Connect with us

RAMAZAN 2025

Namazi i fundit në këtë botë

Published

on

Si do të ndjeheshim, para se ta shprehnim tekbirin fillestar për namaz, nëse do ta dinim se ky është namazi ynë i fundit në këtë botë?

Si do të dukej namazi ynë nëse do ta dinim se pas tij do të vdesim?

Më lejoni t’i fali dy rekate namaz!

Kështu, sahabiu i nderuar Hubejb Ibn Adij (r.a.), iu përgjigj paganëve mekas: “Më lejoni t’i fali dy rekate namaz.”

Ata e mashtruan atë!

E bënë me të një marrëveshje dhe i premtuan fortë, dhe ai u besoi atyre, sepse nuk e dinte se ata ishin njerëz të pabesë dhe të mallkuar.

E kapën dhe e lidhën. Pas pak ditësh e lëshuan, jo në liri, por për ta vrarë.

“Cila është dëshira jote e fundit?”, e pyetën kriminelët.

Ai tha: “Më lejoni t’i fali dy rekate namaz.”

Vetëm dy rekate namaz!

Dhe ata e lejuan. Ai i fali dy rekate namaz, dhe pastaj i foli këto fjalë madhështore:

Pasha Allahun, sikur të mos frikësohem se do të mendoni se kam ra në dëshpërim dhe kam frikë nga vdekja, do të falesha edhe më gjatë.

Pastaj tha: “O Allahu im, përcaktoje numrin e tyre, shkatërroj të gjithë dhe asnjë prej tyre mos e lë të gjallë!”

Pastaj u shpreh në vargje:

Nëse do të vdes si musliman nuk më intereson,

se në cilin vend në Tokë vdekja ime do të ndodh.

Ekskluzivisht vetëm për Allahun është vdekja ime,

dhe Ai, nëse dëshiron, do t’i bëjë të bekuara

copat e trupit tim të masakruara.

Para se ta vrisnin, ata e pyetën: “A dëshiron që Muhamedi të jetë në vendin tënd, dhe ti të je i lirë?”

Ai u përgjigj: “Pasha Allahun e Plotfuqishëm, nuk do të doja që të Dërguarin e Allahut (savs), ta thumbojë asnjë gjemb, ndërsa unë të jam i lirë.”

Me të vërtetë, ishte madhështor namazi i fundit i sahabiut i Hubejb ibn Adij (r.a.).

Ai është muslimani i parë që e vendosi praktikën e faljes së dy rekateve namaz para vdekjes, përkatësisht, para ekzekutimit, dhe për këtë arsye ai do të ketë shpërblimin e të gjithë muslimanëve të cilët do të falin nga dy rekate namaz para vdekjes. Nuk ka dyshim se ky është kulmi i përkushtimit në namaz. Ky është pikërisht namazi i cili na nevojitet dhe çfarë e duam.

Namazi të cilin e ka falur Hubejb Ibn Adij (r.a.), është namaz i veçantë dhe ka veçoritë e tij për të cilat e meriton këtë status prestigjioz.

Cila është veçoria më e rëndësishme e këtij namazi?

A ishte gjatësia tipar kryesor i këtij namazi? Kurrsesi! Ai ishte një namaz i kryer shumë shpejt dhe për një kohë të shumë të shkurtër, sepse Hubejbi nxitoi qëllimisht në faljen e namazit.

A ishte ai namaz në kohë të njohura dhe të bekuara, siç është p.sh. 1/3 e fundit e natës, gjatë ramazanit, apo gjatë muajve të shenjtë (eshhurul-hurum)? Kurrsesi! Ai ishte në mes të ditës dhe në muajin safer, sepse idhujtarët mekas pritën që të kalojnë muajt e shenjtë dhe pastaj e vranë atë.

A është falur ai namaz në një vend të shenjtë, si Qabeja apo haremi i Mekës?

Jo! Idhujtarët me qëllim e nxorën Hubejbin deri në Ten’im, në mënyrë që mos ta vrisnin në tokën e shenjtë.

