Connect with us

Lajme

Kurti fton Bosnjën të ratifikojë marrëveshjen për lëvizje të lirë, Kosova mundëson hyrjen pa viza për qytetarët e Bosnjës

Publikuar

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Bosnja e Hercegovina që të ndjekin shembullin e Kosovës për respektimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë në kuadër të Procesit të Berlinit.

Kurti ka njoftuar se Kosova do ta zbatojë njëanshëm këtë marrëveshje, duke mundësuar që qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës të udhëtojnë në Kosovë pa viza, duke hyrë vetëm me kartela identiteti, nga 1 janari 2025.

Ai tha se ky hap do të forcojë marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve dhe ka kërkuar që Bosnja e Hercegovina të ndërmarrë hapa të shpejtë për ratifikimin e marrëveshjes, duke mundësuar kështu përfitime reciproke për qytetarët e dy vendeve.

“Qeveria dje ka vendosur që në mënyrë të njëanshme të zbatohet Marrëveshja e Procesit të Berlinit për Lirinë e Lëvizjes me letërnjoftime, nga 1 janari 2025, e cila do të mundësojë udhëtimin pa viza në Kosovë për qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës. Ne besojmë se kjo do të forcojë marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Siç e përmenda në Sarajevë javën e kaluar, miqësia jonë është penguar prej kohësh nga kufizimet në lirinë e lëvizjes. Ne i bëjmë thirrje Bosnjës dhe Hercegovinës që të lëvizë me shpejtësi me ratifikimin e Marrëveshjes nga ana e tyre, duke siguruar përfitime reciproke për të dy qytetarët tanë”, shkroi ai në “X”.