Ndryshe
I vdekuri që u zgjua teksa mjekët po i hiqnin organet vitale
Sado e pabesueshme që të duket, një 36-vjeçar, i cili pësoi një goditje në tru dhe thuhej se kishte vdekur, u zgjua ndërsa kirurgët në një spital në Kentaki po ia hiqnin organet për dhurim.
Familja e Anthony Thomas “TJ” Hoover tha për mediat lokale se rasti i tij ngre shumë pyetje në lidhje me procesin e dhurimit të organeve, duke vënë në dukje se njeriu i tyre jetoi një makth të vërtetë.
Teksa kishte vdekur, sipas protokollit mjekësor, papritur, teksa ekipi i kirurgëve po i hiqte organet, ai u ringjall…
Rasti i Anthony Thomas Hoover është nën hetim nga zyrtarët shtetërorë dhe federalë, njoftoi të enjten Radio Publike Kombëtare dhe stacioni i lajmeve në Kentaki, WKYT.
Zyrtarët në sistemin e prokurimit të organeve të SHBA këmbëngulin se ka masa të posaçme për të parandaluar incidente të tilla, raportoi Guardian, megjithëse familja e tij tha për mediat që përvoja e tyre diktoi nevojën për të paktën disa reforma në sektorin e dhurimit.
Motra e Hoover-it, Donna Rohrer, shpjegoi për gazetën britanike se i vëllai u dërgua në Spitalin Baptist në Richmond, në tetor 2021 për shkak të një mbidoze droge.
Brenda pak orësh, mjekët i thanë familjes së tij se ai nuk kishte fare reflekse apo aktivitet truri dhe të afërmit vendosën ta heqin atë nga mbështetja e jetës, raportoi stacioni i Kentakit WKYT.
Stafi i spitalit më pas i tha motrës së “të ndjerit” se ai duhej shndërruar në dhurues organesh. Spitali, ashtu siç duhej, bëri kërkime për organet që do të ishin të zbatueshme dhe madje drejtuesit mbajtën një ceremoni për nder të të ndjerit.
Rohrer pranon se sytë e Hoover-it filluan të hapeshin dhe dyshohet se gjurmonin lëvizjet e të dashurve të tij, sipas WKYT.
“Na u tha se ishte thjesht një refleks – një gjë normale,” i tha ajo Gurdian-it. “Kush jemi ne për të vënë në dyshim sistemin mjekësor?”
Rreth një orë pasi Hoover u soll në sallën e operacionit për t’i hequr organet, një mjek doli nga dhoma duke thënë se pacienti “nuk ishte gati”.
“Ai u zgjua,” tha Rohrer, duke shtuar se mjekët e këshilluan atë të merrte vëllanë e saj në shtëpi dhe ta bënte të rehatshëm, megjithëse ai ndoshta nuk do të jetonte më gjatë.
Ajo, siç tha për rrjetin lokal WKYT, ishte kujdesur për Hoover-in për tre vitet e fundit.
Rrjeti i lajmeve në Kentaki raportoi se Rohrer mësoi për detajet e operacionit të të vëllait në Spitalin Baptist, ndërsa anëtarët e donatorëve të organeve në Kentaki (Koda) vetëm në janar.
Në atë kohë, një ish-punonjës i Koda-s e kontaktoi atë përpara se Rohrer t’i dërgonte një letër në lidhje me të një komiteti të Kongresit, i cili në shtator mbajti një seancë dëgjimore që shqyrtonte agjencitë e prokurimit të organeve, raportoi NPR.
Ajo pohoi se e pa Hoover-in të fillonte të “përplasej” në tryezën e operacionit si dhe filloi të qante, sipas Radios Kombëtare Publike të Kentakit.
Në përgjigje të dëshmisë së Rohrer-it në WKYT dhe Radion Publike Kombëtare (NPR), spitali tha në një deklaratë se siguria e pacientit ishte “përparësia e tij më e lartë”.
“Ne punojmë ngushtë me pacientët tanë dhe familjet e tyre për të siguruar që dëshirat e tyre për dhurimin e organeve të ndiqen,” tha spitali në një deklaratë.
Koda lëshoi deklaratën e saj për NPR duke argumentuar se në rastin e Hoover-it, detajet e kërkuara nuk janë dhënë, se agjencia nuk ka marrë asnjëherë organe nga pacientët e gjallë dhe se askush atje nuk ka qenë ndonjëherë nën presion për ta bërë këtë.
Në një deklaratë për WKYT nga Netëork for Hope, të cilit Koda iu bashkua në maj, ajo tha se grupet si ajo “nuk janë të përfshirë në kujdesin ndaj pacientëve … ata nuk shpallin kohën e vdekjes … dhe ata kanë fuqinë për të vazhduar me heqjen e organeve vetëm kur ofruesi i pavarur i kujdesit shëndetësor të pacientit ka deklaruar një kohë vdekjeje.”
Megjithatë, WKYT dhe NPR raportuan se zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të shtetit si dhe një agjenci federale që ndihmon në mbikëqyrjen e prokurimit të organeve po hetojnë rastin.
Radioja Publike Kombëtare (NPR) vlerëson se disa vëzhgues shqetësohen se vëmendja e medias që ka marrë rasti i Hoover-it mund të dëmtojë një sistem transplantimi organesh me një listë pritjeje prej më shumë se 100,000 personash.
Një profesor i etikës mjekësore i kontaktuar nga radio NPR tha se të gjitha indikacionet janë se rastet si ai i Hoover-it janë përgjithësisht “raste të izoluara që shpresojmë se do të jemi në gjendje t’i kalojmë dhe t’i parandalojmë që të ndodhin përsëri”.
Rohrer, megjithatë, mbrojti vendimin për të bërë publike historinë e vëllait të saj, duke thënë se ia vlen të ndahet nëse mundet për të “inkurajuar një familje tjetër të flasë nëse ata kanë pasur një incident të ngjashëm”.
Vëllai i saj, vëren ajo, “bëri përpjekje për të thënë ‘hej, unë jam këtu’, por u shpërfill,” tha Rhorer për WKYT. “Por ata e ndaluan procesin sepse ai po jepte shenja jete. Thellë brenda, e dija se diçka po shkonte, por e krahasova përpjekjen time me Davidin dhe Goliathin. Kush jam unë që të ngatërrohem me sistemin mjekësor?”, theksoi motra e Hoover-it. /tesheshi.com/