Lajme
“Degradimi dhe gjendja e rëndë e BFI” – Iniciativa për Reforma në Bashkësinë Fetare Islame del me letër e hapur

Një letër e hapur që i drejtohet BFI-së, nën siglën “Iniciativa për Reforma në Bashkësinë Fetare Islame të RMV-së” është publikuar gjatë ditës së djeshme nga hoxhallarë, ish hoxhallarë, profesor universitar dhe individ që i kanë shërbyer jetës fetare në Maqedoninë e Veriut.
Në letër theksohet “shqetësimi për gjendjen në Bashkësinë Fetare të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila ka degraduar, kjo nuk do shumë argumente, dhe për këtë opinioni është i informuar gati se çdo ditë, me lajme rëndom të kronikës së zymtë, për të mos thënë “të zezë””, qëndron në letër.
Nga Iniciativa për Reforma në Bashkësinë Fetare Islame të RMV-së thonë se për të gjitha shqetësimet janë të hapur për tu ulur dhe për të bashkëbiseduar me opinionin.
NË VIJIM UA SJELLIM LETRËN E PLOTË
Duke mos qëndruar indiferentë ndaj asaj që ndodh me institucionin e Bashkësisë Fetare Islame në RMV, ne – të punësuar e ish të punësuar, si dhe hoxhallarë dhe anëtar të BFI-së – me respekt dhe përkushtim të thellë ndaj besimtarëve dhe opinionit e publikojmë këtë letër për të adresuar disa çështje të rëndësishme që lidhen me funksionimin dhe zhvillimin e Bashkësisë Fetare Islame në RMV.
Ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar me gjendjen në Bashkësinë Fetare të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Se gjendja në këtë institucion ka degraduar, kjo nuk do shumë argumente, dhe për këtë opinioni është i informuar gati se çdo ditë, me lajme rëndom të kronikës së zymtë, për të mos thënë “të zezë”.
Mungesa e transparencës ndaj besimtarëve, ndaj opinionit dhe ndaj institucioneve shtetërore, abuzimi me dokumentet normative të BFI-së për qëllime personale, aferat për abuzime financiare, ndikimet politike për agjenda partiake, rrënimi i imazhit të BFI-së në opinion, problemet me mos akreditimin e Medresesë dhe me “gostivarizimin” e Fakultetit të Shkencave Islame dhe Bashkësisë Fetare Islame në përgjithësi, janë vetëm një pjesë e shqetësimeve tona, të cilat janë arsye që ne të organizohemi për të kërkuar:
– Të miratohet ligj i ri për bashkësitë fetare, me të cilin do të zgjidhet edhe mënyra e financimit të Bashkësisë Fetare Islame, si edhe marrëdhëniet e punës të punëtorëve të saj, por edhe do të bëhet përfshirja e fondeve të BFI-së në qarkullimin publik të shtetit;
Vendosja e transparencës në veprimtarinë e Bashkësisë Fetare Islame. Çdo vendim dhe veprim duhet të bëhet i qartë për anëtarët dhe besimtarët dhe çdo punë duhet të jetë e dokumentuar dhe e arsyetuar në mënyrë të detajuar. Transparenca është një parakusht për ndërtimin e besimit dhe për të siguruar që çdo veprim të jetë në përputhje me parimet e fesë, drejtësisë dhe barazisë.
– Të përmirësohet trajtimi i hoxhallarëve dhe nëpunësve fetarë. Paga sipas standardeve të rrogave në RMV, trajtimi profesional dhe mundësitë për zhvillim të mëtejshëm në detyrë janë aspekte thelbësore që duhet të adresohen në mënyrë që ata të mund t’i kryejnë detyrat e tyre me përkushtim dhe efikasitet.
– Ndryshimi i kushtetutës së BFI-së, me qëllim që të krijohen më shumë mundësi për demokratizim në mënyrën e zgjedhjes së organeve të BFI-së dhe të vetë Reis Ul-Ulemasë. Pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e anëtarëve të BFI-së në zgjedhje është e drejtë demokratike që garantohet në secilën organizatë tjetër.
– Mbrojtja e Islamit nga ndikimi i rrymave të ndryshme, por edhe afirmimi i moralit tradicional islam në jetën publike sociale të besimtarëve myslimanë të vendit.
– Distancimi i BFI-së nga politika dhe partitë politike, në mënyrë që ajo të jetë në shërbim të besimtarëve dhe detyrimeve fetare dhe kushtetuese që i ka.
Këto janë disa nga shtyllat e angazhimit tonë, për çfarë bëjmë thirrje për mbështetje nga të gjithë hoxhallarët dhe besimtarët myslimanë.
Po ashtu kërkojmë mbështetje nga opinioni publik, nga mediat, nga faktori politik dhe organizatat joqeveritare, si edhe nga aleatët ndërkombëtarë dhe rajonalë (SHBA, BE, Republika e Turqisë, Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës), duke besuar se shoqëria jonë është e gatshme të veprojë në parandalimin e veprimtarive të dyshimta që mund ta dëmtojnë imazhin dhe funksionimin e Bashkësisë Fetare Islame në RMV.
Çdo individ që ka një ndikim dhe mundësi për të kontribuar në këtë proces, është i ftuar të angazhohet dhe të ndihmojë në arritjen e këtyre synimeve, dhe gjithashtu të gjithë bashkëmendimtarët i ftojmë të na përkrahin në mënyrë publike dhe deklarative me emër, mbiemër dhe nënshkrim në dokumentin e iniciativës.
Të gjitha këto veprime janë në interes të forcimit të Bashkësisë Fetare Islame dhe për të siguruar që ajo të jetë një institucion që e përfaqëson denjësisht komunitetin mysliman, që i afirmon vlerat themelore për të cilat ekziston dhe që është shembull i funksionimit të një organizate transparente dhe të suksesshme.Duke e publikuar këtë agjendë, ne deklarojmë se jemi të hapur, transparentë dhe të gatshëm në çdo çast për t’u ballafaquar me publikun e për të diskutuar në lidhje me këto tema.
Me nderime!
Shkup, 02.09.2024
Iniciativa për Reforma në Bashkësinë Fetare Islame të RMV-së
















