Connect with us

Lajme

Aktakuzë ndaj tre personave në Mitrovicë, dyshohen për dallavere me konkurs të Trepçës

Publikuar

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Cenimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë” në ndërmarrjen Trepça Sh. A.

Aktakuza është ngritur kundër të pandehurve A.H., E.M., dhe B.A., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Cenimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë“, nga neni 219 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Në njoftim thuhet se të pandehurit, në janar të vitit 2020, si anëtar të komisionit për pranimin e punëtorëve të minierën e Trepça SH.A., në bashkëkryerje dhe me dashje kanë vepruar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Sipas aktakuzës, ata nuk i kanë përfillur procedurat e rekrutimit të përcaktuara sipas udhëzimit administrativ të MPMS lidhur me rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik.

“Të njëjtit, kanë shkelur rregulloren e vlerësimit gjatë intervistimit me gojë të kandidatëve, ashtu që në vend të vlerësimit për çdo pyetje të saktë me njëzet (20) pikë siç rregullohet në udhëzim administrativ, në rastin konkret të pandehurit i kanë vlerësuar kandidatët me nga njëzetepesë (25) pikë për pyetje në total me mbi njëqind (100) deri treqind (300) pikë, duke i sistemuar në vende pune dhe themeluar marrëdhënie të punës me shtatë (7) persona, dhe me këtë veprim kandidatëve tjerë u ka mohuar të drejtën për punësim dhe kushte të njëjta ashtu siç parashihet me ligj”, thuhet në njoftim.

Me këto veprime, të pandehurit A.H., E.M., dhe B.A., kanë kryer veprën penale e cila u vihen në barrë.
Prokurori i Shtetit, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit t`i shpallë fajtor për veprën e kryer penale dhe t`i dënojë sipas ligjit.

NA NDIQ NË FACEBOOK