Lajme
Kastrati: Përfundimi i luftës është fundi i gjenocidit ndaj Kosovës
Janë bërë 25 vjet nga përfundimi i sulmeve të NATO-s kundër ish-Jugosllavisë, që shënuan fundin e gjenocidit të Millosheviqit ndaj popullit të Kosovës.
Gjeneral Kadri Kastrati, ish-komandant i FSK-së dhe njëri nga ish-drejtuesit e UÇK-së në zonën e Llapit, tha se dita e përfundimit të luftës është fundi i gjenocidit të ushtrisë dhe policisë së Millosheviqit ndaj popullit të Kosovës.
Ai ka evokuar kujtimet e 25 viteve më parë, duke theksuar se me sukses i kanë kryer operacionet ushtarake. Ai foli për luftën që UÇK-ja bëri dhe për aleatët: “Ne, me ndihmën e NATO-s, arritëm ta çlirojmë Kosovën”, tha ai. Kastrati bëri të ditur se më 10 qershor UÇK-ja hyri në Prishtinë.
Gjenerali Kastrati tha se kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me NATO-n dhe se nuk kishte besuar se lufta do të zgjaste mbi 2 muaj.
“Ne kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm, personalisht dhoma ime ka qenë në kontakt me Komandën e NATO-s në Kumanovë. Dy herë në ditë kemi kontaktuar me telefon satelitor,” theksoi ai.
“Nuk kam besuar se lufta do të vazhdonte për 78 ditë. Ne e dinim se fundi i luftës ishte afër; furnizimet na ishin shterrur, nuk kishim ushqime dhe kishim njerëz të plagosur,” theksoi gjeneral Kadri Kastrati. /RTK