Connect with us

Sport

Minikampionati në Roskovec, shembulli ideal për sportin e futbollit

Publikuar

Kupa “Ermeli Auto” ishte një minikampionat i zhvilluar këtë fundjavë në fshatin Suk të Bashkisë Roskovec. Një organizim që fare mirë mund të jetë një shembull edhe në zona të tjera, kryesisht rurale të Shqipërisë ku të tilla aktivitete janë vërtetë të rralla.

Ky ishte një minikampionat i luajtur mes katër skuadrave që përfaqësonin katër fshatra të zonës. Përveç skuadrës së fshatit mikpritës ishin edhe tre skuadra të tjera: Samaticë, Drenovicë dhe Goriçan. Ishte një minikampionat i luajtur jo vetëm për të rritur por edhe për fëmijë sërish me katër skuadra pjesëmarrëse.

Lexo edhe:

Bëhej fjalë për një kampionat amator, por surprizat madje edhe merkato nuk mungonte. Si pjesë e skuadrës së Goriçanit ishte edhe futbollisti i Tomorit, Xhoel Vrapi që vjen nga ky fshat. Po ashtu skuadra e fshatit Goriçan kishte bërë merkato edhe te skuadra e Osumit që luan në Kategorinë e Dytë duke afruar dy futbollist të huaj.

 

Minikampionati u luajt në fazën gjysmëfinale ku Drenovica kaloi në finale pas gjuajtjes së penalltive me ndeshjen e mbyllur në barazim 2-2. Ndërsa Goriçani mundi 4-2 Samaticën. Ndeshja finale ishte e bukur dhe shumë e luftuar dhe pikërisht do të ishte Goriçani që me fitoren 2-1 ngriti edhe kupën e kampionatit. Me të njëjtin format u luajtën edhe ndeshjet e minikampionatit për fëmijë, por këtu në fund fituesit ishin fëmijët e fshatit Suk.

Në fund nuk mungoi edhe as ceremonia e shpërndarjes së Kupës dhe medaljeve për fituesit. Por fitorja e vërtetë e këtij organizimi ishte pjesëmarrja e një numri të konsiderueshëm tifozësh nga fshatrat përkatëse, që kishin ardhur për të ndjekur nga afër ndeshjet dhe për të mbështetur djemtë e tyre.

NA NDIQ NË FACEBOOK