Lajme
Me fatura të dyshimta fiktive mori afro 3 milionë euro nga shteti, afera e “Rec Kos”-it pa epilog nga 2019-ta


Administrata Tatimore ka adresuar në Prokurorinë Speciale një raport me të gjetura për shkelje të mëdha që kompania e riciklimit të skrapit “Rec Kos” ka bërë para vitit 2019. Në raportin që ka siguruar Gazeta Insajderi, kjo kompani po dyshohet se përmes dokumenteve të rrejshme e faturave fiktive, përmes rimbursimit ka përfituar nga buxheti rreth 3 milionë euro. Ky raport me të gjetura voluminoze po mbahet ende në sirtarë të Speciales. Në kohën kur u bë rimburësimi në vlerë afro 3 milionë euro, e me fatura të dyshimta si fiktive, Ilir Murtezaj ishte Drejtor i Departamentit të Tatimpaguesve të Mëdhenj. Aktualisht, Murtezaj është Drejtor i Përgjithshëm i ATK-së. Insajderi sjell detaje nga raporti i ATK’së.
Mira Avdimetaj
Fatura fiktive e shmangie tatimi. Por, përfitoi përsëri ri-mbursim nga shteti. Dhe atë hiç më pak se sa afro 3 milionë euro.
Këto janë dyshimet që tash e disa vite janë ngritur nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) kundrejt firmës së riciklimit e skrapit të metaleve “Rec Kos”, pronë e biznesmenit Adriatik Shaqirit.
ATK-ja në vitin 2019 kishte hartuar një raport hetues mbi dyshimet se kompania “Rec Kos” shpk ka kryer veprat penale në fushën e tatimeve si “Shmangie nga tatimi”. “Dokumente të rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi të Kodit Penal”.
Në kohën kur u bë rimburësimi në vlerë afro 3 milionë euro, e me fatura të dyshimta si fiktive, Ilir Murtezaj ishte Drejtor i Departamentit të Tatimpaguesve të Mëdhenj (DTM). Aktualisht, Murtezaj është Drejtor i Përgjithshëm i ATK-së.
Bazuar në këto shkelje, ATK thotë se kanë dëmtuar Buxhetin e Republikës së Kosovës, në shumën e përgjithshme prej: 2,926,544.54 €.
Nga ajo çfarë ka parë Gazeta Insajderi në raportin mbi 45 faqesh ceken se si kompania “Rec Kos” ka dorëzuar fatura fiktive për rimburësism në ATK pa i kryer blerjet.
Në raport janë të përfshira disa kompani që pretendohet se kanë shitur mallrat tek kompania që po hetohej duke bërë mashtrim me transaksione fiktive.
Gjithnjë sipas raporti, bizneset që “Rec Kos” ka deklaruar që ka bërë blerje janë të dyshimte nëse ekzistojnë. Në raport thuhet se disa nga këta biznese nuk kanë lokacion ose pronarë. Disa të tjerë nuk kanë asnjë qarkullim bankar përpos pagesave të “Rec Kos”.
Dyshimi i ATK’së bazohet më shumë edhe nga deklarata e pronarit të një biznesi. Ai ka deklaruar se kompanisë “Rec Kos” shpk i ka lëshuar fatura me transaksione fiktive pa e shitur mallin. Ai pretendon se pasi ka lëshuar faturat ka përfituar 2 për qind të vlerës së çdo fature që e ka lëshuar për biznesin “ Rec Kos ” Shpk.
“Gjatë marrjes në pyetje i pandehuri ka dhënë deklaratë kontradiktore, kështu në fillim ka deklaruar se ka shitur mall (hekur) biznesit “ Rec Kos ” Shpk, ashtu sikur ishin përshkruar në faturë, pastaj i njëjti ka kërkuar që të ndryshoj deklaratën e tij duke pohuar se të gjitha këto transaksione i ka bërë duke përfituar nga 2% të vlerës së çdo fature që e ka lëshuar për biznesin “ Rec Kos ” Shpk dhe nuk ka shitur mallra, por vetëm fatura me transaksione fiktive”, thuhet në raport.
Gazeta Insajderi ka adresuar pyetje tek Prokuroria Speciale pasi që nga ATK kanë konfirmuar se hetimet janë duke u zhvilluar aty, por deri me tani nuk kanë kthyer përgjigje.
Përgjigje nuk kanë pasur as nga kompania “Rec Kos” lidhur me dyshimet që ka ngritur ATK, ani pse Insajderi i ka pritur për disa javë, duke ua dërguar edhe vet raportin.
Kompania “Rec Kos” dyshohet se mashtroi me fatura të rreme për të përfituar afro 3 milionë euro rimburësim
Gazeta Injsaderi ka siguruar ekskluzivisht raportin hetues nga Departamenti i Hetimeve të ATK-së. Në këtë raport janë cekur dyshimet për tetë kompani që janë të përfshirë në mashtrim e përfitim të shifrave të mëdha që dyshohet se janë derdhur në llogarinë e kompanisë “Rec Kos”
Si u zbulua mashtrimi nga zyrtarët e ATK’së?
Biznesi i lartcekur “ Rec Kos “ Shpk ka bërë kërkesë me shkrim në DTM, për të bërë rimbursimin e TVSH-së të cilën e ka paguar me rastin e blerjes së mallit (mbeturina si hekur, alumin etj.), mirëpo me rastin e eksportimit të këtyre mallrave, sipas ligjit, TVSh-në e paguar gjatë blerjes duhet shteti të ia rimbursoj (kthej) biznesit.
Në raport thuhet se, DTM ka pasur dyshime se disa prej bizneseve nga të cilat “ Rec Kos “ Shpk ka realizuar blerjet e mallit.
Pas verifikimeve që kanë bërë zyrtarët e ATK’së, ,me aktvendim të lëshuar nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës kanë kryer bastisje në lokacionet e kompanive që janë përmendur në raport.
Kompanitë që dyshohet se i lëshuan transakiosne fiktive pa kryer shërbime.
Gjatë fazës së hetimeve, thuhet në raport se janë vërejtur se ka pasur edhe disa biznese dhe persona fizik tjerë që kanë marrë pjesë apo kanë mundësuar këtë skemë të shmangies (vjedhjes) së TVSH-së nga shteti,
Në raport janë të përfshira disa kompani që pretendohet se kanë shitur mallrat tek kompania që po hetohet duke bërë mashtrim me transaksione fiktive.

