Religjion
Strehoje fëmijën tënd në Mekteb (mësimbesim)

Transmeton Nuvvas bin Sem’ani se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Allahu i Plotfuqishëm e ka dhënë si shembull Rrugën e Drejtë. Në të dyja anët e rrugës ka dy mure me dyer të hapura dhe perde të varura në dyer. Në fund të rrugës është një lajmëtar i cili thërret. Edhe mbi rrugë është një lajmëtar. Rruga e Drejtë është Islami, muret janë dispozitat e Allahut, kurse dyert e hapura janë ndalesat e Allahut. Askush nuk mund ta shkelë asnjë dispozitë pa e zbuluar perden. Lajmëtari në fund të rrugës është Kurani, lajmëtari mbi rrugë është mesazhi i Allahut në zemrën e çdo besimtari.” (Transmeton Tirmidhiu dhe Ahmedi)
Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira dhe u jep lajmin e gëzuar besimtarëve, që bëjnë vepra të mira, se ata do të kenë shpërblim të madh.” (el-Isra’, 9)
Ne, për t’i mësuar shkronjat kuranore dhe shkrimin kuranor, shkojmë në mekteb.
Ne, për ta mësuar shqiptimin e shkronjave të Shpalljes në fjalë dhe në fjali sipas rregullave të texhvidit, shkojmë në mekteb.
Ne, për t’i mësuar dispozitat e shpallura, dispozitat kuranore, përkatësisht, urdhrat dhe ndalesat e Allahut, shkojmë në mekteb.
Ne, për të mësuar të ecim në Rrugën e Drejtë, që pranë asaj rruge ta shohim kufirin të cilin nuk guxojmë ta kalojmë, shkojmë në mekteb.
Ne, për ta ngulitur mesazhin e Allahut në zemrat tona dhe për ta forcuar aty, shkojmë në mekteb. Hapat tanë të parë në Rrugën e Drejtë janë hapat e mektebit. Ata janë aq të rëndësishëm saqë janë të pazëvendësueshëm dhe të pakompensueshëm.
Për ta shfrytëzuar jetën tonë në këtë botë, të cilën i Plotfuqishmi e quajti lojë dhe argëtim, dhe për të pasur dobi prej saj në Përjetësi, duhet t’i shohim kufijtë përreth nesh, do të thotë, duhet ta mbyllim vetveten brenda dispozitave të Allahut dhe të akumulojmë në vetvete fuqi të mjaftueshme besimi, që të mos shkelim në derën e mëkatit dhe, që të mos ecim rrugës së shkatërrimit. Duhet të shkohet në mekteb për ta mësuar dhe shqiptuar shehadetin, sepse pa të nuk ka shpëtim për ne, dhe duhet të mësohet se me shehadet dëshmohet monoteizmi i Allahut dhe pejgamberia e Muhamedit (savs). Të dëshmohet qartë, kështu mësohet në mekteb, besimi i patundur në Krijuesin dhe mësimi për të ecur rrugës së sunetit të Pejgamberit, vërtetojnë se shehadeti është i sinqert.
Duhet të shkohet në mekteb për ta mësuar marrjen e abdesit, sepse ai është gardh, është mur, që nuk na lejon të devijojmë nga rruga e drejtë. Kur jeni me abdes, nuk e kërkoni derën në mur, as nuk e heqni perden prej saj për të devijuar nga rruga e drejtë. Kur jeni me abdes shejtani e ka më të vështirë të ju afrohet, ai pikëllohet nga abdesi juaj sepse abdesi e shuan zjarrin, ju largon prej tij, sepse me fuqinë e tij ju pastron nga gjynahet. Dërgojini fëmijët në mekteb që ta mësojnë këtë mbrojtje. Lajmëtari (Kurani) ju thërret për këtë, kurse në mekteb është vendi për ta mbjellë atë zë në zemrat tuaja, që t’ua kujtojë vazhdimisht rrezikun që fshihet pas murit.
