Connect with us

Religjion

Kemi devijuar nga rruga e drejtë, o i Dërguari i Allahut!

Published

on

Kur Pejgamberi (a.s.) kaloi në botën e amshueshme, Ebu Bekri ua përshkroi sahabëve me këto fjalë: “Gjithmonë ishte i bukur, i bukur është edhe tani!“ Duke pasur parasysh se Allahu i Plotfuqishëm e ndaloi Tokën që trupat e të dërguarve t’i shndërrojë në pluhur, sigurisht se edhe ne sot do të mund të thoshim për Pejgamberin: “Gjithmonë ishte i bukur, i bukur është edhe tani!“ Dhe, duke pasur parasysh se nuk ka ditë, nuk ka asnjë moment të ditës që Pejgamberit tonë të dashur të mos i dërgohet selam. Dhe, ne e dimë se ai (savs), na ka mësuar se kur u japim selam banorëve të varrit, Allahu i Plotfuqishëm ua kthen shpirtin dhe ata na përgjigjen në selam. Mund të themi se Pejgamberi është vazhdimisht me ne, e dëgjon selamin tonë. Përveç selamit, tani kur umeti i tij po e shënon ditëlindjen e tij, është një mundësi për t’i treguar atij se çfarë po bëjmë ne.

Ne, pasuesit tu, jemi shumë, o i Dërguar, gati dy miliardë. Por ky numër nuk do të thotë asgjë për ne sot, sepse ne jemi të shtypur dhe të parëndësishëm për njerëzimin. Kemi frikë se ke menduar për ne, kur ke thënë se do të vijë një kohë që armiku do të na sulet si bisha mbi gjahun e saj – dhe ti ke thënë se – ne do jemi shumë, por do të jemi si shkuma në det, dhe deti e hedh shkumën ku të dojë, shkuma nuk ia del vetë.

Po i Dërguar, armiku me të gjitha forcat është sulur mbi pasuesit e tu. Është e vështirë të numërohen të gjitha pikat e krizës ku po vuajnë pasuesit tu. Ne do t’ia kujtojmë edhe vetes duke të thënë tani, se vëllezërit tanë po vuajnë, kurse pasuesit tu në Somali, Sudan, Mianmar, Irak, Siri, Liban, Kinë…, janë të diskriminuar dhe rreziku u ka dalë mbi kokat e tyre në vendet perëndimore. Secila zgjedhje në këto demokraci i hedh në pasiguri se kush do të fitojë, nëse e djathta ekstreme apo ata që kanë ende arsye. Po, o i Dërguar, armiku me të gjitha forcat është sulur mbi pasuesit e tu, por më e vështirë është për vëllezërit tanë dhe pasuesit e tu në Gazza. Është e pabesueshme, o i Dërguar, se mbi 40 mijë prej tyre janë vrarë në njëmbëdhjetë muajt e fundit, kurse umeti yt këtë e shikon në heshtje.

Të gjithë këta janë të përndjekur, të vrarë, të keqtrajtuar, të diskriminuar, për shkak të dashurisë për ty, o i Dërguar. Të gjithë e dinë, sepse besojnë se Allahu e thotë të vërtetën; se armiku i cili na ka sulmuar me të gjitha forcat, nuk do të jetë i kënaqur përderisa ne të duam ty, por mos u brengos, se pavarësisht nga të gjitha fatkeqësitë, ne të duam, dhe për shkak të kësaj dashurie dhe shpërblimit të premtuar të botës tjetër, ne sakrifikohemi.

Edhe këta që në heshtje po i vëzhgojnë vuajtjet tona në Gazza, në Sudan, në Somali…, edhe ata gjithashtu thonë se të duan ty. Për hir tëndin, në këtë muaj të mevludit tënd, ata do të organizojnë manifestime të shumta, masive dhe të shtrenjta, me të cilat do të duan ta tregojnë dhe ta vërtetojnë atë dashuri. Ata kanë harruar se dashuria ndaj teje nuk dëshmohet me vargje, me këngë, me ilahi, me mbrëmje kuranore, me tryeza të rrumbullakëta, me koncerte…, por dashuria për ty dëshmohet me veprim, dashuria për ty, o i Dërguar, dëshmohet duke ecur në rrugën e sunetit tënd.

Derisa pasuesit e tu në Gazza nuk kanë as ujë, as ilaçe, as bukë, as shtëpi, në atë Gazza o i Dërguar, në këta njëmbëdhjetë muaj 16.000 fëmijë mbetën jetimë, kurse të gjithë ata që të duan ty, jo shumë larg tyre, por shumë afër tyre, pasuesit tu që pretendojnë se të duan, po ndërtojnë qytet për të ardhmen, po ndërtojnë qytet të mençur, ndërsa vëllezërit e tyre në Gazza nuk kanë fare qytet. Çfarë ke thënë ti, o i Dërguar, për kujdesin ndaj jetimit? Çfarë ke thënë ti, o i Dërguar, për detyrimin e vëllait për ta ndihmuar vëllain? Çfarë ke thënë ti, o i Dërguar, për harmoninë dhe vëllazërinë mes pasuesve të tu? Nëse tani, kur po e shënojmë ditëlindjen tënde, do ta dëgjonim dhe do ta jetonim në zemrat tona, do të ishte sukses i madh, dhe me selamin që po ta dërgojmë, do të mund të të thoshim se ne, umeti yt, po e jetojmë selamin.

