Connect with us

OP / ED

Në vend të biçikletës, një granatë! – Nga ENIS MURTEZANI

Published

on

Më 19 maj të vitit 1996, begatia e Zotit i gëzoi pamasë dy prindër – solli në jetë Erxhan Aliun. Ndërsa pak orë më vonë, në të njëjtin spital të Shkupit dhe në të njëjtën sallë të lindjes, pas një dhimbjeje të shpejtë, por për një lumturi të madhe, shkoi edhe nëna ime: unë erdha në këtë botë të nesërmen, më 20 maj të vitit 1996.

Si rrjedhojë, atë ditë në dhomën e fëmijëve të sapoardhur në jetë, momentet kur nëna e Erxhanit i ofroi një gotë ujë nënës time, atëherë kur ato po bisedonin për ne, foshnjet që po qanin pa pushim, dhe vetë kurioziteti që ishim lindur me vetëm një ditë dallim, sikur dëshmonin vetëm për fillimin e një rrugëtimi të përbashkët dramatik timin me Erxhanin, si dy fëmijë, fqinjë dhe shokë të ngushtë, që dukej sikur ishim të destinuar të rriteshim, luanim, e të shijonim çdo moment të fëmijërisë sonë së bashku.

Ashtu siç ne po rritnim shtatin fluturimthi, edhe koha po kalonte me vrap. Kështu, për aktin tjetër të veçantë nga kujtesa ime për historinë që po e shpalos, kërcejmë në gushtin e vitit 2001. Saktësisht në 9 gushtin e këtij viti. Atëherë kur dielli po ndriçonte dhe ne fëmijët po luanim: ishim të hipur mbi biçikleta nga ana e kopshtit tim unë dhe D.M, ndërsa A.M dhe H.M ishin në këmbë, kurse Erxhan Aliu me Z.R në atë moment ishin diku 15 metra më andej, thuajse të ngjitur me murin e shtëpisë së Z.R, po ashtu në këmbë. Aty kishte edhe njerëz të tjerë të rritur që po kryenin punët e tyre ditore, njëherit edhe dëshmitar të ngjarjes të cilën po e tregoj. Kështu, derisa ne po argëtoheshim me biçikletat tona, Erxhani, me një pafajësi fëmijërore dhe në mënyrë tekstuale, tha: “Ene mue baba jem nesër ka me ma gji ni toçak”!

Sot, sa shumë do të doja të thoja se këto ishin vetëm fjalë të një fëmiju që thjeshtë lakmon për një gjë të momentit që nuk e ka. Por, jo. Këto ishin fjalët e thjeshta, të ngrohta, e të mbushura me ëndrra dhe shpresa për jetë të Erxhanit. Fjalë të cilat nuk e dija që bashkë me tingujt dhe fotografinë e momentit do të nguliteshin në kokën time përgjithmonë. Pse? – Pasi që ishte dita e fundit që ne do të loznim së bashku. Po! – Dita e fundit.

E nesërmja, 10 gusht 2001.
Mua edhe Erxhanit askush nuk na kishte thënë që situata politike nuk qenkësha e mirë. As që shteti neve nuk na dashka. Nuk e di, ndoshta edhe po t’na thonin ne nuk do ta kuptonim. Ashtu, në një moment të asaj dite të kobshme unë isha në oborrin tim. Nuk e mbaj mend nëse po e prisja Erxhanin të takoheshim dhe të loznim së bashku, ashtu si shumë ditë të jetës tonë të shkurtër që e kishim kaluar, por e di saktë që fillova të dëgjoj krisma. Të mëdha. Shumë të mëdha. Dhe, pas disa diskutimeve të shpejta mes anëtarëve të familjes se nëse dikush po gjuante drejtë vendbanimit tonë të vogël, apo ishte thjeshtë ndonjë “вежбa” (ushtrim*) që po e bënte shteti maqedon. Aty unë u largova shpejt nga oborri Erxhan. Pasi që ata nuk po bënin ushtrime. Ata po na gjuanin neve Erxhan. Ata nuk donin të na lejonin të loznim atë ditë. Ata po gjuanin drejtë ty Erxhan. Ndodhi më e keqja. Ata të vranë, ty Erxhan. Kështu më thanë. Të tjerët ma thanë këtë derisa isha me shumë njerëz në një dhomë të errët nën tokë, ku dëgjoheshin vetëm pëshpërima lutjesh. Më thanë edhe se me një granatë e bën copa-copa trupin tënd të njom Erxhan, m’u aty te vendi ynë, ku loznim më së shumti.

Ato ditë pastaj Erxhan, dëgjova edhe për gjëra tjera të trishta, pash zjarre, tym, dëgjova edhe piskama, pash edhe kufoma, pash civil të arrestuar, pash edhe familjar të rrahur keq, pash lot, pash edhe shumë gjëra tjera që ende më qëndrojnë në memorie, e të cilat ndoshta edhe mund t’i tregoj dikur, por për këtë përvjetor, e zgjodha këtë tënden, këtë me ty, këtë tonën.

Tani ende e kam para pamjen tënde. Zërin tënd. Të freskëta edhe historitë e dëgjuara për ty. S’dua t’i harroj. E si t’i harroj? – Si t’i harroj ato shumë e shumë herë që kaloja përreth shtëpisë tënde Erxhan, e nëna ime ma ulte kokën që mos t’më sheh nëna yte, se mos rastësisht do të mendon se sa do të ishte bërë sot djali i saj po të ishte ende gjallë?! Si?

Atë ditë ndoshta unë mund të isha ti Erxhan. Por për sot, jam i sigurt se je lartë diku në një vend të bukur, duke lozur me një biçikletë.

P.S. Shkrimi publikohet me lejen paraprake të familjes për 23 vjetorin e “Masakrës së Lubotenit” – Shkup.

NA NDIQ NË FACEBOOK