Maqedoni
Rrjedhin afatet për formimin e qeverisë së re e cila do t’i ketë 20 ministri
Pasi mandatarin për formimin e qeverisë të enjten e mori mandatari Hristijan Mickoski, ndërsa natën e premte dhe të shtunë në Kuvend kaluan ndryshimet në Ligjin për riorganizimin e administratës shtetërore, po rrjedhin afatet për formimin e qeverisë së re.
Gjatë marrjes së mandatit, Mickoski njoftoi se qeveria e re do të formohet së shpejti dhe sipas pritjeve të tij do të formohet para afatit ligjor. Synimi kryesor i qeverisë, siç tha ai, do të jetë që të merret me reformat, të paralajmërojë ecurinë e gjërave në ekonomi, cikël të fortë investimesh, përmirësimin e kushteve në shëndetësi, arsim, bujqësi.
“Jam i bindur se në të ardhmen do ta ndryshojmë realitetin, do ta shndërrojmë Maqedoninë në një histori të suksesshme evropiane, një vend që do të jetë atdheu i të gjithë qytetarëve pa dallim etnie, përkatësie politike, një vend që do të jetë motiv dhe frymëzim për ata që janë larguar të kthehen”, tha Mickoski të enjten.
OBRM-PDUKM ka zhvilluar bisedime me koalicionin VLEN dhe ZNAM për formimin e qeverisë. Dihet ndarja e departamenteve dhe ende nuk janë bërë të ditur zyrtarisht emrat.
Qeveria e re do të ketë 20 ministri, katër më shumë se më parë. Me ndryshimet në Ligjin për Administratën Shtetërore, të cilat kaluan në seancën parlamentare të premten në orët e vona të mbrëmjes, do të riorganizohen ministritë.
Ndryshimet parashikojnë që segmenti i punës t’i bashkohet Ministrisë së Ekonomisë dhe seksioni i energjisë, minierave dhe burimeve minerale do të jetë në kompetencë të Ministrisë së re të Energjisë.
Ministria aktuale e Punës dhe Politikës Sociale do të shndërrohet në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë dhe kompetencat për turizmin do të jenë nën Ministrinë e re të Kulturës, e cila do të quhet Ministria e Kulturës dhe Turizmit.
Do të krijohet një Ministri për Transformimin Dixhital, e cila do të pasojë Ministrinë e mëparshme të Teknologjisë Informative dhe Administratës, si dhe Ministrinë e Sporteve.
Ndryshimet në Ligjin për organizimin e punës së administratës shtetërore u miratuan me shumicë prej dy të tretash dhe u votuan nga OBRM-PDUKM, VLEN dhe ZNAM, si dhe deputetët nga Fronti Evropian.
BDI-ja votoi për ndryshimet sepse paraprakisht, siç informuan nga OBRM-PDUKM, ishte arritur marrëveshje që në kohën e duhur të formohet një komision ad-hoc i cili do të monitorojë përfaqësimin e drejtë të të gjitha bashkësive etnike në organet e administratës shtetërore. Kryetari i këtij komisioni, siç thuhet në njoftim, do të jetë me propozim të opozitës.