Bota
Tronditëse/ Gjenden pajetë brenda hotelit luksoz 6 persona, ja dyshimet e para

Gjashtë persona, përfshirë dy vietnamezë amerikanë, janë gjetur të vdekur brenda një dhome hoteli luksoz në Bangkok. Policia tajlandeze po shqyrton mundësinë që ata të kenë humbur jetën nga helmimi.
Trupat u zbuluan nga personeli në një dhomë të katit të pestë në hotelin Grand Hyatt, pasi të ftuarit humbën kohën e daljes për më shumë se 24 orë.
Policia tha se ngjarja nuk duket të jetë një grabitje dhe asnjë prej trupave nuk kishte shenja të dhunës fizike, ndërsa po ashtu kanë hedhur poshtë dyshimet e vetëvrasjes.
Thiti Saengsawang, komisioner i Policisë Metropolitane të Bangkokut, tha se gota me gjurmë të një pluhuri të bardhë ndodheshin në dhomë, së bashku me ushqime të paprekura që ishin porositur më herët. Nuk përjashtohet edhe helmimi, tha ai. Autoritetet aktualisht janë në kërkim të personit të shtatë që ishte pjesë e prenotimit të hotelit dhe tani është një i dyshuar i mundshëm.
Departamenti Amerikan i Shtetit tha se ishte “në dijeni të raporteve për vdekjen e dy shtetasve amerikanë në Bangkok”.
“I shprehim ngushëllimet tona të sinqerta familjeve për humbjen e tyre. Ne jemi duke monitoruar nga afër situatën dhe jemi të gatshëm t’u ofrojmë ndihmë konsullore atyre familjeve“, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller në një konferencë të martën.
Miller tha se nuk e dinte nëse vdekjet erdhën gjatë telefonatës së Sekretarit të Shtetit Antony Blinken me homologun e tij tajlandez, pasi telefonata mund të ketë ndodhur përpara se agjencia të kishte dijeni për vdekjet.
Vitin e kaluar Sararat Rangsiwuthaporn, një grua tajlandeze e cila u arrestua me dyshimin për vrasjen e shoqes së saj me cianid, u akuzua për të paktën 13 akuza për vrasje me paramendim, në një rast të veçantë helmimi që tronditi vendin.





















