Religjion
Fitorja e besimtarëve është ligj hyjnor dhe i pandryshueshëm
Sejjid Kutub
Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: “Shumë kohë më parë Ne u premtuam robëve Tanë të dërguar – se ata do të ndihmohen (prej Nesh) – dhe se ushtritë Tona do të jenë me siguri fitimtare!” (es-Sâffât, 171-173)
Ky premtim është një nga ligjet universale dhe të pandryshueshme të Allahut, ashtu sikur që planetët dhe yjet ndjekin ciklet e tyre të rregullta dhe lëvizin nëpër orbita të përcaktuara, sikur që nata dhe dita ndërrohen në Tokë, dhe sikur që jeta lind nga toka e vdekur pasi bie mbi të shiu i begatë. Por kjo varet nga përcaktimi i Allahut, i Cili sjell fitoren kur Ai dëshiron.
Ndonjëherë, efektet dhe shenjat e saj të dukshme mund të jenë “të ngadalta” në krahasim me jetëgjatësinë e kufizuar të njerëzve, por fitorja nuk do të mungojë kurrë dhe nuk do të mbetet e paarritur. Ajo mund të vijë në forma që njerëzit nuk i kuptojnë, pasi ata shpesh kërkojnë format dhe mënyrat e zakonshme të fitores dhe triumfit. Vetëm pas një kohe ata e kuptojnë realizimin e këtij ligji hyjnor në një formë të re.
Njerëzit mund të dëshirojnë një formë të caktuar të fitores për ushtrinë e Allahut dhe të ndjekësit të të dërguarve të Tij, ndërsa Allahu dëshiron një formë tjetër, më të plotë dhe më të qëndrueshme të fitores. Dhe ndodhë ajo që dëshiron Allahu, edhe nëse kjo kërkon më shumë përpjekje dhe mund nga luftëtarët në rrugën e Tij, dhe, edhe nëse zgjat më shumë nga sa ata e kanë pritur.
Para Betejës së Bedrit, muslimanët dëshironin të kapnin një karvan tregtar të kurejshitëve, ndërsa Allahu dëshironte që ata të mos përballeshin me këtë grup “të lehtë”, por të përballeshin dhe të luftonin me një grup më të madh, më të armatosur dhe më të fortë. Ajo që Allahu dëshironte ishte më e mirë për ta dhe për Islamin. Kjo ishte fitorja që Allahu kishte planifikuar për të Dërguarin e Tij (savs), ushtrinë e tij dhe thirrjen e tij pejgamberike.
Luftëtarët në rrugën e Allahut mund të pësojnë humbje në një betejë dhe mund të përballen me sprova dhe humbje të mëdha, sepse Allahu po i përgatit ata për fitore në betejë më të madhe. Allahu i përgatit rrethanat përreth tyre që fitorja e asaj dite të japë fryte në një fushë më të gjerë, të sjellë rezultate më të mëdha dhe të lërë gjurmë më të thella.
Fjala e Allahut është thënë prej kohësh, vullneti i Tij ndjek premtimin e Tij, dhe ligji i Tij (sunnetullah) nuk do të dështojë as nuk do të ndryshojë.
Përstati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)