Lajme
Misteri i viktimës së dytë nga aksidenti në Itali, gruaja që ishte me DJ nga Kosova s’po mund të identifikohet
Policia italiane ka konfirmuar se 41-vjeçari nga Kosova që banonte në Villeneuve të Zvicrës, Hysni Qestaj është një nga dy të personat që vdiqën në aksidentin e rëndë në orët e hershme të së dielës në Italinë veriore.
Ai ishte në veturën Ferrari GTC4 së bashku me një grua, e cila nuk është identifikuar ende. Nuk është gruaja e tij. Të dytë u dogjën brenda veturës.
Vetura doli nga rruga në autostradën Ivrea-Santhia menjëherë pas tunelit Passo d’Avenco në drejtim të Milanos. Matjet e para bënë të mundur të konstatohet se ai po lëvizte me një shpejtësi midis 200 dhe 250 kilometra në orë. Përplasja në anësoren e autostradës Ivrea-Santhia e ndau veturën përgjysmë: pjesa e përparme u thërrmua e më pas u përpi nga flakën, ndërsa pjesa e pasme u hodh pesëdhjetë metra larg, raportojnë mediat italiane.
Mediumi italian, Rai shkruan se shoferi u identifikua, ndërsa gruaja, e cila mendohet se ishte në anën e pasagjerit, ende jo. Të hënën, vëllai i drejtuesit të veturës u paraqit në stacionin e policisë rrugore Settimo Torinese për ta bërë identifikimin. Nuk ishte e lehtë, siç raportohet, pasi trupi ishte plotësisht i djegur. Ende asgjë nuk dihet, megjithatë, për viktimën e dytë të aksidentit, gjithashtu e djegur dhe e panjohur: për identifikimin e saj Prokuroria e Vercellit ka urdhëruar të bëhet një test i ADN-së.
Ka gjasa që Prokuroria e Vercellit, e cila po e heton aksidentin, të përgatisë edhe hetimet teknike për rrënojat e veturës për ta zbardhur dinamikën e aksidentit. Nga gjendja e veturës, sipas Rai është e sigurtë se ajo po lëvizte me shpejtësi shumë të madhe, aq sa zjarrfikësve iu deshën pesë orë punë për nxjerrjen e trupave të djegur dhe për ta hequr atë që kishte mbetur nga Ferrari.
Gazeta La Sentinella del Canavese, shkruan ndërkaq, se 41-vjeçari kishte lindur e banonte në Zvicër.
Dy trupave do t’u bëhet autopsia. Mediat italiane shkruajnë se të dy personat mbanin orë me rrip ari. Një detaj që mund ta ndihmojë prokuroren Mariaserena Iozzo.
Misteri i viktimës së dytë
Mediat italiane shkruajnë se viktima e dytë nuk është gruaja e kosovarit që vdiq në këtë aksident.
Siç raporton Torino Cronaca, gruaja që vdiq së bashku me Hysni Qestajn, DJ me profesion, nuk ishte gruaja e tij.
Por pse DJ Hysni Qestaj humbi kontrollin e Ferrarit të bardhë dhe u përplas?
Duket se një natë më parë ka performuar në një klub nate në kantonin Valais të Zvicrës. Muzika deri në agim, pastaj, ndoshta, shumë pak orë gjumë para vozitjes. Për më tepër, një makinë garash, një Ferrari që mund të arrijë shpejtësinë 335 kilometra në orë, shkruan Torino Cronaca.
Mediumi zviceran, Blick, shkroi dje se vëllai i Hysni Qestajt ka konfirmuar se vetura ishte e tij.
“Është e vështirë ta përshkruash me fjalë këtë person të madh dhe pozitiv. Por nëse do të më duhej ta përshkruaja me një fjalë, do të thosha se ai ishte personi më i dashur që e kam njohur”, tha ai.
Vëllai i Hysni Qestajt sapo kishte mbërritur në Suedi me familjen e tij, por më pas udhëtoi për në Zvicër.
Mediat në Itali raportojnë se bashkëshortja e Hysni Qestajt ndodhet në Kosovë, së bashku me fëmijët e çiftit, 11 dhe 14 vjeç. Vëllai i tij, megjithatë, saktësoi dje se ata ndodhen në Zvicër.
“Ne duam ta mbështesim gruan dhe fëmijët e tij. Ata janë në shtëpi në Zvicër”, tha ai për mediumin zviceran.