Duhet të shkohet në mekteb për ta mësuar faljen e namazit. Po, po, kjo mësohet në mekteb dhe praktikohet që në ditët e para të mektebit, sipas udhëzimit të Pejgamberit që në moshën shtatë vjeçare. Ju jeni mik i fëmijës tuaj, nëse e përgatitni për mekteb dhe kujdeseni për obligimet dhe detyrat e tij të mektebit, dhe nëse së bashku me të i përforconi mësimet e rregullta të mektebit, sepse vetëm kështu mund ta ndërtoni një mur rreth tij, rreth fëmijës tuaj, për ta mbrojtur atë nga sulmet e shejtanit. Para këtyre fëmijëve tanë hapen shumë dyer të mëkatit; kjo botë i thërret pranë vetes dhe u ofron gjithçka që jeta e tyre të jetë lojë dhe argëtim. Në mekteb duhet të gjendet forcë, duhet forcuar, për të mos e zgjatur dorën për heqjen e perdes nga mëkati. Mektebi është mur kundër veseve dhe devijimeve të çdo lloji. Ai është kështjella që i mbron fëmijët tanë nga alkooli, droga, kurvëria, vjedhja, gënjeshtra, bixhozi; i mbron nga mëkati sepse ata e dinë dhe e dëgjojnë zërin e të lajmëtarit nga fundi i rrugës, e dëgjojnë zërin e Kuranit, i cili i çon në rrugën e vetme të drejtë, dhe e dëgjojnë zërin nga zemra e tyre i cili u ngulitet në zemrat e tyre gjatë mësimeve të mektebit.
Duhet të shkohet në mekteb për ta mësuar sjelljen e mirë – ahlakun e bukur. Aty, në mekteb mësohet se ritualet janë një rrugë dhe mjet që na ndihmon të bëhemi shërbëtorë të sinqertë të Allahut, të bëhemi njerëz që e jetojnë fenë e tyre me çdo gjest dhe me çdo fjalë. Nëse nuk i dërgoni fëmijët tuaj në mekteb dhe nuk kujdeseni për obligimet dhe detyrat e tyre të mektebit, atëherë mos u ankoni nëse ata e heqin perden nga dera e mëkatit dhe përmes saj shkojnë në mosbindje, shkojnë në mosbesim, shkojnë në gënjeshtër, shkojnë në mëkatin e pakujdesisë, në mëkatin e mospërmbushjes së obligimeve, shkojnë në rrugën e dështimit, kështu që në këtë botë nuk e gjejnë lumturinë, kurse në botën tjetër nuk e meritojnë shpëtimin.
Çfarë është më e rëndësishme për fëmijën tuaj sesa mektebi dhe shkolla? Dijeni, asgjë, sepse Pejgamberi (a.s.) ka thënë se ju, fëmijëve tuaj, nuk mund t’u lëni asgjë më të mirë, asgjë më të vlefshme sesa edukatën e mirë. Ai gjithashtu ka thënë se juve ju është dhënë mundësia që, nëse kujdeseni për edukimin e fëmijëve tuaj, ata do të jenë për ju e mira e përhershme.
Rruga e drejtë është Islami. Falënderimi i takon Allahut që na udhëzoi në atë rrugë. Muret janë dispozita. Falënderimi i takon Allahut që na i shpalli ato për lumturinë dhe shpëtimin tonë. Falënderimi i takon Allahut që na pajisi me mendje në mënyrë që të mund ta dëgjojmë lajmëtarin nga fundi i rrugës dhe nga mbi ne. Dyert në mure janë mëkatet. Falënderimi i takon Allahut, që ne e kemi mektebin ku mund të mësojmë dhe të forcohemi për t’i rezistuar mëkatit.
Dërgojini fëmijët në mekteb. Viti shkollor i mektebit tashmë ka filluar.
O Allahu i Plotfuqishëm, na ndihmo në rrugën e mirësisë. Amin.
Hatib: Izet-ef. Čamdžić
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampres.ch)





















