Connect with us

Religjion

VLEFSHMËRIA E AGJËRIMIT NËSE NJERIU FLE SHUMICËN E DITËS

Published

on




Pyetja:

A është agjërimi i vlefshëm nëse syfirin e presim zgjuar, ndërsa ditën e kalojmë duke fjetur në shumicën e kohës?

Përgjigjja:

Në këtë rast agjërimi do të jetë i saktë, pasi që plotëson kushtet themelore teknike të agjërimit. Mirëpo, se a do të vlejë ky agjërim në Mizanë (peshore), gjegjësisht se a do të jetë efektiv në përmirësimin e sjelljes së personit, në forcimin e besimit të tij, të islamit dhe të ihsanit, kjo është një pyetje tjetër. Për qëllimin e agjërimit, Kur’ani na thotë se “agjëroni që të bëheni të devotshëm”. (El-Bekare, 183). Çështja është se sa është e mundshme që devotshmëria apo vetëdija mbi Zotin të arrihet në qoftë se nata bëhet ditë e dita natë, d.m.th. duke dremitur dhe duke fjetur pjesën më të madhe të ditës kur agjërojmë. Çdo agjërues le të mendojë për këtë dhe të vlerësojë cilësinë dhe ndikimin e agjërimit të tij dhe në dritën e këtij vlerësimi le të rregullojë atë që duhet rregulluar dhe çfarë mund të rregullohet. “Vlerëso dhe pyet veten përpara se të vlerësohesh dhe të pyetesh nga të tjerët!” – thuhet në një traditë. “Kush e agjëron Ramazanin duke besuar me vendosmëri dhe duke shpresuar në shpërblimin e Allahut (imanen ve ihtisaben), atij do t’i falen mëkatet e mëparshme”, thotë Pejgamberi alejhisselam. Agjërimi është një ibadet i rangut shumë të lartë (“Agjërimi është i Imi dhe unë e shpërblej atë” – hadithi Kudsi) dhe duhet të kryhet seriozisht dhe me përkushtim në mënyrë që agjëruesi të arrijë qëllimet për të cilat është caktuar ky ibadet i rëndësishëm.

Prof. Enes Ljevakoviq, fetve-emini i Bashkësisë Islame të Bosnjës (2005-2023)

Përktheu: Hfz. Mehas Alija

(Islampress.ch)