Religjion
Rafi‘ bin Amri r.a. dhe Muhammedi a.s.
Rehan Neziri
Ebu Davudi në përmbledhjen e tij të haditheve (Sunen) e përcjell një ngjarje që e rrëfen vetë Rafi’ bin Amr el-Giffari r.a. se një herë, derisa ka qenë fëmijë, i ka gjuajtur me gurë palmat e hurmave të një banori të Medines. Pronari një ditë e kap këtë dhe me zemërim e çon te Pejgamberi a.s. duke iu ankuar se ky djaloshi po ia dëmton hurmat. Atëherë Muhammedi a.s. e ndanë veç dhe me fjalë të buta e pyet se pse e bën këtë. Ai i përgjigjet se ka nevojë të ushqehet. Atëherë Muhammedi a.s. i thotë që herave të tjera të mos gjuajë me gurë, porse të marrë nga ato që kanë rënë përtokë. Më pas Muhammedi a.s. ia ledhaton kokën dhe ia drejton Zotit këtë lutje: „O Allah, ngija barkun këtij fëmije!“
Disa urtësi pedagogjike që mund të nxirren nga kjo ngjarje:
– Fëmijët mësojnë në forma të ndryshme: duke parë, duke dëgjuar, duke marrë këshilla e mësime etj. prej të rriturve, por edhe duke gabuar vetë.
– Të rriturit, prindërit ose të tjerët, duhet të jenë të vetëdijshëm se fëmija mund dhe ka të drejtë të gabojë. Ata duhet të kenë mirëkuptim dhe tolerancë për këtë. Le ta kujtojë secili i rritur fëmijërinë e vet! Sa herë ka gabuar dhe sa ka mësuar nga gabimet e veta.
– Ndaj gabimeve të fëmijëve duhet reaguar me butësi dhe me qëllim edukimi e mësimi, e jo duke e qortuar apo dënuar atë. Dënimi, aq më shumë dhuna, nuk kanë vend në edukim. Pra, fëmijës me butësi duhet treguar se vepra e tillë është gabim, porse vetë fëmija është i mirë dhe me vlerë. Duhet bërë dallimin midis personalitetit të fëmijës dhe veprave ose sjelljeve të tij. Duhet vlerësuar, respektuar dhe dashur fëmijën, por korrigjuar duhet vetëm veprën ose sjelljen jo të mirë të tij.
– Fëmija ka nevojë t’i mësojë kufijtë e tij, se çka guxon, çfarë ka të drejtë dhe çka nuk guxon, çfarë nuk ka të drejtë të bëjë. Mësimin e këtyre gjërave të rriturit duhet ta bëjnë me butësi e me dashuri, para së gjithash edhe duke ua argumentuar fëmijëve, pra duke u treguar se pse e ndaluara është e ndaluar, cilat janë pasojat e njërës dhe të tjetrës.
– Trajtimi i problemeve dhe gabimeve duhet bërë mundësisht në vendin e ngjarjes, pa vonesë si dhe drejtpërdejtë. Biseda ose komunikimi të bëhet sy më sy me fëmijën. Kjo e çon atë të kuptojë se nga i rrituri po merret seriozisht dhe se po vlerësohet dinjiteti dhe integriteti i tij. Biseda të mos shtyhet pa arsye për më vonë dhe mundësisht jo me ndërmjetës. Përveç rasteve kur ka nevojë për ndihmën dhe mbështetjen e njerëzve profesionalë.
– Tërheqjen e vërjetjes dhe qortimin eventual duhet bërë veç, në mënyrë diskrete dhe jo në sytë e të tjerëve. Me këtë ruhet privatësia e bisedës, shtohet besimi i të rriturit dhe vetëbesimi i fëmijës, si dhe sigurohet që biseda ose komunikimi të zhvillohet me sinqeritet e të përfundojë me sukses. Gabimi pranohet më lehtë kur atë e marrin vesh më pak njerëz. Përndryshe, rrezikohet që, për të mos e humbur fytyrën para të tjerëve, fëmija të gënjejë, të mos e thotë të vërtetën dhe ngjarja të marrë një epilog të padëshiruar. Kjo ishte arsyeja pse Muhammedi a.s. e ndau veç dhe bisedoi sy më sy me Rafiun.
– Në rast të gabimit, fëmijën duhet pyetur së pari, nëse e di se veprimi i tillë është gabim? Ka mundësi që fëmija nuk e di se një gjë e tillë nuk bën, se është e ndaluar.
– Pastaj, duhet pyetur për arsyen dhe qëllimin e atij veprimi. Ka mundësi që fëmija e di se një gjë e tillë është e ndaluar, se është gabim, mirëpo, sipas mendimit të tij, ka prioritete që ia lejojnë këtë. Muhammedi a.s. e pyeti Rafiun se pse e bënte këtë, për të marrë vesh arsyen që e kishte shtyrë të gjuante hurmat me gurë. Me këtë rast Muhammedi a.s. kuptoi se arsyeja e gjuajtjes me gurë nuk ishte dëmtimi i drunjve të hurmave, porse uria dhe nevoja për ta ngopur barkun. Pra, fëmija nuk kishte qëllim të keq, porse ishte i papjekur sa duhet për të kuptuar pasojat e atij veprimi.
– FËMIJËS KUR T’IA NDALOSH DIÇKA, DUHET T’IA TREGOSH EDHE ALTERNATIVAT SE ÇFARË GUXON TË BËJË. Kjo është shumë me rëndësi gjatë procesit të edukimit, prandaj edhe e shkrova me germa të mëdha. Një fëmijë nuk rritet e nuk edukohet shëndoshë, nëse atij i drejtohemi vetëm me „JO!“ dhe me „MOS!“, pra vetëm me ndalesa. Qartë, ai duhet t’i mësojë ndalesat, por atij mundësisht gjithmonë t’i tregojmë pse të mos e bëjë këtë ose atë veprim dhe t’i tregojmë alternativat, se çfarë guxon, çfarë mund dhe çfarë do të ishte më mirë të bënte, në krahasim me atë që ia ndalojmë. Prandaj, Muhammedi a.s. ia ndaloi Rafiut të mos gjuante me gurë në pemë, por njëkohësisht ia lejoi të merrte nga ato hurma që kishin rënë përtokë. Nuk ia ndaloi krejtësisht ngrënien e hurmave, por i tha të merrte nga ato të pjekurat e rëna në tokë. Gjatë gjuajtjes me gurë, kishte mundësi të binin hurma të papjekura dhe këto pastaj ta sëmurnin fëmijën. Tjetra, gjatë gjuajtjes me gurë, bëhej dëmtimi i pemëve. Muhammedi a.s. ia mësoi fëmijës me këtë edhe rëndësinë e ruajtjes së natyrës dhe të ambientit. Të gjitha këto Muhammedi a.s. i bëri jo me direktiva të prera, porse me butësi dhe në mënyrë shoqëruese dhe orientuese.
– Ledhatimi i kokës ose i ndonjë pjese të trupit të fëmijës, jashtë atyre intime, në shenjë respekti e dashurie njerëzore, nuk duhet të shihet si abuzim me fëmijën, porse si një afërsi dhe vlerësim i sinqertë. Kufijtë e kontaktit fizik ose trupor të një të rrituri me një të rritur, të një fëmije me një fëmijë, të një të rrituri me një fëmijë, në shkollë ose në ndonjë ent tjetër edukativ, në vend pune ose në ndonjë institucion përkujdesjeje, përcaktohen dhe rregullohen me norma e sandarde lokale. Në disa vende e kultura këta kufij janë më të ngushtë dhe më rigorozë, në disa të tjera më të gjerë e më të lirshëm. Varësisht nga vendi dhe specifikat kulturore të atij vendi, duhet pasur kujdes me prekjet dhe kontaktet fizike, në mënyrë që të mos kalohet në veprime abuzive dhe penale.
– T’i lutesh Zotit për dikë tjetër është një gjest i një mirësie dhe dashurie të madhe që e ke ndaj dikujt. Pikërisht për lutjen që dikush e bën për tjetrin në mospraninë e tij, na garanton Pejgamberi a.s. se ajo do të jetë e pranuar tek Allahu xh.sh. dhe se ajo do të plotësohet. Por edhe lutjen që e bëjmë në prani të tjetrit, shpresojmë të pranohet te Zoti dhe të ketë efekt pozitiv te personi për të cilin lutemi. Kjo e shton afërsinë, ngrohtësinë, shoqërinë, miqësinë e dashurinë midis tyre, në radhë të parë. Muhammedi a.s. pikërisht këtë e bëri me Rafiun. Iu lut Zotit për të në praninë e tij, duke ia ledhatuar kokën. Një lutje e sinqertë e një pejgamberi të Zotit për një fëmijë. Pejgamberi a.s. nuk e qortoi Rafiun e vogël, nuk i bërtiti, nuk e dënoi dhe aq më pak nuk e mallkoi ose nuk e nëmi atë, por u lut për të. Për fat të keq, disa prindër fetarë, mundohen t’i edukojnë fëmijët e tyre duke i kërcënuar ata me ashpërsinë ose me dënimin e Zotit. Ata nuk ngurojnë t’u thonë fëmijëve të tyre në rast padëgjueshmërie ose në rast të ndonjë gabimi të tyre: „Mos e bëj këtë, se Zoti t’i nxjerr sytë! … se Zoti të shiton e të shëmton! … se Zoti do të të djegë në zjarr Xhehennemi! … se Zoti të shndërron në kafshë!“ e kështu me radhë. Disa prindër madje edhe i mallkojnë (nëmin) fëmijët e tyre: „Zoti të shitoftë!“, „Zoti t’i marrtë sytë e të bëftë qorr!“, „Zoti ta theftë qafën, kokën, këmbën!“ etj. Në Perëndim kjo njihet me termin „pedagogji e zezë“. Të gjitha këto janë të ndaluara në Islam, jo vetëm në raport me fëmijët, por edhe me të rriturit. Muhammedi a.s. ka thënë: „Mos e mallkoni vetveten tuaj! Mos i mallkoni fëmijët tuaj! Mos e mallkoni mallin, pasurinë, tuaj! Mos i mallkoni shërbëtorët (punëtorët) tuaj! Ndodh që këto t’i bëni në një kohë kur Allahu i pranon lutjet.“ (Muslimi & Ebu Davudi) Mallkimet janë po ashtu lutje drejtuar Zotit, jo për të mirën, por për fatkeqësinë e tjetrit. Atyre duhet t’u ikim gjithmonë, jo vetëm për arsyen se ato edhe mund të realizohen e të plotësohen, për çka mund të pendohemi më vonë, por në radhë të parë për arsye se me këtë ne i prishim raportet me njëri-tjetrin, e humbim besimin dhe mbështetjen ndaj njëri-tjetrit. Ndërkaq ne si qenie sociale kemi nevojë gjithmonë për tjetrin. Nuk mund të jetojmë përgjithmonë të vetmuar.
Shpresoj që, me fillimin e vitit shkollor, edhe një herë t’i rikujtojmë disa parime, rregulla e norma të pedagogjisë së përgjithshme dhe të asaj fetare islame, nën dritën e ngjarjes së Rafi‘ bin Amrit r.a.
Për hajr viti i ri shkollor dhe shumë suksese!
Kreuzlingen, më 13 gusht 2024