Lajme
Azemi i LDK’së: Liburn Aliu po manipulon me projekte, po bën propagandë


Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, ka thënë se ministri i Infrastrukturës, Mjedisit dhe Planifikimi Hapësinor, Liburn Aliu, po bënë manipulime me projektet e huaja.
Në një postim në Facebook, ai ka thënë se kjo është një propagandë e zakonshme e kësaj qeverie.
“Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, po shfaqet në terren për të bërë fushatë politike me një projekt që as nuk e ka iniciuar dhe as nuk është financuar nga qeverisja e partisë në pushtet. Rehabilitimi i hekurudhave në Kosovë është projekt i financuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Banka Evropiane për Investime, ndërsa pjesa e qeverisë është vetëm ekzekutimi i obligimeve kontraktuale të nënshkruara më herët”.
“Pra, projekti është nisur dhe siguruar nga qeveritë e mëparshme, kurse financimi vjen nga institucionet ndërkombëtare, jo nga buxheti shtetëror. Kjo është propaganda e radhës e qeverisë për të maskuar mungesën e rezultateve konkrete në katër vite të qeverisjes së tyre”.
“Kosova nuk ka nevojë për ministra që bëjnë propagandë me projekte të gatshme, por për vizion dhe angazhim të vërtetë për të zgjidhur problemet infrastrukturore. Liburn Aliu duhet t’i tregojë qytetarëve se çfarë ka bërë realisht për të përmirësuar transportin publik dhe rrjetin rrugor, përveç përvetësimit të punës së të tjerëve!”, ka thënë Azemi




