Sekreti i madhështisë së këtij namazi nuk është në gjatësinë e tij, as në kohë dhe as në vend, por mbi të gjitha në përkushtim.

Një pyetje që lind vetvetiu është: Pse ky namaz ishte më me përkushtim se namazet tjera?

Thjesht, sepse ky ishte namazi i një njeriu i cili po përballej me vdekjen. Ai e dinte se pas pak çastesh do të vdiste dhe pastaj do të pyetej në varr. Andaj, në atë moment, si mos të jetë njeriu i përkushtuar në namaz?!

Megjithatë, ne këtu duhet ta drejtojmë vëmendjen në diçka tjetër. Në fakt, a duhet ne të nxirremi për ekzekutim që të jemi të përkushtuar në namaz? Sigurisht që nuk duhet. Pra, theksi është në atë se ne, me rastin e secilit namaz, para se ta shprehim tekbirin fillestar, duhet të ndjehemi se ky është namazi ynë i fundit në këtë botë dhe se pas tij do të vdesim.

Nëse kështu do të ndjehemi, çfarë do të ishte namazi ynë?

Nuk ka dyshim se namazi ynë do të ishte i ngjashëm me atë të Hubejbit. Ai do të ishte namazi i një njeriu i cili po largohet nga kjo botë dhe po shkon për tu takuar me Zotin e tij.

A është e mundur vdekja, menjëherë pas namazit?

Po. Është mundësi shumë e sigurtë në çdo kohë. Askush nuk mund të pretendojë se do të jetojë një ditë apo një orë, mirëpo neglizhenca jonë na bën që ta harrojmë afërsinë e këtij momenti. Ne nuk po marrim mësimin nga të vdekurit të cilët i dërgojmë çdo ditë nga kjo botë, as nga qimet e thinjura në flokë dhe në mjekër, as edhe nga sëmundjet e ndryshme dhe të rënda që na godasin neve dhe të dashurit tanë. Prandaj, lirisht mund të themi se gjendja jonë është shqetësuese.

Neve nuk na nevojiten dëshmi për ardhjen e vdekjes papritmas dhe me shpejtësi, sepse të gjithë i dimë këto dëshmi, por neve na nevojiten metoda praktike të cilat do të na kujtonin këtë vizitor të pashmangshëm. Me siguri, nëse e kujtojmë më shumë vdekjen, namazet tona do të jenë më ndryshe. Andaj, nuk është çudi pse Pejgamberi (savs) na ka bërë thirrje dhe na ka paralajmëruar, duke thënë: “Shumë kujtojeni atë që i ndërpret kënaqësitë e kësaj bote!” (Tirmidhiu)

Pejgamberi (savs) nuk na e ka precizuar kur, si dhe sa herë ne duhet ta kujtojmë vdekjen dhe të mendojmë për shkuarjen nga kjo botë, por këtë na ka lënë neve, sepse kjo varet nga shkalla e besimit (imanit) tonë. Shumë prej nesh nuk e kujtojnë vdekjen as nuk mendojnë për të, përveçse kur përcjellin ndonjë xhenaze, ose kur e vizitojnë ndonjë të sëmurë, ose kur e dëgjojnë ndonjë ligjëratë për vdekjen.

Por ndryshe nga ne, Abdullah ibn Omeri (r.a.), thoshte: “Nëse gdhihesh mos e prit ngrysjen, dhe nëse ngrysesh mos e prit gdhirjën!” Shpresa e tij nuk ishte më e gjatë se një gjysmë dite dhe pas çdo namazi ka ndjerë se do të vdesë, andaj ishte i përkushtuar në namaz.

