Kosovë
“Mbyllet vendkalimi kufitar në Bërnjak, serbët maltretuan një familje shqiptare që po udhëtonte për në Gjermani”
Përkundër apeleve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, që mërgimtarët kosovarë të shmangin vendkalimet kufitare me Serbinë nga data 06 shtator, për shkak të paralajmërimit për bllokim të pikave kufitare, një mërgimtar me familje ka mësyrë rrugën për Gjermani, përmes Serbisë, por ajo është kthyer mbrapsht sapo ka kaluar kufirin në Bërnjak.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svela, ka njoftuar se një familje shqiptare nga Kosova që po udhëtonte për në Gjermani është kthyer me forcë prapa nga serbët që kanë bllokuar rrugën, në tri pika kufitare me Kosovën.
Sveçla, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “pas paralajmërimit të grupeve ekstremiste serbe për protesta sot pas orës 18:00, janë vërejtur grupe ekstremistësh të maskuar të cilët në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit të Serbisë, kanë ndaluar veturat dhe legjitimuar udhëtarët”.
“Para pak çastesh, një familjes e cila po udhëtonte për në Gjermani, i është pamundësuar vazhdimi i udhëtimit dhe është kthyer prapa me forcë”, ka shkruar Sveçla, transmeton Telegrafi.
Ai ka thënë se “kjo po ndodhë para syve të policisë së Serbisë, fakt ky që e bën atë bashkë fajtore”.
“Këto akte fashiste ku serbët lejohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë kurse shqiptarët pengohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë, janë absolutisht të papranueshme për ne”.
“Prandaj, deri në stabilizimin e qarkullimit normal, të pa pengueshëm dhe të sigurtë për të gjithë udhëtarët, pika kufitare në Bërnjak mbyllet për qarkullim”, ka thënë Sveçla.
Edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka reaguar për ndalimin e familjes shqiptare brenda territorit të Serbisë.
“Në pikën kufitare në Bërnjak, brenda territorit të Serbisë, persona të maskuar po ndalojnë edhe veturat me regjistrim gjerman dhe pas konstatimit që janë shqiptarë, nuk po i lënë të kalojnë”.
“Vetura e policisë serbe veç shikon dhe nuk ndërhyn për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve, duke u bërë kështu bashkëfajtore e këtij seleksionimi racist dhe fashist, i cili sjell në mendje kohë të errëta dhe si i tillë nuk guxon të tolerohet”, tha ajo, duke bërë gjithashtu të ditur se pika kufitare në Bërnjak mbyllet deri sa të largohen të maskuarit dhe të kthehet lëvizja e lirë.
Rrugët në pjesën serbe që çojnë drejt tri pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, Merdarë, Bërnjak dhe Jarinjë, janë bllokuar pjesërisht pasditen e së premtes nga përfaqësuesit e disa shoqatave serbe, në shenjë proteste ndaj vendimeve të autoriteteve kosovare në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe./Telegrafi/