Religjion
Ne punojmë këtu, kurse atje i vjelim frytet
Ekzistojnë dy botë ku njeriu jeton, kjo botë dhe bota tjetër (dynjaja dhe ahireti). Gjendja e botës tjetër është e ndryshme nga jeta e kësaj bote. Njerëzit jetojnë në të dy botët, por këto jetë nuk janë të njëjta. Jeta e kësaj bote i nënshtrohet lëvizjeve dhe ndryshimeve të vazhdueshme. Krijesat e Allahut rriten dhe zhvillohen. Njeriu kalon nëpër faza të jetës: fëmijëri, rini, pjekuri, pleqëri dhe më pas vdes. Këtu, në këtë botë, vetëm pleqëria është edhe e dëshiruar edhe e urryer në të njëjtën kohë. Të rinjtë dëshirojnë të plaken, kurse të moshuarit e urrejnë pleqërinë sepse e dinë se pas saj vjen vdekja. Kjo botë është kalimtare, kurse bota tjetër është e përjetshme.
Në këtë botë vdekja është e përzier me jetën. Në botën tjetër nuk ka vdekje. Në këtë botë gjërat e ndryshojnë formën dhe gjendjen, e gjalla bëhet e vdekur, kurse nga e vdekura Allahu krijon të gjallen. Trupi ynë, i cili tani është i gjallë, i përkiste materies së vdekur. Kur shpirti ta braktisë, ai do të kthehet në botën e vdekur. Në botën tjetër, çdo gjë është jetë. Atje çdo gjë është e gjallë. Ajo botë është qenie e gjallë dhe gjithçka në të është vetë jeta. Organet tona në botën tjetër do të kenë vetëdije dhe do të flasin. “Sot Ne do t’ua vulosim atyre gojët e do të na flasin duart e tyre dhe do të dëshmojnë këmbët e tyre për atë që kanë bërë.” (Jasin, 65) Atje, madje edhe zjarri është i gjallë, ka ndjenja dhe është aktiv. Kurani thotë: “Atë ditë Ne do ta pyesim Xhehenemin: “A u mbushe?” e ai do të përgjigjet: “A ka edhe më?” (Kaf, 30)
Ne nuk mund të bëjmë asgjë në këtë botë e që frytet e punës sonë të mos na presin në botën tjetër. Në botën tjetër nuk ka fitim. Rezultatet e provimit publikohen atje. Nëse ndonjë student kërkon të mësojë gjatë kohës së provimit, atij do t’i thuhet se koha e mësimit ka mbaruar, kurse tani është koha për vlerësim. Hazreti Aliu (r.a.) ka thënë: “Sot është koha e punës jo e llogarisë, kurse nesër do të jetë koha e llogarisë dhe jo e punës.” Trupi i njeriut, mendja dhe forca i janë dhuruar si mjete për punë, dhe ai, ato duhet t’i shfrytëzojë para se t’i mirren, para se trupi ynë të shpërbëhet në errësirën e varrit. Kur të kalojë afati dhe shpirti të largohet nga trupi, njeriu i devijuar do të thotë: “… O Zoti im, më kthe, – që të bëj vepra të mira në botën që kam lënë…!” (el-Mu’minun, 99-100) Përgjigja do të jetë negative, sepse ashtu siç nuk është e mundur një fryt i rënë të vendoset përsëri në degën e saj, ashtu nuk është e mundur që një njeri të kthehet në këtë botë pas vdekjes.
Në këtë botë ne jemi bashkësi. Ne i referohemi njëri-tjetrit. E mira që bëjnë individët i sjell dobi edhe bashkësisë dhe anasjelltas. E keqja që bëjnë njerëzit e rrezikon shoqërinë në tërësi. Jeta në shoqëri e imponon detyrimin për të penguar njëri-tjetrin nga veprat e këqija, sepse rezultati i atij veprimi të keq ndihet në të gjithë shoqërinë. Ndikimin e mëkatit të kryer nga një individ në shoqëri Pejgamberi (savs) e ka shpjeguar me shembullin e një pasagjeri i cili e shpon anijen, kurse pasagjerët e tjerë në anije mendojnë se kjo nuk është punë e tyre. Një qëndrim i tillë ndaj mëkatit dhe tolerimi i tij në shoqëri i çoi ata në vdekje. Nëse do ta kishin penguar, atëherë do të kishin shpëtuar edhe veten edhe atë. Në botën tjetër është ndryshe. Atje askush nuk do t’i shfrytëzojë frytet e punës së të tjerëve dhe, as nuk do të vuajë për mëkatet e të tjerëve. Ajo botë i ndan të mirët nga të këqijtë, mëkatarët nga bamirësit. Aty do të thuhet: “… Veçohuni sot ju, o kriminelë!” (Jasin, 59) Në botën tjetër askush nuk do ta bartë barrën e dikujt tjetër. Secili do të shijojë shpërblimin ose dënimin sipas asaj që ka vepruar këtu. Midis atyre që e kanë fituar Xhenetin si shpërblim, do të ketë afërsi të cilën Kurani e përshkruan me fjalët: “… Ata do të rrinë ulur si vëllezër përballë njëri-tjetrit në divane.” (el-Hixhr, 47) Midis mëkatarëve do të mbretërojë neveri dhe armiqësi. Kurani këtë e përshkruan kështu: “… Kurdo që një popull do të hyjë në zjarr, do të mallkojë të tjerët që kanë hyrë para tij…” (el-A’raf, 38)
Në këtë botë, shumë shpesh, në poste respekti dhe fame, janë njerëzit që posedojnë pasuri, pushtet ose janë nga një familje ose fis i respektuar. Pozita e tyre në shoqëri nuk justifikohet nga vlera e tyre personale, por nga ndonjë faktor i jashtëm që nuk do të thotë asgjë në botën tjetër. Bota tjetër njerëzit i vlerëson sipas asaj që janë në vetvete, sipas fesë, bindjes, sjelljes dhe punës së tyre. Njerëzit e këqij, të pabindur dhe të shthurur moralisht, të cilët mund të respektohen në këtë botë nga rrethi i tyre, në botën tjetër ata do të sillen në një pozitë poshtëruese. Mëkatarët, tiranët, ata që gëzonin pozita të larta këtu dhe i shikonin të tjerët me dyshim dhe i përçmonin ata që jetonin moralisht, do të befasohen kur nuk do t’i shohin bashkë me ta në vuajtjet dhe mundimet e botës tjetër edhe ata që i konsideronin më të ulët dhe të parëndësishëm. Allahu i Plotfuqishëm thotë: “… Pse nuk po i shohim njerëzit, që ne i quanim të këqij, – dhe i përqeshnim apo na kanë humbur sysh?” (Sâd, 62-63) Ibni Abasi (r.a.) transmeton: “Ebu Xhehli do të thotë: ‘Ku është Bilali, ku është Suhejbi, ku është Amari?” “Në pjesën më të mirë të Xhenetit”, atij do t’i thuhet.
Ne në këtë botë jemi me vullnetin e Allahut. Ai na krijoi kur dëshiroi. Koha që Ai ka përcaktuar për ne për qëndrimin tonë në këtë botë, është më e mira për ne dhe, Ai, i Plotfuqishmi, do të bëjë që të largohemi nga kjo botë në momentin më të mirë për ne. Kjo është ajo që na mëson Pejgamberi (savs) dhe ne e besojmë. Ne e kemi për detyrë që kohën, trupin, mendjen dhe forcën që na i ka dhuruar Allahu, të gjitha t’i shfrytëzojmë në shërbim të botës tjetër.
Allahu i Plotfuqishëm na ka dhënë formën. Ai është el-Musavvir. Njeriun e ka krijuar në formën më të bukur. Ne nuk kemi mundur të ndikojmë se si do të dukemi, sa do të jemi të gjatë, çfarë tipare të fytyrës do të kemi, çfarë ngjyre lëkure, flokësh… Me veprimet tona në këtë botë, ne e pikturojmë veten tonë për botën tjetër. Ne ndikojmë se si do të dukemi në botën tjetër. Në përmbledhjen e haditheve të Muslimit, thuhet se Abdullah bin Omeri (r.a.) ka transmetuar nga Pejgamberi (savs) i cili ka thënë: “Njerëzit do të ringjallen sipas veprave të tyre.” Kjo do të thotë, se pamja jonë fizike tek ringjallja do të varet nga zhvillimi ynë moral dhe shkalla e bindjes ndaj Krijuesit.
O Allahu i Plotfuqishëm, na forco në rrugën që çon tek “… Ata që do të rrinë ulur si vëllezër përballë njëri-tjetrit në divane.” (el-Hixhr, 47) Amin!
Hatib: Izet-ef. Čamdžić
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)