RAMAZAN 2025
Si ia kemi marrë shpirtin hutbes së xhumasë?
Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: „O besimtarë, kur të thirreni për (të falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun dhe pezulloni shitjen! Kjo, që ta dini, është më mirë për ju! – Dhe, kur të përfundojë namazi,, atëherë shpërndahuni nëpër tokë, kërkoni nga mirësitë e Allahut dhe përmendeni shumë Allahun, në mënyrë që të shpëtoni.“ (el-Xhumu’a, 9-10)
Në këtë urdhër hyjnor, Allahu ka përcaktuar namazin e xhumasë, i cili dallohet nga namazet e tjera për faktin se falet vetëm në xhemat dhe nuk mund të falet vetëm. Këtu mblidhen të gjithë muslimanët e një lagjeje, fshati, qyteti ose rajoni, në kohën e drekës, për ta dëgjuar ligjëratën ose hutben në të cilën jepen udhëzime ose tërhiqet vëmendja për ndonjë çështje (publike) të rëndësishme.
Hutben zakonisht e mban udhëheqësi i shtetit islamik në xhaminë kryesore, ndërsa përfaqësuesit e tij i mbajnë hutbet në xhamit e tjera në të gjithë shtetin islamik.
Ky është informacion i njohur për të gjithë, por po e përmendim që të na kujtojë atë që na mungon në këtë kohë, që është dështimi për ta arritur urtësinë që Allahu e ka destinuar për namazin e xhumasë.
Në fakt, nuk do të thotë se një shtet është islam vetëm për shkak se regjimi në pushtet lejon që të falet namazi i xhumasë çdo të premte, sepse këtë e bëjnë edhe pushtuesit që janë armiq të fesë së Allahut. Megjithatë, dallimi është se kur shteti është islam, udhëheqësi është musliman, i cili e njeh mirë ligjin e Allahut, i cili e lexon Librin e Allahut dhe është i qëndrueshëm në bindje ndaj Allahut, prandaj ai e mban hutben, e fal namazin e xhumasë çdo të premte dhe u jep udhëzime besimtarëve, umetit, shtetasve të tij.
Shenja e parë që një shtet nuk është islam, është nëse e shohim sunduesin që nuk merr pjesë në namaz përveç në raste të caktuara, duke dashur të tregojë veten si musliman besimtar, dhe nuk i udhëheq besimtarët në namazin e xhumasë por qëndron në rreshtin pas imamit, por jo për shkak të përulësisë – sepse ai e konsideron veten të parin në gjithçka -, por sepse nuk di të lexojë siç duhet Kuran dhe nuk i njeh si duhet dispozitat themelore fetare.
Shenja tjetër është imponimi i një hutbeje unike e cila ka kaluar censurë të rëndë, për të mos u marrë me problemet e rëndësishme që regjimi në pushtet nuk ka arritur t’i zgjidhë, dhe për të mos zbuluar mangësitë dhe defektet e sunduesit (mbret, president) ose të regjimit në pushtet.
Prandaj sot, për shembull, në Arabinë Saudite (e cila është zyrtarisht shtet islam), në Egjipt dhe në shtete të tjera muslimane, lejohen (vetëm) hutbet që janë rreptësisht të censuruara, dhe fjalimet që, siç thuhet, as nuk e ngopin urinë e as nuk e shuajnë etjen, siç janë hutbet për devotshmërinë individuale dhe asketizmin, dhe zhytja në detajet më të imëta lidhur me dispozitat e caktuara fetare (si abdesti, namazi, vlera e adhurimeve vullnetare, dhikri, sadakaja etj.), ose fjalimet për detyrat e muslimanëve ndaj sunduesit të shtetit islam dhe detyrimi për t’iu bindur atij në çdo situatë, pa marrë parasysh gabimet e tij katastrofale, mëkatet dhe padrejtësitë ndaj muslimanëve. Ju kurrë nuk do të dëgjoni, në shtetet e përmendura dhe në ato që nuk u përmendën, hutbe për detyrat e sunduesit ndaj shtetasve dhe pasojat e tmerrshme (në këtë botë dhe në botën tjetër) të mos përmbushjes së amanetit të pushtetit që e ka marrë; pastaj hutbe për ngjarjet nga koha e brezave të parë, por vetëm pasi t’u merret shpirti dhe të kalohet përmbi mesazhin dhe mësimin themelor.
