Connect with us

Religjion

Këtu isha për provim | Islam Press

Published

on

“Thuajuni vëllezërve që po më shohin të vdekur dhe që po qajnë nga hidhërimi: A mendoni se unë jam i vdekur? Nuk jam. Unë jam në Berzah, ndërsa ky është trupi im, i cili ishte veshja ime dhe shtëpia ime. Unë isha një zog në kafaz, fluturova dhe tani kafazi mbeti si kujtim. Isha një margaritar në guaskë, isha këtu për provim, kurse tani jam i lirë. Falënderimi i qoftë Allahut që më liroi nga kjo dhe më ndërtoi një shtëpi në një vend të nderuar. Deri sot isha një i vdekur mes jush, ndërsa tani jam i gjallë dhe i kam hequr qefinët. Unë sot po flas me melekët, ndërsa shpirti im po e sheh Zotin. Ju lashë dhe ika, nuk isha i kënaqur që shtëpia juaj të ishte shtëpia ime. Mos mendoni se vdekja është fundi; ajo është një rilindje, një kalim nga kjo jetë në një tjetër.”

Këto fjalë i përfytyroi Ebu Hamid el-Gazali që t’ua thoshte të pranishmëve rreth xhenazes së tij. Çfarë bindjeje, çfarë force besimi dhe çfarë sigurie duhet të ketë pasur ai në zemër për të folur kështu për vdekjen e tij! Kur lexohen këto fjalë, nuk ndien frikë nga kalimi nga shtëpia kalimtare në shtëpinë e përjetshme, nuk ndien frikë nga vdekja, sepse ajo në të vërtetë nuk është fundi, por është ngjitje nga toka drejt yjeve, është rilindje dhe, është kalim nga një jetë në tjetrën.

Pejgamberi (savs) ka thënë se ajo është kalim nga gjumi në realitet.

Në mënyrë që të mund të flasim kështu edhe ne para të pranishmëve rreth xhenazes sonë, duhet ta kemi parasysh një fjali të cilën e thotë Gazaliu: “Këtu isha për provim dhe tani jam i lirë.” Të gjithë ne jemi këtu për provim. Të gjitha mësimet tona dhe njohuritë tona janë përgatitje për jetën, kurse e gjithë jeta jonë është përgatitje për provim. Sa kohë na ka mbetur për këtë përgatitje? Koha fluturon. Disa ditë më parë e përcollëm një vit dhe hymë në një tjetër. Çdo ditë po përcjellim vëllezër e motra që e kanë shpenzuar kohën e tyre të përgatitjes. Kjo na kujton dhe na nxit që të përgatitemi seriozisht për takimin me melekët që do të na pyesin.

“Unë sot po flas me melekët,  ndërsa shpirti im po e sheh Zotin”, u thotë Gazaliu të pranishmëve. Ne do të ishim të lumtur pafund nëse mund ta themi të njëjtën fjali në xhenazen tonë, por për ta arritur këtë nder, duhet të japim përgjigjen e saktë ndaj pyetjes: “Kush është Zoti yt?” Zoti im është Ai që më krijoi, Ai që më dha formën më të bukur, Ai që më mbuloi me begati të panumërta, Ai që më krijoi për t’iu nënshtruar Atij. Ai është, Ai që e kthen natën në ditë dhe ditën në natë, Ai që sjell shiun nga qielli, Ai që bën të mbijë fara dhe që di gjithçka, deri edhe kur një fletë bie nga dega. Zoti im është, Ai që sheh gjithçka, që dëgjon gjithçka, që krijon gjithçka dhe që kontrollon gjithçka. Unë Atij iu nënshtrova, dhe tani mund të them: “Unë sot po flas me melekët, ndërsa shpirti im po e sheh Zotin.”

“Unë sot flas me melekët,  ndërsa shpirti im e sheh Zotin”, u thotë Gazaliu të pranishmëve. Ne do të ishim të lumtur pafund nëse mund të themi të njëjtën fjali në xhenazen tonë, por për ta arritur këtë nder, duhet të japim përgjigjen e saktë ndaj pyetjes: “Kush është Pejgamberi yt?” Pejgamberi im është ai që erdhi si mëshirë për botët, ai që u dërgua për ta përsosur moralin e njerëzve, ai që u edukua nga Zoti dhe kishte edukimin më të mirë. Pejgamberi im është, ai që njerëzimit ia tregoi rrugën e drejtë, ai që i mbrojti të dobëtit dhe të paaftët, ai që veproi gjithmonë me drejtësi, ai që më mësoi se, nëse dëshiroj të flas me melekët, ndërsa shpirti im ta sheh Zotin, duhet ta dëshmoj besimin përmes sjelljes. Ai ishte shembulli im, andaj edhe unë u bëra shembull për të tjerët, andaj juve që jeni mbledhur rreth xhenazes sime, po ju them se Unë sot po flas me melekët, ndërsa shpirti im po e sheh Zotin.

