Religjion
Rinia e përjetshme është e mundur
Nga Ibni Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të), transmetohet se i Dërguari i Allahut (savs) ka thënë:
“Banorët e Xhenetit janë të rinj pa mjekër, ata do të jenë të gjatë sa Ademi (a.s.), gjashtëdhjetë kuti dhe me moshë sa Isai (a.s.), tridhjetë e tri vjet. Ata do të jenë me lëkurë ngjyrë hapur dhe të veshur me rroba të arta. Kur ndonjëri prej tyre shtron sofrën, një zog do të fluturojë tek ai dhe do t’i thotë: „I mbrojturi i Allahut, kam pirë nga burimi i Selsebilit, kam fluturuar nëpër kopshtet e Xhenetit nën Arsh, kam ngrënë filan dhe filan frutat, me aq dhe aq shije. Gjysma ime është e zier kurse gjysma tjetër është e pjekur.” Ai do të hajë sa të mundet nga mishi i tij. Çdo xhenetli do të ketë shtatëdhjetë dhoma të ndryshme dhe do të ketë unaza në të dhjetë gishtat e duarve. Në të parin do të jetë shkruar: “Shpëtimi qoftë mbi ju, për durimin që keni treguar (në jetën e kësaj bote)!” (er-Ra’d, 24) Në të dytin do të jetë shkruar: “Hyni atje me paqe dhe siguri!“ (el-Hixhr, 46) Në të tretin do të jetë shkruar: “Ja, ky është Xheneti, që ju është dhënë në trashëgim për atë që keni bërë.” (ez-Zuhruf, 72) Në të katërtin do të jetë shkruar: “Nga ju është hequr çdo brengë dhe pikëllim.” Në të pestin do të jetë shkruar: “Ne ju kemi vesh dhe ju kemi stolisur.” Në të gjashtin do të jetë shkruar: “Ju kemi dhuruar hyri të bukura.” Në të shtatin do të jetë shkruar: “Aty do të ketë çfarë t’ju dojë shpirti dhe gjithçka që ta kënaq syrin dhe atje do të qëndroni përgjithmonë.” (ez-Zuhruf, 71) Në të tetin do të jetë shkruar: “Ju jeni në shoqërinë e pejgamberëve dhe të njerëzve të mirë.” Në të nëntin do të jetë shkruar: “Ju jeni bërë të rinj të përjetshëm.” Dhe në të dhjetin do të jetë shkruar: “Ju jeni në fqinjësi të atyre që nuk i fyejnë as nuk i shqetësojnë fqinjët e tyre.” (Tenbihul-gafilin)
Dijetarët dhe mufesirët, duke përfshirë edhe Fekihun, thonë se kush dëshiron që t’i fitojë të gjitha nderimet e renditura duhet të këmbëngulë në pesë gjëra:
1. Të largohet nga mëkatet.
Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Kurse ai që i është frikësuar madhërisë së Zotit të tij dhe e ka frenuar veten nga dëshirat, pa dyshim që do të ketë për strehë Xhenetin.” (en-Nazi’at, 40-41) Shejtani, që kur e ka refuzuar sexhden për të cilën e ka urdhëruar Krijuesi, është vazhdimisht aktiv dhe i largon të gjithë nga sexhdeja, nga nënshtrimi dhe nga Rruga e vërtetë. Ai vetë, qoftë i mallkuar, ka marrë përsipër se do të na afrohet nga të gjitha anët që të na çojë në mëkat dhe larg bukurive të Xhenetit. Besimtari është i vetëdijshëm për këtë rrezik dhe përpiqet të shmanget nga vendi ku mund të bëjë mëkat. Ai përpiqet të mos i afrohet mëkatit dhe çdo ditë, përmes namazit dhe ritualeve të tjera, armatoset dhe forcohet në mënyrë që i gatshëm t’i përgjigjet shejtanit dhe ta zhgënjejë. Nga burimet e fesë sonë ne e dimë se shejtani më së shpeshti e përdor metodën për të na bindur që bërjen e veprës së mirë ta shtyjmë, duke na thënë se ka kohë për të. Duke dashur të na vë në dukje pikërisht këtë rrezik, Allahu i Plotfuqishëm betohet në kohën, që duke i shtyrë veprat e mira, të mos fitojmë shprehi të këqija dhe të bëjmë jetë mëkatare që është vështirë më vonë ta evitojmë.
2. Të gjendet ekuilibri midis dynjasë dhe ahiretit.
Dynjaja është shtëpi kalimtare, kurse ahireti është shtëpi e përjetshme. Kjo njohje e përcakton besimtarin kundrejt këtyre dy botëve. Ai nuk dashurohet në kalimtaren, por të mirat e kësaj bote i shfrytëzon për ta merituar kënaqësinë e përjetshme. Transmetohet se Isai (a.s.), kishte kaluar pranë dy personave të cilët po grindeshin për një arë. Për t’u treguar atyre pakuptimësinë e grindjes së tyre, me lejen e Allahut, i ringjalli të gjithë ata që para tyre kishin qenë pronarë të asaj are, që ishin larguar nga dynjaja dhe nuk e kishin marrë arën, ajo kishte mbetur. Kishin përfituar nga ajo që kishin punuar në arë, nga ajo që kishin bënë për të mirën e të tjerëve, nga ajo që nga fitimi i arës kishin ndarë. Ka njerëz në mjedisin tonë që kanë fituar ara (tokë) dhe prona me mashtrim, me mëkat, me korrupsion, dhe nuk janë të lumtur, nuk jetojnë mirë dhe nuk kanë bereqet. Ahireti është shtëpia e përjetshme. Besimtari i drejtohet atij, çdo ditë përpiqet të bëjë sa më shumë vepra të mira, në mënyrë që t’i meritojë ato shtatëdhjetë dhomat e Xhenetit, që të jetë në rini të përjetshme, që të jetojë në fqinjësi të atyre që nuk ofendojnë dhe nuk shqetësojnë.
3. Të jesh konsistent në kryerjen e ibadetit (adhurimit).
Ibadet është namazi, agjërimi, zekati, sadakaja; edhe dhikri është ibadet, edhe mësimi është ibadet, edhe puna është ibadet… Besimtari është më i miri në çdo gjë, sepse është i vetëdijshëm se çdo herë që e shtron sexhaden për të fituar kënaqësinë e Allahut, sa herë që ngritet në syfyr, ai e bën këtë sepse Allahu i Plotfuqishëm e kërkon prej tij. Sa herë që fut dorën në xhep për të ndarë atë që ka fituar, këtë e bën sepse kështu urdhëron Allahu. Sa herë që është në shoqëri me librin, ai e di se melekët ia hapin rrugën për në Xhenet dhe, sa herë që punon për të siguruar jetesën e tij dhe të familjes, ai e di se është në xhihad. Në vjeshtë, pas lulëzimit të jetës përreth nesh, toka i dorëzohet gjunit, ajo që ka dalë nga toka kthehet në tokë dhe skena që e shohim na kujton ajetin kuranor, i cili na paralajmëron: “Allahu ju ka krijuar nga toka, ashtu si bimët, pastaj ju kthen tek ajo dhe prej saj sërish do t’u nxjerrë.” (Nuh, 17-18) Ne do të kthehemi në tokë dhe toka na thërret që të kthehemi tek ajo si burim i ynë, që të mos tjetërsohemi prej saj, në mënyrë që tani në ditët e vjeshtës ta hedhim kokrrën e grurit. Pejgamberi (savs) ka thënë: “Kush mbjell një kulturë ose mbjell një pemë frutore dhe prej saj hanë njerëzit dhe kafshët, ajo është sadaka, madje edhe ajo që kalbet është sadaka.“ Për ta fituar rininë e përjetshme, për të jetuar përgjithmonë të rinj në Xhenet, duhet të kuptojmë se jemi krijuar për t’u bindur ndaj Allahut, ashtu që pas kësaj sexhdeje në xhami të vazhdojmë të jetojmë me sexhde, në fushë, në fabrikë, në familje, në lagje, në shoqëri. Sjellja e mirë dhe jeta e muslimanit çon në shoqërimin e hyrive të bukura dhe në veshjet e arta të Xhenetit.
4. Të duash njerëzit e mirë dhe të shoqërohesh me ata që inkurajojnë të mirën.
Njerëz të mirë janë ata që bëjnë mirë, ata jo vetëm që bëjnë mirë, por edhe inkurajojnë të mirën. Ata inkurajojnë të mirën fillimisht me shembullin personal, e më pas edhe me fjalë, me udhëzime dhe me këshilla. Shoqëria e keqe është fatkeqësi. Ajo shoqëri njeriun e adapton me mëkatin, aty e inkurajojnë njëri-tjetrin për mëkat dhe jeta e tillë mëkatare atyre u bëhet normale, ndërgjegjja e tyre u vdes, sepse ata plotësisht mësohen të jetojnë në mëkate dhe vese. Kur je në shoqërinë e njerëzve të mirë, të atyre që falin namazin, që përmendin Allahun, që kujdesen për të tjerët, që kujdesen për xhematin dhe shoqërinë, atëherë je në rrugën që të shpie në shoqërinë e pejgamberëve dhe të sinqertëve, jeni në rrugën e shoqërisë me rini të përjetshme. Kjo është rruga që ju çon në vendin që Allahu i Plotfuqishëm e përshkruan me këto fjalë: “Aty do të ketë çfarë t’ju dojë shpirti…” (ez-Zuhruf, 71)
5. Duaja – lutja; gjëja e pestë në rrugën për në kopshtet e xhenetit është duaja.
Për të na nxit dhe tek ajo na thërret i Mëshirshmi kur na thotë: “Më thirrni Mua, Unë ju përgjigjem.” Trokitni në derën e të Plotfuqishmit, dora e Tij është gjithmonë e hapur, mëshira dhe mirësia e Tij janë të pakufishme. Nëse tregoni mirënjohje ndaj Tij duke bërë mirë, Ai do t’ju japë edhe më shumë.
Njerëzit në Xhenet do të jenë përjetësisht të rinj, do të kenë gjithçka dhe me bollëk. Ne e synojmë atë rini të përjetshme, luftojmë për të duke ikur nga mëkatet, duke e kaluar jetën në ibadet, duke u shoqëruar me njerëz të mirë, dhe me lutje të përditshme e të vazhdueshme.
O Allahu i Plotfuqishëm, na ndihmo që secili prej nesh t’i meritojë shtatëdhjetë dhomat e Xhenetit me mëshirën Tënde! Amin.
Hatib: Izet-ef. Čamdžić
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)