Kompanitë e dyshuara sipas raportit të ATK;së janë:
“ JAMB “ D.O.O. dhe pronarin M.R
P.P.” CRNI KOMERC ” dhe pronarin M. G.
“ REC KOS “ SHPK
“ DANI PROM “ D.O.O. dhe pronarin D. R.
“ PIRIT “ D.O.O. dhe pronarin D. R.
P.P. “ Perspektiva me pronar A.P.
Gjithnjë sipas raporti, bizneset që “Rec Kos” ka deklaruar që ka bërë blerje janë të dyshimte nëse ekzistojnë. Në raport thuhet se disa nga këta biznese nuk kanë lokacion ose pronarë. Disa të tjerë nuk kanë asnjë qarkullim bankar përpos pagesave të “Rec Kos”.
“Në pasqyrat bankare të biznesit P.P “ Perspektiva ” vërehet se ky biznes nuk ka transaksione tjera me ndonjë biznes tjetër, vetëm me biznesin “Rec Kos” Shpk”, vijon raporti me të gjeturat.
Sipas raporti ky biznes i ka mundësuar “Rec Kos” të përfitoj jashtëligjshëm nga buxheti mbi 89 mijë euro.
“Bazuar në këtë që u përshkrua më lartë rezulton se i pandehuri A. P pronar i biznesit P.P. “ Perspektiva “, i ka mundësuar biznesit “Rec Kos” Shpk që t’i shmanget tatimit, respektivisht duke përfituar rimbursimet apo kreditimet tatimore të pajustifikuara dhe me këto veprime e ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në vlerë prej 89,138.70 €,”, shkruhet në raport.

Dyshimi i ATK’së bazohet më shumë edhe nga një deklaratë e pronarit të një biznesi. Por kjo nuk është konfirmuar, sipas raportit.
Ai ka deklaruar se kompanisë “Rec Kos” shpk i ka lëshuar fatura me transaksione fiktive pa e shitur mallin. Ai pretendon se pasi ka lëshuar faturat ka përfituar 2 për qind të vlerës së çdo fature që e ka lëshuar për biznesin “ Rec Kos ” Shpk.
“Gjatë marrjes në pyetje i pandehuri ka dhënë deklaratë kontradiktore, kështu në fillim ka deklaruar se ka shitur mall (hekur) biznesit “ Rec Kos ” Shpk, ashtu sikur ishin përshkruar në faturë, pastaj i njëjti ka kërkuar që të ndryshoj deklaratën e tij duke pohuar se të gjitha këto transaksione i ka bërë duke përfituar nga 2% të vlerës së çdo fature që e ka lëshuar për biznesin “ Rec Kos ” Shpk dhe nuk ka shitur mallra, por vetëm fatura me transaksione fiktive”, thuhet në raport.
Funksionim i kompanisë “Rec Kos” dhe dyshimet për veprimtari ilegale
Biznesi “ REC KOS ” Sh.p.k. i regjistruar në vitin 2008 merret me Tregtinë me shumicë të mbeturinave dhe hekurishteve.
Pronar i biznesit është Adriatik Shaqiri. Ndërsa drejtues apo person përgjegjës që menaxhon me këtë biznes është i pandehuri Berat Morina.
I pandehuri Berat Morina, në cilësinë e drejtorit të kompanisë “ Rec Kos “ shpk me qëllim që nuk ka deklaruar në Administratën Tatimore të Kosovës, qarkullimin ekonomik real të cilin e ka pasur në kuadër të aktivitetit afarist të biznesit që ai e drejton.
Gjithnjë sipas raportit, i njëjti nuk ka paraqitë të dhëna të sakta rreth blerjeve që ka pasur gjatë periudhave tatimore 2016 dhe 2017, nuk ka paguar detyrimet tatimore të përcaktuara sipas ligjit, dhe i është shmangur tatimit duke përfituar rimbursimet apo kreditë tatimore të pajustifikuara në shumën prej 246,938.49 € TVSH dhe 137,188.05 € TAK dhe me këto veprime dyshohet se ka kryer veprën penale Shmangie nga tatimi, vepër kjo e dënueshme sipas nenit 313 paragrafi 1, 2, 3 të KPRK dhe lidhur me nenin 63 paragrafi 1 dhe 2 të Ligjit Nr.03L/222 për Administratën Tatimore të Kosovës.
Përgjigje nuk kanë pasur deri tash nga kompania “Rec Kos” lidhur me dyshimet që ka ngritur ATK.
/Gazeta Insajderi/

















