Connect with us

Religjion

Sadakaja: Dhënie e sinqertë apo nevojë për njohje?

Publikuar

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Ndërsa bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin (a.s.) për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.

Vëllezër besimtarë!

Në hutben e sotme, me lejen e Allahut, do të flasim në temën: „Sadakaja: Dhënie e sinqertë apo nevojë për njohje?“

Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Një njeri që pastrohet në ditën e xhuma, e pastron veten e tij me sa të mundet, i lyen flokët me vaj ose parfumohet nga parfumet e shtëpisë së tij, shkon në xhami dhe nuk shkakton ndarje mes dy vetave (që janë ulur), falet ashtu siç e ka urdhëruar Allahu dhe pastaj dëgjon me vëmendje atë që thotë imami, do t’i falen të gjitha mëkatet nga e xhumaja deri në xhumanë tjetër, përveç nëse bën ndonjë nga mëkatet e mëdha.”

Të nderuar vëllezër!

A nuk ka thënë Pejgamberi ynë (savs): “Kur jep sadaka, le të mos dijë dora e majtë se çfarë jep dora e djathtë.” Ky hadith është i mishëruar në një institucion të quajtur „Guri i sadakasë“ (tur. Sadaka tash).

A e dini ju se çfarë është „Guri i sadakasë“ (Sadaka tash)?

Ata që kanë udhëtuar në Turqi, nëse kanë vizituar ndonjë nga xhamitë, me siguri, afër tyre kanë mundur të shohin një bllok guri me një hapësirë ​​të gdhendur në të. Ai bllok guri quhet „Guri i sadakasë“ (Sadaka tash).

Në vazhdim të hutbes, le të dëgjojmë se për çfarë kanë shërbyer këta gurë, kurse pasi të dëgjojmë, le të përpiqemi që urtësinë dhe udhëzimin e tyre ta zbatojmë në jetën tonë.

Në fakt, në Perandorinë Osmane, Guri i sadakasë paraqiste shembullin më të mirë të kujdesit social për njerëzit në lagjet e varfra. Këta blloka guri bëheshin aktivë veçanërisht në mbrëmje. Kur nata binte mbi lagjen osmane, atëherë gjallëroheshin gurët a sadakasë. Njerëzit që lënin të holla në gurin e sadakasë ishin po aq dinjitoz dhe të nderuar sa ata që i merrnin, sepse të dy e futnin dorën në të njëjtën hapësirë ​​të gdhendur. Pra, askush nuk e dinte nëse dikush lente (jepte) apo merrte të holla aty në hapësirën e gdhendur të gurit. Njeriu që kishte nevojë, ai do të merrte prej tij vetëm aq sa i duhej me të vërtetë, gjithmonë duke menduar edhe për të tjerët që mund të vinin pas tij. Madje, një udhëpërshkrues francez i shekullit të 17-të, i befasuar nga qytetërimi që hasi, i cili e pa gurin e sadakasë, ka theksuar se të hollat mund të mbeteshin të paprekura edhe për një javë të tërë.

Njerëzit e asaj kohe, si ata që jepnin ashtu edhe ata që merrnin nga guri i sadakasë ishin të matur, modestë, solidarë dhe kishin besim të plotë në komunitet. Ata e dinin se askush nuk do të merrte nëse nuk do t’i nevojitej, dhe askush nuk do të merrte më shumë sesa që i nevojitej!

Kurse sot?

Sot, për fat të keq, ajo modesti dhe maturi po humbet gjithnjë e më shumë. Sot, ne po jetojmë në një kohë, ku jemi bërë të fiksuar që të shihen veprimet tona, duke e harruar edhe kënaqësinë e Allahut edhe nderin e atij të cilit i japim. Gjithçka që ka rëndësi jemi ne dhe egoja jonë. Sot, dhurimi ynë shpesh duhet të jetë publik, duhet shpallur në të gjitha kambanat, duhet treguar përmes postimeve në rrjetet sociale… Njerëzit gjithnjë e më shumë po ndiejnë nevojën për t’u mburrur, për të ndarë një foto ose një status për atë që kanë dhënë ose kujt i kanë dhënë.

Kurse pyetja që shtrohet këtu është: Pse e bëjmë këtë? A duam ta kënaqim Allahun, egon tonë, apo kërkojmë njohje nga njerëzit?

Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لَا تُبْطِلُوا صَدَقَاتِكُم بِالْمَنِّ وَالْأَذَىٰ كَالَّذِي يُنفِقُ مَالَهُ رِئَاءَ النَّاسِ وَلَا يُؤْمِنُ بِاللَّهِ وَالْيَوْمِ الْآخِرِ

„O besimtarë! Mos i çoni dëm lëmoshat tuaja duke ua kujtuar ato (atyre që ua keni dhënë) dhe duke fyer, siç vepron ai që e shpenzon pasurinë e vet për sy e faqe të botës dhe nuk beson në Allahun dhe Ditën e Fundit…“ (el-Bekare, 264)

Ky ajet na kujton rrezikun e dhënies për hir të mburrjes.

Të dashur vëllezër!

Le ta kujtojmë një gjë; nëse bamirësia jonë nuk është për hir të Allahut, por për hir të pëlqimeve, njohjes dhe falënderimit, atëherë ajo e humb krejt vlerën e saj.

A është vërtet kaq e rëndësishme për ne, që “dora jonë e majtë të dijë se çfarë jep dora e djathtë”? A është vërtet e rëndësishme për ne, që dikush të na promovojë dhe të na thotë faleminderit për të mirat që atij ia kemi bërë? A është vërtet më i rëndësishëm për ne, shpërblimi i kësaj bote sesa shpërblimi i botës tjetër? Nëse është kështu, atëherë vërtet është koha që ne si shoqëri t’i rishqyrtojmë qëllimet tona, raportet tona ndaj Allahut dhe Islamit, përndryshe sadakaja jonë, veprat tona të mira, nuk do të kenë asnjë peshë në Ditën e Gjykimit.

Allahu i Plotfuqishëm, për ata që japin duke mos e ditur dora e majtë se çfarë jep dora e djathtë thotë: „Ata që japin nga pasuria e tyre natën dhe ditën, fshehurazi dhe haptazi, do të kenë shpërblim te Zoti i tyre; ata nuk do të kenë pse të frikësohen apo pikëllohen.“ (el-Bekare, 274)

Ndërsa Pejgamberi (a.s.), për ata që japin për të bërë vetëpromovim, për t’u lavdëruar nga njerëzit, për t’i realizuar interesat e tyre, thotë: “Në Ditën e Gjykimit, personi i parë që do të hidhet në zjarr do të jetë njeriu që ka dhënë sadaka në mënyrë që ta lavdërojnë njerëzit. Ai u urdhërua të hidhej në zjarr sepse nuk ka dhënë për hir të Allahut, por për njohjen e njerëzve.”

Vëllezër besimtarë!

Le ta imagjinojmë momentin kur do të dalim para Allahut në Ditën e Gjykimit, pastaj ta pyesim veten: Cilat do t’i paraqesim si vepra tona të mira? Fotot në Instagram dhe Facebook apo veprat që i ka parë vetëm Allahu? Cilat, atëherë do të jenë më të dobishme për ne?

Vëllezër të dashur!

Në një botë plot ndarje dhe shfaqje, është e rëndësishme t’ju rikthehemi vlerave bazë të dhënies, që janë: diskrecioni, modestia, solidariteti dhe besimi në komunitet.

Jepni aq sa mundeni dhe merrni vetëm aq sa keni nevojë; duke menduar gjithmonë edhe për të tjerët, dhe të gjitha do të shihen dhe shënohen nga Ai (Allahu) që duhet t’i shohë dhe t’i shkruajë të gjitha.

Të dhënat e tjera janë absolutisht të parëndësishme.

E lus Allahun, të na udhëzojë të gjithëve në Rrugën e drejtë dhe, që qëllimet tona të jenë gjithmonë të sinqerta. Amin!

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK