Connect with us

Religjion

Mjerë për ata që mashtrojnë dhe ua marrin të tjerëve të drejtat e tyre

Published

on

Thuhet se një fshatar shkonte çdo javë në qytet për të shitur gjalpin që përgatiste gruaja e tij. Gjalpi ishte në formë topash dhe secili prej tyre peshonte një kilogram. Fshatari ia shiste gjalpin një tregtari dhe pastaj blinte nga ai sheqer, vaj dhe sende të tjera të nevojshme.

Një ditë, tregtarit, derisa po vendoste gjalpin në frigorifer, i shkoi ndër mend ta peshonte një top gjalpi. Kur e peshoi, zbuloi se ai peshonte vetëm 900 gramë. E peshoi edhe gjalpin tjetër dhe doli se të gjithë topat peshonin 900 gramë. Javën tjetër, fshatari erdhi si zakonisht për të shitur gjalpin. Kur e pa, tregtari i bërtiti: “Nuk do të bëj më tregti me ty! Ti je mashtrues! Çdo top gjalpi që më ke shitur peshonte vetëm 900 gramë, ndërsa më ke paguar për një kilogram!”

Fshatari tundte kokën me keqardhje dhe tha: “Mos mendo keq për mua. Ne jemi njerëz të varfër dhe nuk kemi peshore që të masë saktësisht një kilogram. Kur blej nga ti një kilogram sheqer, e vendos atë në njërën anë të peshores dhe në tjetrën vendos gjalpin, derisa pesha të jetë e barabartë.”

Tregtari mbeti i shokuar nga ajo që i tha fshatari, pasi u zbulua se ai vetë u kishte hequr njerëzve 100 gramë sheqer në çdo kilogram që shiste.

Paralajmërimi i Allahut për ata që mashtrojnë

Duke paralajmëruar njerëzit për madhësinë e mëkatit të mashtrimit në peshim dhe matje, Allahu i Plotfuqishëm ka shpallur: “Mjerë për ata që hanë në peshë (dhe matje), – që, kur masin për veten, e marrin masën e plotë, – ndërsa, kur u masin të tjerëve me litëe ose me kandar, ua pakësojnë. – A nuk mendojnë ata se do të ringjallen – në një Ditë të madhe, – Ditën, kur të gjithë njerëzit do të dalin para Zotit të botëve?!” (el-Mutaffifin, 01-06).

Kuptimi i fjalës “mutaffif”

Fjala arabe “mutaffif” si shprehje vjen nga “et-tefif” dhe nënkupton një gjë të vogël dhe të parëndësishme, të cilës njerëzit nuk i kushtojnë rëndësi për shkak të pavlerës së saj, si për shembull, kur një shitës heq pesë gramë nga pesha e një kilogrami. Megjithëse kjo duket e vogël, Allahu i Plotfuqishëm i ka kërcënuar ashpër këta njerëz në Kuran. Ky kërcënim është shprehur me fjalën vejlun që përkthehet si: “Mjerë për ata!” Disa komentues të Kuranit thonë se fjala vejlun është emri i një lugine në Xhehenem, ku derdhen qelbësirat dhe gjaku i banorëve të tij.

Mashtrimi nuk kufizohet vetëm te tregtia

Dijetarët islamë janë të mendimit se ky ajet nuk i referohet vetëm tregtarëve, por ka kuptim më të gjerë dhe përfshin çdo formë mashtrimi;

Mashtrues (mutaffif) që ua heqin njerëzve të drejtat e tyre janë udhëheqësit politikë, të fuqishmit dhe njerëzit me ndikim, të cilët, në vend se të vendosin drejtësi dhe t’i sigurojnë popullit liri dhe mekanizma për t’i realizuar të drejtat e tyre – megjithëse shpallen si besimtarë dhe janë plot fjalë për fenë dhe drejtësinë – përhapin kaos në shoqëri. Ata sillen sikur kanë pushtet jo vetëm mbi ekonominë dhe burimet materiale, por edhe mbi shpirtrat dhe ndjenjat njerëzore, duke i detyruar njerëzit të bëjnë atë që ata dëshirojnë dhe duke ua imponuar konceptin e tyre të padrejtë për ndarjen e të drejtave, të bazuar në nepotizëm, korrupsion dhe mitmarrje. Kjo hap rrugën për të gjitha format e kriminalitetit dhe çon në kaos të përgjithshëm në të gjitha sferat e jetës.

Mashtrues (mutaffif) është edhe mësuesi ose profesori që merr pagën e plotë në fund të muajit, por njëkohësisht neglizhon të drejtat e nxënësve dhe të studentëve. Ai nuk përkushtohet ndaj lëndës që jep, nuk përpiqet të shpjegojë materialin dhe nuk shqetësohet nëse nxënësit dhe studentët e kuptojnë apo jo. Për më tepër, është i padrejtë në vlerësim dhe provim, duke favorizuar ata që nuk studiojnë përmes nepotizmit dhe korrupsionit, ndërsa penalizon ata që studiojnë, që kanë prirje dhe që meritojnë kalimin. Kjo çon në shkatërrimin e sistemit arsimor dhe në formimin e kuadrove të dobëta.

Mashtrues (mutaffif) është edhe mjeku që merr pagën e plotë në institucionet shtetërore, por e bën punën e tij me përtesë dhe gjatë orarit të punës lë pacientët në spitalet shtetërore për të shkuar në klinikën e tij private, ku trajton ata që kanë para të mjaftueshme për të paguar trajtimin e shpejtë dhe cilësor.

Mashtrues (mutaffif) është edhe burri që kërkon nga gruaja e tij t’i japë të gjitha të drejtat e tij, duke e detyruar atë të bëjë të pamundurën për të kënaqur egon e tij, ndërsa vetë e shtyp, e fyen dhe ia mohon të drejtat. E kundërta është gjithashtu e vërtetë, kur gruaja ia mohon burrit të drejtat e tij, ose kur për gabime të vogla harron mirësitë dhe cilësitë pozitive të tij, duke parë vetëm të metat e rralla dhe të vogla.

Mashtrues (mutaffif) është edhe çdo punëtor që nuk e kryen punën e tij me përkushtim dhe përgjegjësi, dhe çdo punëdhënës që kërkon maksimumin nga punëtorët, por nuk ua jep pagën që kanë merituar.

Në të vërtetë, kuptimi i këtij ajeti nga surja el-Mutaffifin është gjithëpërfshirës dhe përfshin edhe aspektet më të vogla të jetës sonë të përditshme.

Përfundim

Duhet të vendosim peshoren e ndërgjegjes tonë besimtare në punën dhe marrëdhëniet tona. Duhet të kujtojmë gjithmonë ringjalljen dhe Ditën e Gjykimit, kur të gjithë do të qëndrojmë para Allahut, pa asnjë ndihmues apo mbrojtës tjetër. Vetëm mendimi për atë ditë duhet të na largojë nga mashtrimi dhe padrejtësia, sado e vogël të jetë ajo, qoftë edhe sa një farë e vogël.

I lutemi Allahut të na ruajë nga çdo vepër e papëlqyer prej Tij dhe të na bëjë të përkushtuar ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij (savs) në çdo aspekt të jetës.

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK