Connect with us

Religjion

Mos qaj për shehidët… | Islam Press

Published

on

Shkruar nga: Ed’hem Sherkavi

Imagjino shehidët nga beteja e Uhudit. Imagjino hazreti Hamzën, stomakun e të cilit e prenë dhe e masakruan idhujtarët, duke e lënë të shtrirë në tokë, me pluhurin që i mbulonte fytyrën. Një skenë e dhimbshme, apo jo, nëse e shikon kështu, të shkëputur nga i gjithë tregimi.

Por ti e di që ai është zotëri dhe prijës i shehidëve, dhe nëse do t’i thuhej atë ditë: “A do të doje të ktheheshe në këtë botë?” Pa dyshim, do të përgjigjej: “Çfarë mund të bëjë në këtë botë dikush që ka hyrë përgjithmonë në Xhenet?!”

Imagjino të riun e pashëm nga Kurejshët, Mus’ab bin Umejrin, i cili në kohën e xhahilijetit vishte rroba që laheshin me ujë trëndafili dhe përdorte parfumet më të mira, të sjella nga të gjitha anët. Kur dikush kalonte rrugën ku kishte kaluar ai, thoshte: “Këtu ka kaluar Mus’ab bin Umejri.”

Ja, ky i riu nga Kurejshët, i cili dikur jetonte jetë luksoze, e përfundoi jetën e tij në këtë botë, i shtrirë në tokë nën kodrën e Uhudit, me duart e prera që mbanin flamurin e tevhidit (njëshmërisë së Allahut). Kur i Dërguari i Allahut ﷺ e pa në atë gjendje, qau dhe tha: “E njihja, ishte djali më i butë i fisit Kurejsh.” Atë ditë nuk mund të gjenin qefinë të mjaftueshëm për ta mbuluar dhe mbështjellë trupin e tij.

Nëse do të lexoje vetëm këtë faqe nga jeta e Mus’abit, me siguri do të thoje: “Çfarë fundi i tmerrshëm dhe tragjik!” Por sot, ti e di gjithë tregimin e tij dhe e di që ajo ishte dita më e lumtur për Mus’ab bin Umejrin.

Nëse do të kishe parë momentin kur ndezën zjarrin në llogore dhe mbreti tiran filloi të hidhte besimtarët në të, mbase do të thoje: “Ky është mbreti fitimtar që eliminoi kundërshtarët e tij në një ditë. Çfarë fundi tragjik për këta njerëz të varfër!”

Por tani, ti e di gjithë tregimin. E di dhe beson se një njeri mund të largohet nga kjo botë si fitimtar, edhe nëse vritet, dhe se dikush mund të largohet i humbur, edhe nëse është në gjendje t’i eliminojë kundërshtarët e tij. Ti e di, se besimtarët e hedhur në gropat e zjarrit tani janë në Xhenet, ndërsa tirani që i dogji ata ka përfunduar i poshtëruar, kurse Xhehenemi është vendbanimi i tij i përjetshëm.

Nëse do ta shikoje dhomën e torturave të Faraonit në momentin kur ai sigurohej që vaji ishte mjaftueshëm i nxehtë për të ndarë mishin nga eshtrat, dhe kur filloi të hidhte një nga një fëmijët e rrobaqepëses së vajzës së tij, duke parë eshtrat që ngriheshin në sipërfaqe, ndërsa nëna e tyre shikonte pa thënë asnjë fjalë përveçse përsëriste: “Zoti im dhe Zoti yt është Allahu!”, mbase do të thoje: “Sa mizore është kjo nënë!”

Por pastaj do të shihje që erdhi edhe radha e saj, dhe ajo i kërkoi Faraonit vetëm një gjë: “Mblidhni eshtrat e mi dhe të fëmijëve të mi dhe na varros në një varr.” Nëse nuk do ta kishe njohur tregimin e saj, mbase do të thoje: “Pse ajo nuk e kurseu veten dhe fëmijët e saj?”

Por tani ti e di tregimin e plotë. E di që parukierja e vajzës së Faraonit e poshtëroi krenarinë e tiranit që pretendonte: “Unë jam Zoti juaj më i lartë!” Dhe gjithashtu e di që i Dërguari i Allahut ﷺ gjatë Natës së Miraxhit dhe ngritjes në qiell, ndjeu aromën e saj dhe të fëmijëve të saj në qiell, aromë që ngjante me miskun.

Tani ti gjithashtu e di se disa tiranë dhe vrasës janë mundur nga viktimat e tyre. Sepse qëllimi i vërtetë i fitores nuk është mbijetesa fizike, por qëndrueshmëria në besim dhe në parimet e larta.

Më pas, imagjino që pejgamberi Zekerija (a.s.) u pre me sharrë, ndërsa koka e të birit të tij të nderuar, pejgamberit Jahja (a.s.), iu ofrua si dhuratë martese një prostitute.

Kurse tani, pasi perdet janë ulur dhe turma është shpërndarë, dëgjo këtë që do të të them: Edhe nëse trupat e shehidëve copëtohen, shpirtrat e tyre janë në kraharorët e zogjve të gjelbër, duke fluturuar në Xhenet kudo që dëshirojnë, dhe më pas gjejnë strehë në kandilat e varura nën Arshin e Allahut.

Prandaj, mos qaj për ta, por qaj për veten tënde. Shehidi që ka vdekur në sexhde nuk ka nevojë për asgjë nga bota jote apo e imja.

Përse duhet të kthehej përsëri në këtë botë një grua nga Gaza, e cila vdiq në rrobat e namazit të saj, duke u lutur që trupin e saj të mos e shihnin të zhveshur nën rrënoja?!

Çfarë ka aq të bukur në botën tënde dhe timen që fëmijët e Gazës, të cilët vdiqën si shehidë, ta braktisin shoqërinë e Ibrahimit (a.s.) dhe të Sarës në Xhenet për t’u kthyer në këtë botë?

Prandaj, mos qaj për ta, miku im! Qaj për veten tënde, sepse nëse shehidëve do t’u thuhej të ktheheshin në këtë botë, ata do të donin përsëri të vdisnin si shehidë.

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK