Lajme
Adnan Azizi: Teatri i BDI-së para Gjykatës Kushtetuese, skenar i sajuar nga padronët e Aliut, Gruevski dhe Radojçiq
Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, ka reaguar ashpër pas zhvillimeve të fundit lidhur me veprimet e BDI-së për të protestuar para Gjykatës Kushtetuese në prag të vendimit që kjo e fundit duhet të merr në lidhje me ligjin e gjuhëve.
Azizi ka theksuar se këto veprime janë një pjesë e një skenari të sajuar nga padronët e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, duke i përmendur emrat e Nikolla Gruevskit dhe Milan Radojçiqit si të përfshirë në këtë proces.
“Teatri që po luan BDI-ja para Gjykatës Kushtetuese është një tjetër skenar i sajuar nga padronët e Aliut, Nikolla Gruevski dhe Milan Radojçiq. Ju kujtohet para 8 vitesh, kur Nikolla Gruevski në emër të protestave para KSHZ-së dëshironte të mbroj krimin e tij. E njejta situatë me strukturat paralele serbe, ku kinse në emër të komunitetit serb në Kosovë bënin roje tek Ura e Ibrit, me anë të së cilës dëshironin të mbronin kriminelin Milan Radojçiq. Epo, e njejta situatë po ndodh me ju. Në emër të gjuhës shqipe dëshironi të mbroni korrupsionin dhe Soravinë.
Por kjo lojë u është djegur! Shqiptarët nuk mashtrohen më me këto truke të lodhura. Loja e BDI-së është djegur dhe shqiptarët e kanë vendosur të ecin përpara. Shqipja po fluturon lart, ndërsa klika e BDI-së do të përballet me përgjegjësinë e saj. Edhe pak ju ka ngelur…”, ka shkurar Azizi.