Lajme
Kasami: Po punojmë intenzivisht, të gjitha rrugët në Tetovë janë të kalueshme

Kompania e kontraktuar për pastrimin dhe mirëmbajtjen dimërore të rrugëve po punon intensivisht për të siguruar kalueshmërinë e rrugëve pas reshjeve të borës në Tetovë dhe rrethinë njoftoi sot kreu i Tetovës Bilall Kasami.
“Të gjitha rrugët në qytet dhe në fshatrat e malësisë së Tetovës janë të kalueshme, dhe komunikacioni po zhvillohet pa pengesa” tha kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, ndërsa apelon për kujdes nga qytetarët dhe thekson rëndësinë e parkimit të duhur të automjeteve për të shmangur pengesat gjatë punës dimërore.
“Kompania e kontraktuar për pastrimin dhe mirëmbajtjen dimërore të rrugëve gjatë gjithë kohes është në terren dhe po punon intensivisht si rezultat i reshjeve të borës. Të gjitha rrugët në qytet dhe në fshatrat e malësisë së Tetovës janë të kalueshme dhe komunikacioni po zhvillohet normalisht. Apelojmë te qytetarët që të vozisin me kujdes dhe të mbajnë pajisjet dimërore me vete për të mos krijuar kaos në komunikacion. Ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të mos i parkojnë veturat në rrugë dhe në vende jo adekuate për shkak se pengojnë procesin e punës!”, tha Kasami.