Ekziston edhe një tjetër çështje që dëshiroj t’i kushtojmë vëmendjen tonë për arsyen se pse namazit tonë po i mungon përkushtimi dhe pse nuk është sikurse namazi i Hubejbit. Ajo çështje është se ne dyshojmë në vdekjen e afërt dhe të shpejtë. Prandaj, Hasan el-Basriu ka thënë: “Unë nuk kam parë bindje ku nuk ka dyshim, që të jetë e ngjashme me dyshimin ku nuk ka bindje, siç është vdekja.” (dmth. siç është dyshimi i njeriut në lidhje me vdekjen e afërt) (Ibn Halikan, Vefejatul- e’ajan, II / 71).

Prandaj është e rëndësishme që para çdo namazi, para tekbirit fillestar, ta kujtojmë vdekjen, sepse me të në namazin tonë do ta sjellim përkushtimin e nevojshëm dhe të obligueshëm të cilin na e ka rekomanduar Pejgamberi (savs).

Ebu Ejub el-Ensari (r.a.) ka thënë: “Erdhi një njeri te Pejgamberi (savs) dhe e kërkoi një këshillë të shkurtër, kështu që Pejgamberi (savs) i tha: “Kur të falësh namaz, falu sikur të jetë ai namazi yt i fundit. Mos fol diçka për të cilën pastaj do të kërkosh falje. Dhe, mos dëshiro diçka që posedojnë njerëzit tjerë nga kjo botë.” (Ahmedi dhe Ibn Maxhe)

Në një hadith tjetër, të transmetuar nga Enes ibn Maliku (r.a.), thuhet se Pejgamberi (savs) ka thënë: “Kujtoni vdekjen gjatë namazit, sepse nëse njeriu e kujton vdekjen gjatë namazit, ai e zbukuron namazin e tij. Falu si një njeri i cili nuk mendon se do ta presë namazin tjetër, dhe, ruaju nga gjithçka për të cilën pastaj do të kërkosh falje.” (Dejlemi)

Pikërisht, kjo këshillë e Pejgamberit (savs) është ilaçi që ne po kërkojmë, dhe ky ilaç quhet përkushtim dhe prani në namaz.

Dhe në fund, çka presim, ne që e falim namazin si të jetë namazi ynë i fundit, çka presim nga ky namaz?

Çka dëshirojmë nga Zoti ynë, me namazin tonë të fundit?

Në fakt, çka mund të dëshirojë një njeri i cili do të shkojë në varr pasi ta fal namazin?

Ne nuk besojmë se njeriu i tillë do të jetë i preokupuar me brengat e kësaj bote nga e cila së shpejti do të largohet përgjithmonë, por do të jetë i preokupuar me brengat e shtëpisë së përjetshme të ahiretit në të cilin shkon.

A nuk dëshirojmë që fjalët tona të fundit të jenë la ilahe il-lallah!?

A nuk e dimë se çfarë është shpërblimi i atij që në prag të vdekjes e shqipton shehadetin?

Transmetohet nga Muadh ibn Xhebeli (r.a.) se Pejgamberi (savs) ka thënë: “Ai i cili i ka fjalët e tij të fundit: La ilahe il-lallah, do të hyjë në xhenet.” (Ebu Davudi)

Kurse pas vdekjes vjen varri dhe Dita e gjykimit. A nuk dëshirojmë nga Zoti ynë diçka të veçantë për Ditën e frikës më të madhe?

A nuk dëshirojmë që të ringjallemi të sigurtë dhe të qetë?

A nuk ëndërrojmë për atë që të jemi nën hijen e Arshit të Allahut?

A nuk dëshirojmë që Pejgamberi (savs) të ndërmjetësojë për neve, që të jemi prej atyre që do ta kalojmë urën e Siratit lehtë dhe shpejt, dhe që pa dhënë llogari të hyjmë në xhenet?

Sigurisht se ne i dëshirojmë të gjitha këto.

Prandaj, le t’i kërkojmë nga Zoti ynë, të gjitha ato që i dëshirojmë, gjatë namazit të cilin do ta falim sikur të jetë namazi ynë i fundit dhe të përpiqemi që çdo namaz i yni të jetë i tillë.

Dr. Ragib Serxhani.

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK