Bota
Nuk dëgjon askënd, Netanyahu thotë se do të nis pushtimin e Rafahut

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se trupat izraelite do të ndjekin një ofensivë tokësore të planifikuar në Rafah të Gazës jugore që ka nxitur frikën e viktimave masive civile.
“Asnjë presion ndërkombëtar nuk do të na ndalojë të realizojmë të gjitha qëllimet e luftës: eliminimin e Hamasit, lirimin e të gjithë pengjeve tona dhe sigurimin që Gaza nuk do të përbëjë më kërcënim për Izraelin,” tha Netanyahu në një mbledhje të kabinetit të tij.
“Për ta bërë këtë, ne do të operojmë edhe në Rafah”, shtoi ai.
Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit, në të cilin Tel Aviv thotë se u vranë afër 1.200 njerëz.
Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite ka shkaktuar zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes një bllokade të shumicës së ushqimeve, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Po ashtu, 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të sigurojë që forcat e tij të mos kryejnë akte gjenocidi dhe të garantojë që ndihma humanitare të ofrohet për civilët në Gaza.
Armiqësitë kanë vazhduar të pandërprera, megjithatë, dhe dërgesat e ndihmave mbeten mjerisht të pamjaftueshme për të trajtuar katastrofën humanitare. /Zyrtare.net/





















