Connect with us

Lajme

Mësimdhënësja e arrestuar në Pejë ishte e përfshirë në incidentin ku fëmijët e komuniteteve pakicë u ndanë nga festa e abetares

Publikuar

Në maj të vitit 2022, jo të gjithë nxënësit e festuan njëjtë festën e abetares në Karagaq të Pejës. Në vend se të ishin pranë shokëve të tyre për të kremtuar, 10 nxënës të komunitetit RAE ishin ndarë duke u ulur në ulëset e tifozëve. Mësuesja që i kishte ndarë fëmijët e komuniteteve pakicë ishte po Gjylfidane Morina.

Gjylfidane Morina, sot, është arrestuar nën dyshimin për mashtrim. Këtë për Insajderin e ka konfirmuar zëdhënësi i prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikqi.

“Prokurori i shtetit ka urdhëruar ndalimin 48 orë për të dyshuarin, – mësimdhënëse”, ka thënë ai për Insajderin.

Gazeta Insajderi merr vesh se e dyshuara ka mashtruar dhjetra persona, në lidhje me dokumentet për aplikim për subvencionin për bujqësi.

Burimet e Insajderit bëjnë me dije se ajo ka pasur mbi 300 mijë euro qarkullim në xhirollogarinë e saj bankare. E dyshuara është mësimdhënëse në shkollën Xhemajl Kada.

Kujtojmë se lidhur me këtë incident, gjatë asaj kohe kishte pasur reagime të shumta.

Ministrja Nagavci ishte shprehur e shqetësuar duke thënë se këtë problem do ta trajtojë me prioritet.

Si ministre e MASHTI shpreh shqetësimin e thellë për rastin e raportuar në medie si diskriminues për pjesëmarrjen e nxënësve nga komunitetet, rom, ashkalinj dhe egjiptas në aktivitetin e sotëm të Festës së Abetares në Pejë!”, kishte shkruar ajo në Facebook.

Sipas saj, “parimi i mosdiskriminimit është pjesë e politikave dhe veprimeve tona në vazhdimësi, prandaj duhet respektuar dhe zbatuar në të gjitha nivelet”.

Lidhur me rastin pati reaguar edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi.

Krasniqi ka dënuar ashpër këtë gjest dhe ka kërkuar nga institucionet që të thirren në përgjegjësi personat përgjegjës.

NA NDIQ NË FACEBOOK