“Unë sot po flas me melekët, ndërsa shpirti im po e sheh Zotin”, thotë Gazaliu për të pranishmit. Ne do të ishim të lumtur pafund nëse mund të themi të njëjtën fjali në xhenazen tonë, por për ta arritur këtë nder, duhet të japim përgjigjen e saktë ndaj pyetjes: “Çfarë është dhe ku është Kibla jote?” Unë e di ku është Kibla; ajo është ndërtesa që Pejgamberi (a.s.) me shokët e tij e pastroi nga mosbesimi, rreth së cilës bëhet tavaf dhe drejt së cilës na urdhëroi i Lartësuari t’i drejtojmë fytyrat tona. Çdo ditë unë kthehesha atje pesë herë. Ngrihesha nga shtrati dhe menjëherë kthehesha drejt Kiblës, në drekë kthehesha atje, në ikindi, në aksham dhe në jaci; xhumatë dhe bajramet më drejtonin atje. Në atë rrugë që përcakton Kibla, e cila quhet sirati mustakim, ecja ime ishte e vendosur. Kibla nuk më lejoi kurrë që të humbas, që ta harroj veten, nuk më lejoi që të harroj se unë jam këtu për provim, prandaj, tani juve që jeni mbledhur rreth xhenazes sime ju them, “Unë sot po flas me melekët, ndërsa shpirti im po e sheh Zotin.”

“Unë sot po flas me melekët, ndërsa shpirti im po e sheh Zotin” thotë Gazaliu për të pranishmit. Ne do të ishim të lumtur pafund nëse mund të themi të njëjtën fjali në xhenazen tonë, por për ta arritur këtë nder, duhet të japim përgjigjen e saktë ndaj pyetjes: “Cila është feja jote?” Feja ime është Islami. Islami është e vetmja rrugë që çon në këtë nder. Kushdo që merr rrugë tjetër nuk do të flasë me melekët, as shpirti i tij nuk do ta shehë Zotin. Feja ime është ajo në të cilën është lindur natyra njerëzore, dhe unë i jam përkushtuar plotësisht asaj. Nga burimet e besimit kam kuptuar se Islami është gjithë jeta ime, dhe derisa isha këtu me ju, me ju që tani po qëndroni rreth xhenazes sime, u përpoqa të isha musliman, luftova për ta fituar kënaqësinë e Allahut, dhe ja tani ju them, “Unë sot po flas me melekët, ndërsa shpirti im po e sheh Zotin.”

“Unë sot po flas me melekët, ndërsa shpirti im po e sheh Zotin” thotë Gazaliu për të pranishmit. Ne do të ishim të lumtur pafund nëse mund të themi të njëjtën fjali në xhenazen tonë, por për ta arritur këtë nder, duhet të japim përgjigjen e saktë ndaj pyetjes: “Kush është prijësi yt?” Prijësi im ka qenë Kurani, ai është Libri që udhëheq në rrugën e vetme të drejtë; ai është Libri që është shpjegim për çdo gjë; ai është Libri që është këshillë, që është dritë, që është udhërrëfyes, që është paralajmërim; ai është Libri në të cilin nuk ka dyshim. Unë u përpoqa me të gjithë qenien time, dhe kisha detyrë që të jetoja sipas asaj që më urdhëronte ai, dhe ja ku jam tani, nga tabuti juve të pranishëmve që doni të më çoni në varr, ju them, “Unë sot po flas me melekët, ndërsa shpirti im po e sheh Zotin.”

Edhe për umetin të cilit i përket, do të pyetesh. Do të duhet të përgjigjesh edhe për të! Nëse dëshiron të kesh sukses, duhet të përgjigjesh saktë. O melekë, që po më pyesni tani, umeti im ishte ai grup, të cilin Allahu e ka quajtur umeti më i mirë. Ai umet urdhëron të mirën, vepron të mirën dhe e promovon të mirën, kurse është larg të keqes, e parandalon të keqen dhe lufton kundër të keqes. Vëllezërit e mi ishin ata me të cilët rreshtohesha në safat e xhematit, me të cilët vëllezërit dhe motrat i përcillja deri në varr. “Deri sot isha një i vdekur mes jush, ndërsa tani jam i gjallë.”

Të kanë bartur ty, po kthehesh në burimin tënd, në tokë, po kthehesh te Zoti yt.

Më në fund u zgjove nga gjumi, tani je në realitet dhe tani vërtetë sheh se pyetjet nuk do të të anashkalojnë. Është vonë, është shumë vonë që të kuptoshë tani, se ke qenë këtu për provim.

O Allahu i Lartësuar, na ndihmo të përgatitmi për provim. Amin.

________________________

Autor: Izet-ef. Čamdžić

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)