Connect with us

Religjion

“Sa kohë e bukur për ata që nuk kanë turp”

Publikuar

më

Në të vërtetë, ne po jetojmë në një kohë që është ideale për ata që e kanë lënë fenë, e kanë ‎harruar Allahun, të cilët e kanë humbur turpin dhe i kanë braktisur vlerat më të bukura ‎morale.‎

Çdo gjë që dikur ishte e keqe dhe e gabuar, sot është bërë normale, madje e dëshirueshme. ‎Të gjitha ato që dikur pleqtë tanë të nderuar i konsideronin të bukura dhe të lavdërueshme, ‎sot konsiderohet e prapambetur dhe e gabuar.‎

Gruaja është shtyllë e shoqërisë. Ajo në krahët e saj i rrit dhe edukon brezat. Ajo drejton, ajo ‎është pedagoge dhe psikologe. Ajo është mësuese dhe mualime.‎

Gratë janë ato që i kanë edukuar dijetarët më të mëdhenj, komandantët ushtarak më të ‎mëdhenj, hafizat dhe rojet e Kuranit të shenjtë. Gratë i kanë edukuar dhe në krahët e tyre i ‎kanë mbajtur pejgamberët, sahabët, tabiinët, gratë dhe burrat më të mirë të umetit.‎

Një grua e ndershme mund të jetë arsyeja që disa breza të ardhshëm të ngrihen në baza të ‎forta dhe të qëndrueshme.‎

Ajo për nga obligimet është sikurse mashkulli, e disa prej tyre sot janë edhe më shumë. Ajo ‎është dritë për fëmijët e saj dhe udhëzuese e jetës.‎

Gruaja është ajo për të cilën duhet të investohet, e cila duhet të mësohet dhe edukohet, për ‎edukimin e së cilës duhen bërë përpjekje të posaçme, sepse secila prej tyre është themeli i ‎familjes.‎

Ata që dëshirojnë ta prishin shoqërinë tonë, pikërisht kanë filluar nga gruaja, sepse e kanë ‎kuptuar se kjo është mënyra më e lehtë dhe më e thjeshtë.‎

Fatkeqësisht, gjendja në rrugët tona tregon se ata në masë të madhe për këtë ia kanë arritur ‎qëllimit. Diskotekat të mbushura me vajza të reja muslimane, kafenetë gjithashtu përplot, ‎lakuriqësia dhe shthurja në rrugë janë tregues se diku ka dështuar edukimi i brezave të rinj.‎

Asgjë për gruan nuk vlen më shumë se morali i bukur. Asgjë nuk e zbukuron dhe nuk e ‎thekson bukurinë e saj sikur morali, sidomos sot. Morali është stolia e saj më e shtrenjtë dhe ‎thesari më i madh.‎

Ajo muslimane e cila stoliset me këtë cilësi dhe i bindet Zotit të saj, ajo do të shpëtojë.‎

Me të vërtetë, gratë e tilla sot janë të veçanta. Ato janë të shquara dhe shkëlqejnë, shndrisin si ‎yjet në detin e grave të tjera. A nuk ka qenë gjithmonë mirë të jesh në mesin e të veçantave ‎dhe të zgjedhurave?!‎

Që nga fillimi, që nga lindja e Islamit dhe nga ditët e para, gratë kanë rol të veçantë dhe të ‎madh në ndihmën e kësaj feje. Hatixhja (r.a.), ishte e para që e pranoi Islamin pas ‎Pejgamberit (savs). Ajo ishte mbështetja dhe përkrahja e tij më e madhe. Ajo e mbrojti dhe e ‎ndihmoi atë në rrugën e së Vërtetës. Ajo i ndërtoi themelet e saj shumë kohë më parë, kurse ‎edhe ne sot kemi dobi nga ato themele.‎

