Lajme
Drejtoresha e spitalit gjinekologjik “ Nënë Tereza” demanton lajmet se instalimi i ri i kamerave do bëjë edhe audio inçizim

Institucioni publik shëndetësor – Spitali i posaçëm për gjinekologji dhe akusheri „Nënë Tereza“ – Çair demanton lajmin e TV21 lidhur me instalimin e kamerave në kuadër të spitalit, ku shtrohet dilema nëse të njëjtat do të instalohen në sallat operative, hapësirat private, nëse do të bëjnë audio incizim dhe siç e quan TV21 “Big Brother” në spitalin gjinekologjik të Çairit.
Poashtu, demantojmë që Spitali i posaçëm për gjinekologji dhe akusheri „Nënë Tereza“ nuk ka dhënë përgjigje në pyetje rreth instalimit të kamerave për 2 ditë me radhë. Përgjigja i është dhënë TV21 brenda ditës së njëjtë, me datë 25 dhjetor, në formë të shkruar nga shërbimet e spitalit. Në përgjigjen e njëjtë, me shkrim, të cilën TV21 nuk e publikoi në tërësi, potencohet që kamerat janë tanimë shumë vite të instaluara dhe të njëjtat përdoren.
Ajo që tani spitali „Nënë Tereza” po bën është, në komunikim me Agjencinë për mbrojtjen e të dhënave personale po e rregullon përdorimin e të njëjtave me elaborat, për çka kemi dërguar kërkesë. Ky ka qenë obligim që në fillim kur janë instaluar kamerat vite më parë, por e njëjta nuk është bërë dhe për këtë ju udhëzoj të drejtoheni te udhëheqësia paraprake.
Poashtu, në ndërkohë paralelisht po shtojmë numri i kamerave në hapësirat e lejuara, në funksion të rritjes së nivelit të sigurisë së pacientëve dhe stafit të spitalit dhe të njëjtat nuk do të përdoren për audio incizim.
Rikujtojmë redaksinë e TV21 që të mos cënojë privatësinë e pacientëve siç ishte rasti me datë 25 dhjetor ku ekipi i TV21 ka tentuar të hyjë në sallë operative për të marrë kuadro, sepse e njëjta paraqet shkelje ligjore, cenim të privatësisë së pacientëve dhe pengim në kryerjen e punëve të ekipeve mjekësore.
Nga drejtoria hedhin dyshimin se ky sulm ndaj reputacionit të spitalit për gjinekologji dhe akusheri „Nënë Tereza“ me informata të pasakta apo gjysmë të sakta, mund të lidhet me interesa personale të disa të punësuarve që kanë lidhje familjare me strukturën udhëheqëse të TV21.

