Bota është e bërë memece para të keqes dhe brutalitetit që po përjetojnë vëllezërit tanë palestinezë, por bota as nuk është e informuar se çfarë po ndodh dhe sa miliona po vuajnë për shkak të konfliktit të pasuesve tu në Sudan. Në të dyja anët janë ata që thonë se të duan ty, dhe nëse të duan ty, nëse të duan me të vërtetë, atëherë në mendjet dhe zemrat e tyre do të ishin fjalët e tua se, kur të përleshen vëllezërit muslimanë, edhe vrasësi edhe i vrari do të shkojnë në Xhehenem. Me çfarë fytyre, ne, pasuesit tu, o i Dërguar, dalim para teje në këtë muaj të mevludit tënd, por edhe të vdekjes tënde. Kur erdhe në këtë botë në vitin 571, drita e ndriçoi botën. Kur u largove nga kjo botë në vitin 632, na the se po na lë një dritë që ndriçon natën dhe ditën, se po na lë Kuranin dhe Sunetin, dhe na ke porositur se nëse i përmbahemi asaj, nuk do të devijojmë kurrë.

Edhe ne, o i Dërguar, po organizojmë manifestime të shumta me të cilat dëshirojmë ta shënojmë ditëlindjen tënde, dhe me këto manifestime po duam të ndikojmë që pasuesit tu të kuptojnë dhe të jenë të vetëdijshëm për fjalët e Allahut; se ti ke ardhur si mëshirë për botët; se njerëzve, njerëzimit ia ke sjellë Librin dhe Urtësinë; se ke ardhur me qëllimin fisnik për ta përsosur moralin e njerëzve. Manifestimet që po organizojmë kanë tituj shumë interesantë, ndërsa ai titull, ai manifestim, në fakt duhet të jetë një mesazh që pasuesit tu duhet ta mbajnë mend, të mendojnë për të, dhe të lejojnë ata që të na ndryshojnë. Manifestimi quhet “Ti je shembull për ne, o i Dërguar”, kurse mesazhi do të duhej të ishte: „Nëse i Dërguari është model për ne, atëherë edhe ne jemi model.“ Manifestimi quhet „Dëshira për të Dërguarin”, kurse mesazhi do të duhej të ishte se në ne duhet të jetojë dëshira për t’u takuar me të Dërguarin, dhe rruga për në atë takim është Suneti i tij. Manifestimi quhet “Selam, ja Resulullah”, kurse mesazhi do të duhej të ishte, se detyrë e jonë është  që ta përhapim selamin në mënyrë që ta duam njëri-tjetrin dhe të jetojmë në harmoni dhe vëllazëri. Manifestimi quhet “Salavat për ty, o i Dërguar”, kurse mesazhi do të duhej të ishte, se ne duhet të ecim rrugës në të cilën edhe vetë do të jemi të denjë për salavat, dhe kjo arrihet duke ecur në rrugën e dijes, sepse ti, o i Dërguar, dhe të gjithë pejgamberët nuk na keni lënë trashëgimi as dinar e as dërhem, por ju keni lënë dituri dhe ti na ke thënë se kush e merr diturinë, ai e ka marrë më të mirën.

Do të na çonte larg numrimi i të gjitha manifestimeve që pasuesit tu i organizojnë në vendin tonë, por është një fakt i hidhur se kur të kalojë rebiul-evveli, të gjitha manifestimet bëhen vetëm pjesë e raporteve tona, kurse ne përsëri kthehemi dhe shpenzojmë nëpër bastore; përsëri bëhemi të pakujdesshëm ndaj namazit; përsëri bëhemi të përçarë; përsëri i ndotim lumejtë, burimet, dhe përrenjtë, përsëri… Nëse, me rastin e ditëlindjes tënde, të gjithë do ta dëgjonin, kuptonin dhe pranonin mesazhin tënd të shkurtër, o i Dërguar, do të ishte më shumë se sa të gjitha manifestimet, koncertet, tribunat, tryezat e rrumbullakëta, mevludet dhe mbrëmjet kuranore, kurse ti na ke porositur: “Më dëgjoni mua, pastaj edhe ju do të dëgjoheni.”

Ka vetëm një mënyrë që ata të na dëgjojnë, ka vetëm një mënyrë që ata të na respektojnë, ka vetëm një mënyrë për forcën dhe dinjitetin tonë; dhe ajo është rruga e dritës që shkëlqen si natën ashtu edhe ditën, ajo është rruga në të cilën thërret dhe udhëheq Kurani dhe Suneti.

Ne kemi devijuar nga rruga e drejtë, o i Dërguar! Këtë duhet të ta themi me rastin e ditëlindjes tënde! Por nuk është dashur, nuk është dashur, sepse ti na ke lënë dy gjëra që nëse u përmbahemi nuk do të devijojmë kurrë, Kuranin dhe Sunetin. Kurani dhe Suneti janë në vitrinë, kurse në skenë janë vaizët, ilahistët, interpretuesit e fesë, dhe ja ky rebiul-levveli është mundësi për të dëgjuar diçka nga ajo skenë, për ta vendosur atë në zemrat tona, në mënyrë që ummeti të mund të dalë në skenën botërore. Le ta dëgjojmë atë dhe le ta vendosim në zemrat tona, që për të mirën e fëmijëve tanë, të jemi më të mirë.

O Allahu i Plotfuqishëm, na ndihmo! Amin.

Hatib: Izet-ef. Čamdžić

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

Portali Zyrtare u themelua nga një grup gazetarësh të rinjë në vitin 2018. Të motivuar nga nevoja për lajme të shpejta dhe të vërteta, në Maqedoni, ndër shqiptarë dhe për shqiptarët – Zyrtare nuk ishte veçse një kërkesë e kohës. Kontakt e-mail: [email protected]