Ajo së pari ishte bashkëshorte, pastaj nënë, më pas ishte thirrëse, e dobishme dhe e ‎suksesshme për shoqërinë në punën dhe biznesin e saj. Është mendim i gabuar se për ‎gruan është poshtërim nëse qëndron në shtëpi dhe i rritë e edukon fëmijët. Është gabim ‎pikërisht për shkak se gratë me edukimin e bukur të brezave të ardhshëm, me vendosjen e ‎themeleve të forta i kontribuojnë familjes, e me këtë edhe gjithë shoqërisë.‎

Pavarësisht nga fakti se ajo ka qenë e fshehur nga shikimi i të tjerëve, se nuk ka qenë e ‎zhurmshme dhe me zë të lartë për ta tërhequr vëmendjen, se nuk e ka zbuluar trupin e saj, ‎ajo ka lënë gjurmë të mëdha dhe kujtime të bukura për veten e saj tek shumë breza edhe ‎‎1400 vjet më vonë.‎

A dëshironi të mbaheni në mend, si të veçanta, të dashura, të zgjedhura, nisuni rrugës kah e ‎mira.

A dëshironi që të jeni të dobishme për familjen tuaj, për fenë tuaj, për shoqërinë tuaj, për ‎prindërit tuaj, për bashkëshortin tuaj, zbukurohuni me tipare të bukura, parfumoni trupin tuaj ‎me turp, vendosni stolinë e moralit, vishni rrobat e devotshmërisë dhe pritni të mira edhe në ‎këtë botë dhe në botën tjetër.‎

Jeta është e përkohshme. As ju nuk do të jeni këtu përgjithmonë, as nuk do të ju pyesin se ‎kur po doni të largoheni nga dynjaja. Koha kalon dhe nuk ju pret juve. Hipni në anijen e ‎shpëtimit me krenari, me buzëqeshje në buzë, duke pritur shpërblime nga Zoti i botëve.‎

Allahu i Plotfuqishëm thotë:‎

‎–‎ O ti Pejgamber, thuaju grave tua, bijave tua dhe grave të besimtarëve le të vënë ‎shamitë (mbulojë) e veta mbi trupin e tyre, pse kjo është më afër që ato të njihen ‎‎(se nuk janë rrugaçe) e të mos ngacmohen. Allahu fal gabimet e kaluara, Ai është ‎mëshirues. (el-Ahzab, 59);‎

‎–‎ Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, të ruajnë pjesët e turpshme të ‎trupit të tyre, të mos zbulojnë stolitë e tyre përveç atyre që janë të dukshme, le të ‎vejnë shamitë mbi kraharorin e tyre dhe të mos ua tregojnë bukuritë e tyre askujt ‎përveç burrave të vet, baballarëve të vet ose vjehërrve të vet, djemve të vet ose ‎djemve të burrave të vet, vëllezërve të vet ose djemve të vëllezërve të vet, apo ‎djemve të motrave të veta, ose grave të tyre (që u përmenden) dhe robëreshave, të ‎cilat i kanë në pronësinë e tyre, ose shërbëtorëve nga meshkujt të cilët nuk ‎ndiejnë nevojë për femrat ose fëmijët që nuk i dinë ngacmimet e femrave. Le të ‎mos kërcasin me këmbët e tyre që të hetohen stolitë e tyre të fshehta. Pendohuni ‎të gjithë te Allahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim. (en-Nur, 31)‎

‎–‎ Dhe Allahu ua dhuroi atyre shpërblimin e kësaj bote dhe shpërblimin edhe më të ‎madh në jetën tjetër. Se, Allahu i don bamirësit. (Alu Imran, 148);‎

‎–‎ Me të vërtetë, Allahu është me ata, që i druajnë Allahut dhe që janë bamirës. (en-Nahl, ‎‎128);‎

‎–‎ Vallë, për veprën e mirë, a ka tjetër shpërblim pos të mirë?! (err-Rrahman, 60)‎

Amila Zhuzhiq; http://minber.ba//; ‎

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK