Connect with us

Lajme

Edhe një dorëheqje në RTK, Arta Berisha largohet nga bordi

Publikuar

Ditën e sotme ka dhënë dorëheqje Besnik Boletini, ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit dhe anëtarit të Bordit të RTK-së.

Pas, kësaj edhe anëtarja e Bordit të RTK-së Arta Berisha, ka njoftuar për largimin e saj nga ky bord.

Ajo tha se vendimin e mori pasi raporti i Komisionit të RTK-së është i qartë dhe tregon se në rastin e fundit – botimin e një teksti të paverifikuar dhe të plasuar fillimisht nga një medium tjetër – janë shkelur standardet profesionale të gazetarisë.

Sipas saj bordi është gënjyer.

Këto dorëheqje kanë ardhur pas kritikave të shumta për publikimin e një lajmi në këtë medium pa plotësuar standardet për publikim. Lajmi ishte marrë nga “Slobodna Bosna”, përmes të cilit pretendohej se dy portalet, Nacionale dhe Periskopi financohen nga Serbia.

Postimi i plotë i saj:

“Sot, pas mbledhjes së Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), kam dhënë dorëheqje nga funksioni i anëtares së Bordit të RTK-së.

Për mua ka qenë përgjegjësi e madhe dhe nder të jap kontributin tim profesional në përpjekjen që transmetuesin publik ta avancojmë drejt një shtëpie informative në shërbim të së vërtetës, edukimit dhe emancipimit shoqëror

Falënderoj Kuvendin e Republikës së Kosovës për besimin e dhënë për të qenë pjesë e autoritetit më të lartë drejtues të RTK-së.

Duke qenë mbështetëse e standardeve profesionale në gazetari, të cilat i kam respektuar maksimalisht qoftë si gazetare aktive, qoftë si anëtare e Bordit të RTK-së, për mua ka qenë e paparanueshme që shkelësit e standardeve profesionale të kalojnë pa u ndëshkuar sipas rregulloreve të RTK-së.

Raporti i Komisionit të RTK-së është i qartë dhe tregon se në rastin e fundit – botimin e një teksti të paverifikuar dhe të plasuar fillimisht nga një medium tjetër – janë shkelur standardet profesionale të gazetarisë, për më keq: bordi është gënjyer. Kjo për mua është e patolerueshme. Shpresoj se praktika e mosndëshkimit të mos rikthehet në RTK”.