Prandaj nuk është për t’u habitur që disa njerëz flenë gjatë hutbes, sepse hutibet ua kanë marrë shpirtin hutbeve (me përjashtim të individëve). Hutbet janë të gjata, kurse hatibët flasin me fraza të çuditshme që e shpërqendrojnë vëmendjen e dëgjuesit, kështu që dëgjuesi nuk e di për çfarë flet në të vërtetë hatibi, sikur ta kërkonte gjilpërën në kashtë. Shumë hatibë i përsërisin hutbet nga viti në vit, kështu që ata që vijnë rregullisht në xhami i dinë përmendësh shumë nga hutbet e tyre.
Hatibi, për fat të keq, sot është bërë funksionar shtetëror që nuk mund të flasë përveç ashtu siç e urdhëron qeveria, përndryshe do t’i ulet paga, ose do të pezullohet përgjithmonë, e ndoshta edhe do të burgoset.
Ndoshta do të duket e ashpër, por me të vërtetë është e arsyeshme të shtrohet pyetja: A është e arsyeshme që një hatib ‘i paguar’ të ngjitet, për shembull, në minberin e nderuar të xhamisë së Pejgamberit, ose në minberin e haremit të Qabesë?
Sigurisht që jo, sepse sipas paraardhësve tanë të mirë (selefus-salih), në të cilët ne vazhdimisht thirremi dhe krenohemi se i ndjekim, ekzistojnë rregulla dhe kushte të veçanta për personin që mund të ngjitet në minberin e xhamisë së Pejgamberit (a.s.), prej të cilave më e rëndësishmja është që hatibi të flasë haptas të vërtetën me urtësi dhe këshilla të bukura, pa u frikësuar në emër të Allahut nga qortimi i askujt.
Ndërkaq, sa u përket mësimeve dhe kuptimeve të ajeteve të cituara nga surja el-Xhumu’a, me këtë rast, duam të tërheqim vëmendjen në disa kuptime që i përmendin disa komentues (mufesirë) të Kuranit:
Kuptimi i parë që ne e nxjerrim nga ajetet e cituara është se në Islam nuk ekziston pushimi javror. Në fakt, kur thirrja e ezanit për namazin e xhumasë dëgjohet të premten, muslimanët e ndërpresin punën, shkojnë për ta dëgjuar hutben dhe për ta falur namazin, kurse pas përfundimit të namazit të xhumasë kthehen në punët e tyre si çdo ditë tjetër, sepse Allahu ka dashur që muslimanët të mbeten aktivë dhe të vyeshëm, e jo të shkojnë drejt përtacisë dhe pasivitetit.
Kuptimi i dytë, është fitimi material që realizohet vetëm me shitje, sepse njeriu nuk shet diçka përveçse nëse nuk merr një vlerë që sipas vlerësimit të tij është më e madhe se vlera e asaj që shet, dhe ky ndryshim është fitimi ose profiti, prandaj Allahu i Lartësuar thotë: „… O besimtarë, kur të thirreni për (të falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun dhe pezulloni shitjen!“ (el-Xhumu’a, 9), dhe nuk e ka përmendur blerjen, sepse tregtia nuk përfundohet pa blerje, ndërsa fitimi direkt nuk realizohet me blerje. Në vend të kësaj, njeriu merr atë që e konsideron të dobishme për vete, qoftë kjo e dobishme vetvetiu ose duke e tregtuar me të.
Kuptimi i tretë, është se në namazin e xhumasë fshihen urtësi dhe përfitime të cilat njerëzit ndoshta nuk i kuptojnë, prandaj Allahu i ka urdhëruar besimtarët që përfitimet materiale që i duan, t’i lënë për diçka që është shumë më e dobishme për dunjanë dhe ahiretin e tyre, duke thënë: „… Kjo, që ta dini, është më mirë për ju!“ (el-Xhumu’a, 9).
Është e mundur që të gjitha urtësitë e përcaktimit të hutbes të premten të mos kenë qenë të kuptueshme për muslimanët në kohën e shpalljes së Kuranit, sepse ndoshta kushtet në të cilat ata kanë jetuar – shteti islam me një udhëheqësi të sinqertë dhe të drejtë, e cila kishte vendosur drejtësinë dhe u kishte siguruar njerëzve siguri të plotë, që është baza e çdo prosperiteti dhe progresi – i kanë bërë që të mos e ndjejnë aq të rëndësishme hutben e të premtes që merrej me problemet e tyre, ashtu siç e kanë ndjerë muslimanët pas tyre, veçanërisht në kohën tonë, kur në shtetet islame mungon si drejtësia ashtu edhe siguria, gjë që është shkak i trazirave dhe prapambetjes në çdo aspekt, dhe kur mungojnë edhe dijetarët e vërtetë dhe reformatorët, sepse regjimet tirane, në shumicën e rasteve, i kanë futur në burg dhe i kanë larguar nga populli.
Autor: Abdusamed Nasuf Bušatlić
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)