani ta falim namazin, sepse ai është themeli i fesë sonë. Pa këtë vepër, në një varr të tillë nuk mund të shkohet. Ejani t’i japim hua Allahut, duke agjëruar. Pastaj Allahu i Lartëmadhërishëm atë hua do të na e kthejë të shumëfishuar. Le të bëhemi bujarë, por të bëhemi bujarë që të jetë i kënaqur Allahu, dhe jo duke u kujdesur se a dinë njerëzit për këtë. Për ta fituar një varr të gjerë dhe të ndriçuar dhe një shtëpi të ahiretit të pakrahasueshme me asgjë të kësaj bote, është e nevojshme që veprimet tona t’i përputhim me urdhrat e fesë sonë.
Pejgamberi savs ka thënë: “Besimtar i plotë është ai që ka sjellje të bukur.” /Tirmidhiu/
Pejgamberi savs kur është pyetur për veprat me të cilat njeriu e fiton lumturinë, ai është përgjigjur: “Devotshmëria dhe sjellja e bukur.” Ndërsa kur u pyet për veprat që njerëzve ua shkaktojnë zemërimin e Allahut dhe dënimin e botës tjetër, ai tha: “Përgojimi dhe kurvëria.” /Tirmidhiu/
Sa është e rëndësishme, që përveç përmbushjes së detyrave tona ndaj Zotit të botëve, të kemi edhe sjellje të mirë, dhe kështu ta plotësojmë fenë tonë, dëshmon hadithi vijues:
Ebu Ubejde r.a. thotë: “I kam dëgjuar sahabët duke transmetuar nga Pejgamberi savs se ka thënë: “(1) Mëkatet janë dy llojesh, mëkatet që janë në mes të Zotit të botëve dhe njerëzve, dhe (2) mëkatet mes dy njerëzve. Nëse për mëkatin e bërë ndaj Zotit sinqerisht pendohesh, sikur mos ta kesh bërë, ndërsa sa i përket mëkatit ndaj njeriut, për të nuk ndihmon tevbeja, aty nevojitet barazimi.” /Tirmidhiu, Nesaiu, Ibn Maxhe/
Të dashur vëllezër,
Një njeri e pyeti Pejgamberin savs, se a do t’u falen mëkatet e shehidëve? Pejgamberi savs u përgjigj: “Po do tu falen të gjitha përveç borxhit.” /Buhariu/ Pra, të gjitha mëkatet përveç atyre që ju ka borxh njerëzve. Këtë duhet ta bëjmë para vdekjes, duhet të barazohemi dhe t’ia bëjmë hallall njëri-tjetrit.
Për ta fituar një varr të gjerë dhe të ndriçuar dhe një shtëpi të ahiretit të pakrahasueshme me asgjë të kësaj bote, duhet të stolisemi me sjellje të bukura, sepse ajo është konfirmim i besimit tonë. Pejgamberi savs thotë: “Pasuria është prestigj i kësaj bote, ndërsa devotshmëria është prestigji i botës tjetër.” /Muttefekun alejhi/
Dëshira për një varr të gjerë le të na çojë te shefaati i Pejgamberit savs.
Muajin Rexheb, muajin e shenjtë, të bekuar dhe të zgjedhur, që është muaji i Allahut, le ta kalojmë duke bërë tevbe, duke u angazhuar që veprimet tona të jenë në përputhje me sunnetin e Pejgamberit tonë, të njeriut për të cilin në vendqëndrimin tonë të parë – në varr, do të pyetemi. Kush e jeton sunetin e tij, do të di të përgjigjet në pyetjen e dy melekëve, ndërsa kush nuk e ndjek atë, ai do ta ketë gjoksin e ngushtë këtu, e do të jetë i ngushtuar edhe në varr.
O Allahu i Plotfuqishëm, na udhëzo në rrugën e drejtë në këtë botë, na e zgjero varrin në Berzah dhe na dhuro kënaqësinë e përjetshme në botën tjetër. Amin!
Hatib: Izet ef. Çamxhiq;
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)