Lajme
Kasami: Lidhja është gjallë edhe sot, shqiptarët po bëjnë ndryshime
Kryetari i Lëvzijes BESA, Bilall Kasami duke kujtuar përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit tha se kjo lidhje është akoma gjallë edhe sot duke potencuar faktin se shqiptarët të bashkuar po bëjnë ndryshime të mëdha në çdo hapësirë.
“146 vite më parë, atdhetarët e shquar të kohës nga të gjitha viset e shqiptarisë mbajtën Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit. Të organizuar si kurrë më parë, në këtë Kuvend ata e dhanë besën se nuk do u nënshtrohen politikave të forcave që duan shkatërrimin e shqiptarëve dhe Shqipërisë. Edhe ndaj kësaj Lidhje kishte shumë armiq e tradhtarë, por shqiptarët kurrë nuk u mposhtën. Falë Lidhjes së Prizrenit sot shqiptarët kanë dy shtete të pavarura dhe janë faktori kyç në Ballkanin Perëndimor.
Ne e kemi obligim që mos ta harrojmë amanetin e të parëve tanë, i cili u vazhdua nga Liderët e Lidhjes së Prizrenit, Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri dhe Sulejman Vokshi e deri tek Adem Jashari. Lidhja është e gjallë edhe sot, dhe shqiptarët të bashkuar po bëjnë ndryshime të mëdha në çdo hapësirë shqiptare, me qëllim faktorizimin sa më të madh në rajon dhe unifikimin në BE”, ka shkruar Kasami.