Bota
Të përqafuar nën rrënoja: Historia e dhimbshme e çiftit që u gjetën të vdekur pas përmbytjeve shkatërruese në BeH
Në vazhdën e përmbytjeve shkatërruese që goditën së fundmi Bosnjën dhe Hercegovinën, një rrëfim për çiftin e martuar Irmela dhe Jasmin Çiliq ka tronditur vendin dhe jo vetëm.
Bëhet fjalë për çiftin, i cili vdiq tragjikisht kur shtëpia e tyre u shkatërrua nga një përmbytje masive.
Dhe ata, sipas raportimeve të mediave në Bosnjë, ekipet e shpëtimit i gjetën të përqafuar nën rrënoja.
Irmela dhe Jasmin, banorë të Jabllanicës – komunë që ishte më e prekur nga vërshimet – nuk kanë arritur të shpëtojnë nga ujërat e dhunshme që kanë përfshirë atë natë gjithë vendbanimin.
Kur ekipet e shpëtimit arritën në rrënojat, para tyre u shfaq një skenë që tronditi thellë të gjithë të pranishmit – trupat e Irmela dhe Jasmin u gjetën të përqafuar, duke dëshmuar për një dashuri të palëkundur që zgjati deri në frymën e tyre të fundit.
Komuniteti ku ata jetonin është i pikëlluar për t’i dhënë lamtumirën këtij çifti, të cilët të gjithë i cilësuan si njerëz shembullorë dhe të kujdesshëm.
“Është e vështirë të përshkruash trishtimin që ndjejmë. Irmela dhe Jasmin ishin të pandarë, dashuria e tyre ishte e njohur për të gjithë dhe ndoshta i vetmi ngushëllim në këto momente është se ata ishin bashkë deri në fund”, ka thënë shoqja e tyre e ngushtë, e prekur thellë nga humbja tragjike.
Ndryshe, mbi dhjetë persona thuhet se humbën jetën në përmbytjet katastrofike që goditën Bosnjën dhe Hercegovinën.
Dyshohet se numri i të vdekurve mund të jetë dukshëm më i lartë, pasi qindra persona konsiderohen të zhdukur.
Një numër i madh shtëpish u shkatërruan, u shembën rrugë, ura, madje edhe një linjë hekurudhore.
Ndërkohë po kërkohet strehim për një numër të madh personash që kanë mbetur të pastrehë.