Lajme
Reagim i “Hidrodrini” dhe sqarimi i Insajder-it


Pas publikimit të hulumtimit “Kontrata e dyshimtë e “Hidrodrinit” me IPKO-n, Prokuroria hap rast”, ka reaguar Ndërmarrja Publike “Hidrodrini”.
Në reagimin e tyre, ata nuk merren me faktin që një kontratë e kësaj Ndërmarrjeje Publike është nënshkruar pa procedura të prokurimit. As më faktin që Insajderi ka marr prononcim nga Prokuroria Themelore në Pejë që është hapur një rast hetimi për këtë kontratë. As më faktin që Insajderi i ka pritur për disa javë për të marrë përgjigje e nuk janë përgjigjur.
Krejt çka ata kanë reaguar është fjalia “Gazeta Insajderi ka siguruar nga Bordi një transkript se çka diskutuan ata në mbledhjen e 29 shkurtit të këtij viti”, që sipas tyre “Bordi i Drejtorëve e kundërshton këtë pretendim të gazetës, refuzon saktësinë e saj dhe e cilëson atë deklaratë shpifëse me karakter politik”.
Insajderi sqaron që, siç e konfirmon edhe vet reagimi, të njëjtit kurrë nuk janë përgjigjur, gjë që e thonë edhe vet, por Gazeta Insajderi ka arritur ta siguroi këtë dokument – transkriptin e mbledhjes, nga burime brenda Bordit të “Hidrodrinit”.
Në asnjë moment nuk është thënë që Bordi e ka dhënë këtë dokument, por “”Gazeta Insajderi ka siguruar nga Bordi një transkript se çka diskutuan ata në mbledhjen e 29 shkurtit të këtij viti”. Rrjedhimisht nga burimet brenda Bordit.
Edhe në artikull është sqaruar në detaje se nuk janë pranuar përgjigje.
“Gzeta Insajderi ka dërguar pyetje që nga 11 marsi i këtij viti në “Hidtrodrini”, ku në disa prej kërkesave e ka mbajtur të informuar edhe Ministren e Zhvillimit Ekonomik, Artane Rizvanolli. Deri tash nuk ka pranuar asnjë përgjigje nga ta për kontratën me IPKO-n. Insajderi ka kontaktuar edhe Kryeshefin Ekzekutiv, Dri Cena, por as ai nuk ka pranuar që të komentoj për këtë marrëveshje”, thuhet në artikull.
Por, për hirë të korrektësisë, Insajderi do ta publikoi të plotë reagimin e “Hidrodrinit”, në formën se si ai ka ardhur:
Reagimi i plotë:
KRU ‘HIDRODRINI’ Sh.A. Pejë
BORDI I DREJTORËVE
KOMUNIKATË PËR MEDIA nga BORDI I DREJTORËVE TË KRU ‘HIDRODRINI’ Sh.A. – Pejë
Demant ndaj Insajderit
Bordi i drejtorëve të KRU “Hidrodrini” Sh.A., reagon lidhur me publikimin e sotëm me titull “Kontrata e dyshimtë e “Hidrodrinit” me IPKO-n, Prokuroria hap rast’, në gazetën elektronike Insajderi.
Në këtë shkrim, në mes tjerash, pretendohet: cit/… “Gazeta Insajderi ka siguruar nga Bordi një transkript se çka diskutuan ata në mbledhjen e 29 shkurtit të këtij viti”.
Bordi i Drejtorëve e kundërshton këtë pretendim të gazetës, refuzon saktësinë e saj dhe e cilëson atë deklaratë shpifëse me karakter politik.
Më datë 11.03.2023, Bordi i Drejtorëve ka pranuar një email me pyetje konkrete për marrëveshjen me IPKO, dërguar nga gazetari Visar Duriqi. Ky gazetar nuk ka marrë nga ne asnjë përgjigje, asnjë informatë, dhe asnjë dokument zyrtar.
Bordi i Drejtorëve do të ndërmerrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore, kundër gazetës në fjalë, për ta demantuar burimin e shpifur, përfshirë edhe padinë për shpifje, përderisa gazeta nuk e jep burimin e saktë të informacioneve të brendshme.
Me respekt;
Bordi i Drejtorëve, të KRU “Hidrodrini” Sh.A. – Pejë
Zyra për Media e KRU ‘Hidrodrini’-Pejë



















